Maturantët kërkojnë mbështetjen e PD

Partia Demokratike organizoi dje një dëgjesë me maturantët me rezultate të shkëlqyera, të lënë pa universitet nga Edi Rama. Të rinj me mesatare 10, me rezultate maksimale, sollën përvojën e tyre dhe dramën e madhe që kanë pësuar duke dalë jo fitues prej reformës që ka shkatërruar ëndrrën e tyre.
“Deri tani kanë ardhur 628 denoncime në portalin e Partisë Demokratike. Ju që jeni këtu jeni të përzgjedhurit për shkak të rastit specifik që përfaqësoni, për shkak të mesatareve të larta dhe gjithashtu një përfaqësim të mbarë vendit. Jeni nga të gjitha rrethet. Burreli, Korça, Librazhdi, Durrësi, Tirana, Lezha dhe keni ardhur për të ndarë me ne dhe me publikun problemin tuaj. Këtu kemi një rast të një djali me mesatare 9.7 që nuk ka fituar dot në Juridik, ndërsa kemi këtë djalin tjetër që e ka fituar me mesataren 9.2 Juridikun, por që nuk e do. Në fakt, pyetja për këtë sistem pameritokracie, a ka kuptim të thuash që ka kuota pavarësisht se nuk thuhet se ku ka?! Do të donit ju të shkonit në çfarëdolloj shkolle, mjafton që në raundin e 200 t’u dalë një shkollë kudo? Kush e pranon këtë?”, u shpreh sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma.
Sifidea Mako, është një maturante në Tiranë, me mesatare 10.15.
“Unë ndodhem këtu për të denoncuar rastin tim sepse si shumë maturantë të tjerë, unë arrita të mbaroja 3 vitet e shkollës së mesme me një mesatare prej 10.15. Vitin e kaluar isha edhe në mbledhjen e organizuar nga Kryeministri me studentët e ekselencës, por për fat të keq ndonëse unë arrita atë mesatare, nuk arrita të fitoj asnjë nga degët që kisha hedhur në formular. Dëgjojmë shpesh që në konferenca, Kryeministri dhe ministra e Arsimit po thonë që kanë fituar në raundin e parë më të mirët. Jo për egoizëm, por po e them që me një mesatare prej 10.15, edhe unë do të doja të isha një ndër më të mirët, por për fat të keq unë nuk rezultoj e tillë. Në seancat që mbajnë po përpiqen të na thonë se në raundin e dytë do të kemi shanse më të mira, por atë që ne kuptojmë është se ky raund nuk do të funksionojë. Ashtu si tani, edhe në raundin e dytë ne do të mbetemi pa shkollë, do të mbetemi në rrugë ndonëse me mesataren që kemi duhet të ishim në auditorët e shkollës. Për fat të keq, ky sistem nuk po na e mundëson këtë. Unë e them këtë sepse edhe për disa degë që i vura në formular që rezultonin me pak pikë në krahasim me pikët që unë do të grumbulloja, isha 1 mijë pikë më tepër në to dhe nuk fitova asnjërën për fat të keq. Kështu si po shkon, unë e di se qindra e mijëra të tjerë si unë në rrethet e Shqipërisë do të mbeten pa shkollë ndonëse duhet të ishim tek ato studentë që duhet të regjistrohenin në universitete. I bëj thirrje ministres së Arsimit dhe Kryeministrit që të shikojnë rastin tonë sepse edhe ne duhet të jemi aty ku e meritojmë, dhe jo ashtu siç ju thoni që është meritë-preferencë sepse në fakt nuk është e tillë. Unë mendoj se këtu është vetëm burokraci dhe jo meritokraci”, tha Sifidea Mako.
Anjeza Ujkaj, është maturante nga Lezha, me mesatare 9.91.
“Mesatarja ime është 9.91 dhe unë synova drejt Politeknikut në degët e inxhinierisë, arkitekturës dhe urbanistikës. Me këtë mesatare unë nuk arrita të kap asnjë nga degët ndonëse kam marrë fletë lavdërimi për rezultatet e mia të larta, përsëri nuk u zgjodha. Ka shumë të tjerë që janë zgjedhur para meje me mesatare shumë më të ulët se unë dhe që lëndë me zgjedhje kishin disa të tjera që nuk vlerësohen nga politekniku siç janë qytetaria, ekonomia e shumë të tjerë. Unë për vete kisha matematikën dhe fizikën advancë dhe këto lëndë i zgjodha në vit të tretë me arsye që do të arrija më shumë. Lëndë me zgjedhje kisha vizatim teknik dhe anglishten sepse unë gjuhë e parë kisha italisht. Ndonëse isha kaq afër kritereve unë mbeta pa shkollë”, tha Anjeza.
Marjela Ndreu është maturante me mesatare 9.6, tek gjimnazi “Eqerem Qabej” në Tiranë.
“Unë jam zgjedhur edhe kryetare e Senatit të shkollës time dhe sot nuk përfaqësoj vetëm veten time edhe shkollën time. Unë mbarova gjimnazin me një mesatare që për kohën nuk quhet ekselente, pra me 9.6. Synova disa degë të politeknikut dhe shkencave të natyrës. Kam kapur një degë që e hodha thjesht për të plotësuar formularin. Kur ishim në shkollë dhe kërkonim informacion si nga drejtuesit e shkollës tonë apo nga drejtoria arsimore, na thuhej vetëm që nuk dimë asnjë gjë, por mos harroni të hidhni edhe privatin. Pra, theksohej që ne duhej të hidhnim privatin. Ashtu si shumë nga moshatarët e mi kam ndjekur shumë kurse që të arrija rezultate sa më të larta dhe të mos kisha problem. Shumë prej moshatarëve të mi shijonin pushimet unë isha aty duke studiuar analizë matematike dhe sot ja ku jam që nuk kam arritur aty ku doja dhe mbase nuk do të arrij asnjëherë nëse vazhdojmë sërish me këtë reformën e re që na ka bërë zonja Lindita apo Kryeministri ynë”, thotë Marjela.
Enea Vuka është maturant nga Burreli, me mesatare 9.4.
“Edhe unë si shumë nga bashkëmoshararët e mi nuk vij për të përfaqësuar vetëm qytetin tim, por edhe ata maturantë që kanë mesataren mbi 9. Unë e kam 9.4 por fatkeqësisht u penalizuam nga ulja e koeficentëve me lëndë me zgjedhje, dhe futja e këtij sistemi që në fakt ndryshoi në mes të vitit dhe nuk na la mundësi që të arrinim ato degë që donim. Jo vetëm që ne nuk kapëm asnjë degë, por realisht u renditëm shumë poshtë në klasifikim që edhe me 10 raunde të tjera nuk do të mund të klasifikohemi dot. Fatkeqësisht kjo është e vërteta. Ju pyetët për raundin e dytë, por duket që kujdesi duhet të jetë që ne të aplikojmë tek private. Këtë duan nga ne”, deklaron Enea.
Besmira Jahjolli, është maturante në gjimnazin “Aleks Buda” në Tiranë.
“Unë kam mesataren 8, por as unë nuk dua të rri pa shkollë, si gjithë të tjerët. Këtu ka shumë të tjerë me mesatare më të mirë, por unë nuk dua të rri në rrugë, pa shkollë. Do të doja edhe unë si shumë të tjerë që të vazhdoja një shkollë, por mesa duket për mua nuk ka asnjë shkollë”, thotë Besmira.

PD do bëjë gjithçka për të garantuar të drejtat e maturantëve

Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji u shpreh se PD do të bëjë gjithçka për të garantuar të drejtat e maturantëve, për të mbrojtur mundin, djersën dhe studimet e tyre.
“Ju sot jeni vetëm një pjesë e vogël e rasteve specifike dhe qindra si ju me mesatare të lartë, studentët më të mirë, maturantët më të mirë që janë pretendentë për studentë, kanë mbetur jashtë sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri. Nuk është ashtu siç thotë Kryeministrit, apo siç thotë siç thotë ministrja Nikolla, që ju jeni studentë më të këqij, apo më poshtë atyre që kanë fituar. Nuk ka Shqipëria 3 mijë studentë me mesatare 10.1. Nuk ka Shqipëria 2800 apo 3 mijë, me mesatare 9.9, 9.7, siç janë këto qindra maturantë të cilët janë ankuar kudo duke protestuar e ngritur zërin e tyre për një shqetësim të madh.
Shqetësimi kryesor që ka të bëjë me ju është se kjo reformë është padrejtësi e madhe. Kjo reformë lë pa shkollë maturantët më të mirë dhe favorizon në mënyrë të padrejtë maturantët e tjerë. Kjo reformë në mënyrë të padrejtë nuk ju lë ju mundësinë që të dini nëse do të keni mundësi shkollimi me raundin e dytë, ose jo, sepse nuk ka sistem pikëzimi të qartë.
Për këtë arsye do t’ju mbështesim në protestat tuaja. Për këtë arsye ne kërkojmë që ministrja Nikolla të japë dorëheqje, për paaftësi. Që Kryeministri dhe qeveria të marrë përsipër kostot e këtij kaosi që ka shkaktuar dhe të anulojë raundin e parë dhe të rikthejë tek ju sistemin e qartë të pikëzimit. Nuk mund t’i japë ligjit fuqi prapavepruese që ju për tre vjet të studioni nëpër kurse, të studioni nëpër shkolla, të rrini gjithë kohën me libra sepse ju kanë thënë në fillim të studimeve tuaja që ju në matematikë siç është rasti i mesatares 9.7 apo 9.8, do të merrni koeficientin më të lartë dhe në fund në gusht, dhe në fund të studimeve tuaja, jo në mes të studimeve, jo në fillim të tyre, por në fund priteni në besë dhe sot dilni në rrugë.
Ne do të kërkojmë rikthimin e të drejtës suaj në vend. Do të kërkojmë kontroll të plotë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, do të shkojnë deputetë të Partisë Demokratike tek Agjencia Kombëtare e Provimeve, për të monitoruar e për të ndaluar tarafin e Kryeministrit, tarafin e ministres apo të hyjnë militantët e Partisë Socialiste, apo të LSI-së, e të mbeten jashtë ajka e maturantëve, pjesa më e mirë e maturantëve dhe qindra e mijëra familje që janë sot në ankthin për fëmijët e tyre”, u shpreh Salianji.

A.Shahini

Artikulli paraprakEkonomia informale përfshinë gjithë Kosovën
Artikulli tjetërShqipëria ndër vendet me paga të ulëta në Europë në sektorin privat