Trupi i copëtuar i një njeriu të paidentifikuar u gjet dje në Tiranë. Banorët në Kodër Selitë janë përballur me një skenë horrori, teksa kanë parë në rrugë kufomën e copëtuar të një mashkulli, ndërsa koka është gjetur e shkëputur nga trupi. Një kalimtar i rastit ka parë trupin e dekompozuar në rrugë, dhe ka njoftuar policinë. Burime të policisë thanë se një kalimtar i rastit në zonën e Selitës njoftoi se kishte dalluar në rrugë pjesë të trupit të njeriut. Pas mbërritjes së policisë u konfirmua se bëhej fjalë për një mashkull, që nuk dihet kur kishte ndërruar jetë. Mënyra se si viktima është copëtuar dhe mungojnë gjymtyrët, hedh dyshime se kemi të bëjmë me akt barbar.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së kryeqytetit, ku kanë gjetur kokën e viktimës të shkëputur nga pjesa e trupit. Hetuesit në vendin e ngjarjes dalluan se, trupit i mungonin disa gjymtyrë. Ajo që e bën më të tmerrshme ngjarjen është se kufoma kishte shumë kohë e hedhur në rrugë dhe mund të jetë copëtuar nga qentë e rrugës.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar se, më datë 11.09.2016, rreth orës 11:00, në Kodër Selitë, është gjetur një trup, të cilit i mungonin disa gjymtyrë, i skeletizuar. Në vendngjarje është gjetur një pjesë kockore (kafkë). Nga veprimet procedurale nuk konstatohen dëmtime në pjesën e kafkës, si dhe mungonin pjesë eshtrash, që dyshohet se është shfrytëzuar nga egërsirat e natës. U dërgua për ekzaminim në Mjekësinë Ligjore”, thuhet nga Policia e Tiranës.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, personi, ende i paidentifikuar, është i seksit mashkull dhe se, duhet të ketë rreth një vit që ka vdekur. Sakaq, Sektori i Krimeve në Policinë e Tiranës kanë çuar njoftim nëpër komisariate për të marrë informacion lidhur me personat e zhdukur. Identifikimi i kufomës bëhet i vështirë, pasi nuk ka asnjë shenjë dalluese si rroba apo mjete të tjera identifikimi. Ndërkaq po verifikohet lista e personave të shpallur të humbur në të gjithë Shqipërinë. Një vit më parë u gjet kufoma e shpërfytyruar e një biznesmeni në malin e Dajtit.