“Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”. Këto mësohet të kenë qenë fjalët që agresorët i kanë thënë biznesmenit libanez Faad Mitri, i cili mbeti i plagosur pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Biznesmeni libanez është masakruar dhe është lënë i shtrirë në mes të rrugës nga persona të panjohur për policinë pas një aksidenti të improvizuar. Mësohet se biznesmeni ishte duke ndërtuar në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës.
Ngjarja ndodhi dje në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit, ku pas përplasjes mes mjetit tip “Mitsubishi” dhe “Wolkswagen”, pasagjerët e këtij të fundit kanë masakruar barbarisht biznesmenin. Ndërkohë, dyshohet se aksidenti ka qenë i planifikuar dhe se gjithçka ishte bërë për të kërcënuar Faad Mitrin.
Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se drejtuesi i mjetit “Wolkswagen”, së bashku me pasagjerët, dyshohet se kanë dhunuar Mitrin, e më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Policia nuk ka pohuar zyrtarisht se ky ka qenë një aksident i planifikuar. “Pas kësaj përplasje ka patur një konflikt mes personave që udhëtonin me dy makinat. Për pasojë është plagosur nga dhuna dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në spital shtetasi E. M drejtues mjeti, si dhe një pasagjer, shtetas i huaj rezident në Shqiperi me inicialet F.M.
Drejtuesi i mjetit “Wolkswagen” së bashku me pasagjerët, të dyshuar si ushtrues të dhunës, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në aksident dhe më pas në aktin e dhunshëm, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të agresorëve”, citohet në njoftimin e policisë.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje për masakrimin e biznesmenit libanez me pasaportë amerikane që jeton në Shqipëri. “Biznesmeni i huaj është Fadil Mitri, i cili po ndërton resortin turistik tek Gjiri i Lalzit, sipas policisë, në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit, u përplasën makinat tip “Wolkswagen” dhe “Mitsubishi”. Pas kësaj përplasje ka patur një konflikt mes personave që udhëtonin me 2 makinat. Për pasojë është lënduar nga dhuna dhe u dërgua për ndihmë mjekësore shtetasi E. M drejtues mjeti, si dhe biznesmeni Fadil Mitri që ishte pasagjer. Drejtuesi i mjetit “Wolkswagen” së bashku me pasagjerët, të dyshuar si ushtrues të dhunës, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe arrestimin e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, biznesmeni i huaj u shtrua në Spitalin “Hygeia” ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Berisha: Aksidenti ndaj biznesmenit ishte i planifikuar, donin ta eliminonin
sh-kryeministri Berisha ka reaguar për masakrimin e biznesmenit të huaj, Faad Mitrin. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Berisha shprehet se aksidenti ishte planifikuar dhe se agresorët bënë përpjekje për ta vrarë atë. Berisha shprehet se, personat që organizuan vrasjen me aksident automobilistik janë eksponentë të mafies qeveritare.
Në postimin e tij në Facebook Berisha shkruan se, aksidenti ndaj Mitrit, përpjekje për të vrarë atë dhe larguar kompaninë e madhe që ai përfaqëson nga Shqipëria! “Të dashur miq, sot u bë një përpjekje për të eliminuar fiziksht Faad Mitrin, përfaqësuesin e një kompanie multimiliardiere, e cila ka projektin më të madh të investimit prej 1.5 miliardë euro në turizëm në Gjirin e Lalzit në Shqipëri. Ata të cilët i organizuan vrasjen me aksident automobilistik janë eksponentë të mafies qeveritare, të cilët kishin dalë në pritë t’i merrnin jetën një njeriu, që me përkushtim të jashtëzakonshëm ka punuar për realizimin e projektit me investimin më të madh në fushën e turizmit në historinë e vendit tonë”, shkruan Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha dënon me ashpërsi të madhe këtë akt dhe i bën thirrje Prokurorisë që të vendosë para ligjit autorët. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë krim të mafies qeveritare dhe uruar shërim të shpejtë e të plotë të plagosurve në këtë aksident të kurdisur për vrasje personi, i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit me urgjencë të vendosë para ligjit autorët e këtij krimi të shëmtuar! sb”, përfundon Berisha.
Basha: Dhunimi mafioz i biznesmenit të huaj, dëshmi e gjallë e sundimit të krimit e bandave
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të dhunimit të biznesmenit të huaj, Faad Mitri, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dëshmi të gjallë e therëse të sundimit të krimit e të bandave në vend.
“Dhunimi mafioz në mes të ditës, në aksin kombëtar të Rinasit i investitorit të huaj në një prej projekteve më të mëdha turistike në vend, që sjell zhvillim e vende pune, është dëshmia e gjallë e therëse e sundimit të krimit e të bandave në vend. Krimit dhe bandave të Edi Ramës që e kanë kthyer territorin në parajsën e kanabisit, që vendosin gjoba ndaj biznesit, që janë mbi ligjin dhe kanë mbështetjen e vazhdueshme qeveritare”, shkruan Basha në postimin e tij në Facebook.
Kryetari i PD shprehet më tej se, goditja mafioze e investitorit është ngjarja më e rëndë që mund të ndodhë për ekonominë e rendin. Goditja mafioze e investitorit, kërcënimi i tij me jetë nëse nuk largohet, është ngjarja më e rëndë që mund të ndodhë për ekonominë e rendin, e megjithatë Edi Rama ka heshtur, ka mbyllur sytë, me një qëndrim njësoj kriminal. Kjo dëshmon qartë se është në krah të krimit, të bandave, të mafias, dhe se ai vetë qëndron në krye të kësaj piramide. Por kjo piramidë e krimit do të bjerë, duke nisur nga nesër në Dibër. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundon Basha.
R.POLISI