Ngecin fondet e BE për bujqësinë, përdoren vetëm 23% e planit vjetor

Fondet që Bashkimi Europian ka dedikuar për bujqësinë shqiptare nëpërmjet programeve IPA dhe IPARD nuk po angazhohen sipas planifikimeve edhe pse nevojat e sektorit janë shumë të mëdha. Ministria e Bujqësisë ka futur në punë vetëm 23 për qind të fondeve të BE në gjashtëmujorin e parë. Financimet e huaja për bujqësinë këtë vit ishin programuar 2.1 miliardë lekë, por janë përdorur vetëm 522 milionë lekë. Marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me donatorët në lidhje me disbursimin e granteve dhe kredive të miratuara janë vështirësuar së fundmi. Situatë e ngjashme është edhe me financimet e huaja në infrastrukturën rrugore. Programi IPARD i Bashkimit Europian, i cili është miratuar tashmë parashikon një financim për bujqësinë deri në vitin 2020 mbi 70 milionë euro. Bashkë me bashkëfinancimin kombëtar dhe me pjesëmarrjen e fermerëve fondet  e programuara për t’u injektuar në bujqësi janë 156 milionë euro.
Por edhe nëse kjo shumë do të mund të disbursohej sipas parashikimeve, ajo është ende e ulët po të krahasojmë nevojat e sektorit që ka të angazhuar gjysmën e punësuarve në vend dhe zë gati 19 për qind të peshës në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ekspertët e BE kanë shpjeguar më parë se programi IPARD e ka mjaft të qartë se çfarë mund të subvencionojë dhe formën se si mund të kryhet ky proces. Por për BE-në është shumë e rëndësishme transparenca e të dhënave me të cilat do të përdoren këto fonde. Transparenca e të dhënave është principi kryesor në themelin e çdo shteti anëtar të BE, ku çdo projekt i financuar nën politikat e përbashkëta bujqësore do t’ju vihet taksapaguesve online. Korrektësia me të cilën duhet të përdoren fondet e BE duket se kanë bërë të paafta institucionet shqiptare që të disbursojnë fondet që Bashkimi Europian ka dhënë për bujqësinë shqiptare.

Artikulli paraprakNë 8 muaj, 126 kompani shpallën falimentin
Artikulli tjetërS’ka teknologji dhe forcë pune të kualifikuar