Specialistët e pediatrisë në Londër në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar që një numër i vogël, por në rritje i fëmijëve, sëmuren me një sindromë të rrallë që mund të lidhet me coronavirusin
Të dielën, Shoqata e Kujdesit Pediatrik në Mbretërinë e Bashkuar (PICS) paralajmëroi për një rritje të vogël të numrit të rasteve të fëmijëve me sëmundje kritike, disa që kishin testuar pozitivisht për COVID-19, duke paraqitur “tipare të sindromës së shokut toksik dhe sëmundjes atipike ‘Kawasaki’ me parametra të gjakut”.
Çfarë është sëmundja Kawasaki?
Sëmundja Kawasaki, e njohur edhe si sindroma Kawasaki, është një sëmundje e rrallë në fëmijëri, e cila bën që muret e enëve të gjakut në trup të acarohen.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), ajo prek kryesisht fëmijët nën moshën 5 vjeç, megjithëse mund të prekë fëmijët e çdo moshe.
Simptomat përfshijnë një temperaturë të lartë që zgjat pesë ditë ose më gjatë, së bashku me një skuqje në qafë, buzë të thata e të plasaritura, gishtërinj dhe sy të kuq.
Nëse trajtohen, simptomat zakonisht bëhen më pak të rënda, tha NHS, duke shtuar se sëmundja nuk është ngjitëse.
“Për fat të mirë sëmundjet e ngjashme me Kawasaki janë shumë të rralla, pasi aktualisht janë komplikime serioze tek fëmijët në lidhje me COVID-19, por është e rëndësishme që klinikët të ndërgjegjësohen në mënyrë që të jenë në gjendje t’u japin fëmijëve dhe të rinjve kujdes të shpejtë, “- tha profesori Simon Kenny, drejtori kombëtar klinik i NHS për fëmijë dhe të rinj në një deklaratë dërguar CNN-it, të hënën.
Mostrajtimi i Kawasaki-t mund të rëndojë gjendjen shëndetësore të fëmijëve duke i rrezikuar edhe ndaj një ataku kardiak.
Çfarë e shkakton sëmundjen Kawasaki?
Ekspertët pranojnë se shkaqet e sëmundjes Kawasaki nuk janë kuptuar plotësisht, por mendojnë se fëmijët që e zhvillojnë mund të jenë të predispozuar gjenetikisht për të, pasi kanë trashëguar gjenet e caktuara nga prindërit.
Sëmundja në vetvete nuk është ngjitëse, sipas NHS, që do të thotë se nuk ka gjasa të shkaktohet vetëm nga një virus.
Cila është lidhja me COVID-19?
Lidhja midis sëmundjes Kawasaki dhe COVID-19 është e paqartë, por profesionistët e kujdesit shëndetësor kanë siguruar prindërit se rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga virusi mbetet i ulët.