Nishani: Nëse nuk arrestohen politikanë, reforma në drejtësi është dështim

-Zoti President, për gati një vit tema qendrore ishte Reforma në Drejtësi. Reforma e miratuar a  a e zgjidh problemin e drejtësisë në Shqipëri?
Debati ka qenë i domosdoshëm, do të preferojë që të ishte edhe më i gjerë dhe të përfshinte më shumë aktorë brenda. Reforma fokusohet në dy momente. E para mundësia e krijimit të mekanizmave të reja që do të bëjnë administrimin e pushtetit gjyqësor, e cila do të krijojë mekanizma për të vlerësuar integritetin e njerëzve që do të marrin vendime brenda drejtësisë. Dhe momenti i dytë vendosja e një modeli të ri të sistemit të ekuilibrave për ndarjen e drejtësisë.

-Këto kërkesa mendoni se u realizuan nga kjo reformë?
Duhet pritur të shikojë zbatimin e amendamenteve kushtetuese. Ne kemi pasur sfidë të madhe, zbatimin e ligjeve. Të gjitha ligjet që kemi kanë qenë të përafruara me legjislacionin Europian, por kemi hasur vështirësi në zbatimin e tyre. Shqiptarët dhe partnerët e kanë konstatuar problemin e zbatimit të ligjeve. Duhet të shohin si do të zbatohet Kushtetuta e re dhe si do të funksionojnë institucionet e reja që do të krijohen. Ajo që duan të shohin qytetarët është drejtësi në këtë vend, që të marrë fund pandëshkueshmëria që u bie në qafë jetës, të drejtave, pronës dhe zhvillimit të qytetarëve shqiptarë.
Nëse nuk do të shohim që mekanizmat të dërgojnë para drejtësisë gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë nuk shkojnë para drejtësisë dhe pasuritë e tyre nuk do të sekuestrohen atëherë do të ketë një dështim edhe të këtij hapi që u ndërmor. Unë shpresoj dhe besoj që këto të ndodhin, shqiptarët duan të shohin të korruptuarit para drejtësisë. Shqiptarët duan të shohin sekuestrimin e pronave të të korruptuarve. Dhunuesi i ligjit do të thotë dhunues i jetës dhe të drejtave të qytetarëve.

-Gjatë debatit për reformën kushtetuese, një nga shqetësimet ishte pretendimi i opozitës se drejtësia do të kapet nga shumica qeverisëse, ju e shikoni këtë rrezik?
Rreziku i influencave politike mbi drejtësinë mbetet ende një potencial në Shqipëri, për shkak të një tradite, apo synimeve cinike që vijnë nga politika, apo qoftë për shkak të një balance jo të konsoliduar të kontrollit dhe ndarjes së pushteteve. U pa e arsyeshme nga Kuvendi, që shumë kompetenca që deri tani ishin adresuar Presidentit t’ia kalojë qeverisë. Mjaft prej pushteteve të parlamentit i kanë kaluar qeverisë. Pra është forcuar shumë prezenca në vendimmarrje e mekanizmave që rrjedhin nga ekzekutivi.
Ky është vendim i parlamentit ne nuk mund ta gjykojmë në kontekstin institucional. Sesa i suksesshëm do të jetë modeli i ri mbetet për t’u parë. Tendenca për influenca politike mbetet e lartë në Shqipëri. Shpresoj të ketë një shkallë të lartë përgjegjshmëri, që të kapin këtë moment për të krijuar një bazë nga ajo që kemi pasur dhe për të lënë një trashëgimi pozitive. Mbetet të shikohet zbatimi i procesit vendimmarrës.

-Çfarë do të bëni me ligjin e Vetingut, do e dekretoni apo do e çoni në Kushtetuese?
Nuk kam ndërmend t’ia çoj Kushtetueses, jam duke e studiuar me kujdes. Jam duke u konsultuar me këshilltarët dhe me juristë të tjerë. Kam parë disa çështje që më kanë shqetësuar për mënyrën si trajtohet institucioni i Presidentit.

-Çfarë nuk shkon?
Institucioni i Presidentit mbart përfaqësimin e dinjitetit të shtetit shqiptar. Mund të qëllojë që Bujar Nishani nuk i pëlqen kryeministrit ose anasjelltas, por kjo nuk ka të bëjë me respektin ndaj figurës së kreut të shtetit.
Në ligjin aktual Presidenti kthehet në sekretari protokollare, në një zyrë administrative të disa institucioneve që krijohen.
Për të emëruar sekretarët e apelimit apo mekanizmave të tjera, që janë administrative, i është lënë Presidentit të bëjë shpallen e vakancave. Presidenti ia përcjell dosjen me kandidatët komisioneve të apelimit apo vlerësimit. Nuk trajtohet Presidenti i shtetit si zyrë protokollare, kështu mendon shumica e shqiptarëve. Presidenti mirë është paraparë që të mos jetë pjesë e procesit vendimmarrës, por nuk mund ta trajtosh deri në këtë shkallë.
Nuk mund të bëhem pjesë e kësaj sjellje, jo pse jam unë sot President, por kam në bindjen time politike, që kreu i shtetit duhet respektuar, pasi përfaqëson shtetin shqiptar. Kjo është një çështje që mua më ka shqetësuar. Është parashikuar që në procesin e kontrollit të gjyqtarëve të përfshihen dy institucione, që deri tani kanë treguar dobësi dhe kanë përgjegjshmëri për problematika serioze.
Anëtarët e SHÇKB që duhet të kontrollojnë policinë, janë paraparë për të kontrolluar integritetin moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Së pari kjo nuk ka lidhje mes dy pushteteve. Së dy kemi një problem, në problemin e kultivimit të kanabisit ka mjaft punonjës policie të përfshirë në mos goditjen e tyre, uk po paragjykoj për përfshirjen në kultivim. Agjencia që duhet të hetonte pse punonjësit nuk janë angazhuar për të goditur trafikant është SHÇKB, ky institucione që nuk ka kryer përgjegjësitë ligjore ne po i ngarkojmë të tjera më madhore.  Problem tjetër është angazhimi i zyrës së Kontrollit të Pastrimit të Parave. Ne kemi një problem me qarkullimin e parasë së pistë në Shqipëri, e kemi identifikuar na e thonë raporte të ndryshme të DASH dhe BE. Nga ky institucion nuk kemi parë axhendë dinamike për goditjen dhe rezultatet. Ky institucion merr një detyrë akoma më të madhe për të kontrolluar edhe pastërtinë e gjyqtarëve dhe prokurorë. Për mua ngrenë pikëpyetje për besueshmërinë e tyre.

-Po cilët mund të jenë institucionet që mund të bëjnë Vetingun nëse kemi parasysh që opozita këmbënguli që duhet të jetë proces shqiptar, u fol për sovranitetin dhe që të huajt duhet të jenë vetëm vëzhgues dhe jo përcaktues?
Unë u them me shumë transparencë, nuk nisem as nga deklaratat e opozitës as të mazhorancës. Unë flas si President dhe po e shikoj ligjin dhe do të reagoj për ligjin nga pikëpamja kushtetuese dhe do të reagoj nga pikëpamja kushtetuese dhe nëse nuk gjej një përplasje me kushtetutën do të mbaj një qëndrim timin.

-A keni konstatuar që ka përplasje për ligjin e Vetingut?
Nuk mund të bëj një vlerësim deri tani, pasi jam në procesin e konsultimit. Për mua ka shumë rëndësi që procesi i Vetingut të fillojë sa më parë dhe të realizohet në themel dhe të mos kthehet në proces intimidimi dhe kanosje për qëllime individuale politike apo të natyrave të ndryshme. Për mua ka rëndësi që të nxjerrë të korruptuarit dhe të paaftët. Por në ato çështje që und i konsideroj që nuk kanë sens dhe nuk janë në korrektesë në pikëpamjen institucionale të kreut të shtetit që nuk është pronë e Bujar Nishanit.
Ne kemi një shtet 104 vjet të themeluar dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mbrojmë dinjitetin e shtetit tonë. Angazhimi i juristëve të huaj është i mirëpritur sikur e ka parë kushtetuta për të monitoruar procesin. Por aty ku shikoj që nuk ka korrektesë, padyshim do të mbaj një qëndrim për ta shprehur. Por nuk kam parë deri tani dhe nuk kam motiv ti drejtohej Kushtetueses.

-Pa dashur të spekuloj, latë të kuptohet se ligjin do ta kaloni në heshtje…
Ajo mbetet për t’u vendosur, unë kam ende kohë, jam në proces diskutimi.

-Para se të aprovohej reforma në publik ishte krijuar një perceptim, që projekti që ishte hartuar për të cilin ishin krijuar dy blloqe nga njëra anë kryeministri dhe ambasadorët dhe nga ana tjetër ju si president, drejtuesi i opozitës dhe kreu i parlamentit. Cila është e vërteta, është aluduar shumë në media..
Nuk e di kush e ka deklaruar këtë. Të jem i sinqertë nuk e kam parë këtë aludim asnjëherë. Nuk gjykoj qëndrimet e kryeministrit, kreut të parlamentit apo opozitës, nuk më takon, gjykimet e tyre i bëjnë shqiptarët. Dua t’u bëj në kujtesë që në tetor 2014 kur nuk kishte asnjë diskutim dhe ishte heshtje, e kam marrë unë iniciativën për Reformën në Drejtësi me delegacionin e BE në Tiranë dhe kam organizuar Konferencën Kombëtare ku kanë qenë të ftuar të gjithë aktorët. Ndoshta nuk u shpreha qartë, e kisha fjalën jo për reformën por për tekstin në të cilin kishte hartuar komisioni.. Presidenti nuk ka qenë i përfshirë në tekst, nuk mund të mbanim qëndrime, pasi nuk kemi pasur dijeni. Unë mendoj që procesi u mor në dorë nga Presidenti, pastaj palët, u krijua komisioni, shumica u vendos në lëvizje, që unë e gjykoj produktiv, nëse unë kam qenë nxitësi që ta fillojnë.

-Si e gjykoni rolin e ambasadorëve të SHAB dhe BE në këtë proces. Ka pasur shumë zëra që i kanë sulmuar, është folur edhe për kërcënime ndaj deputetëve. Si ka qenë roli i tyre në optikën tuaj?
Në mënyrë kategorike nuk i gjykoj. I kam respektuar dhe vazhdoj ti respektoj. Ambasadorin e SHBA nuk e gjykon ambasadori i Shqipërisë, por i SHBA, po ashtu edhe atë të BE.

-Një president mund ta gjykoj një ambasador, ka pasur raste kur janë shpallur ‘non grata’ dhe janë larguar…
Nuk është presidenti asnjëherë, ka kanale të caktuar dhe raste të tilla janë të veçanta. Unë e mbështes angazhimin e partnerëve SHBA dhe BE, pasi janë dy aleatët strategjikë.

-Marrëdhëniet tuaja me qeverinë herë pas here kanë qenë të tensionuara, aktualisht ka një lloj normalizimi apo vazhdojnë të jenë të tilla?
Unë në mënyrë shumë të sinqertë dhe aspak për retorikë nuk i kam konsideruar dhe nuk i kam parë asnjëherë të tensionuara.
Kam ofruar dhe vazhdoj të ofroj gatishmërinë e komunikimit dhe një marrëdhënie korrekte institucionale edhe pse jo njerëzore. Padyshim ka pasur herë pas here deklarata kundër presidentit të Republikës nga përfaqësues të qeverisë, në parlament në qeveri që në disa raste më është dashur të përgjigjem në respekt të opinionit publik sepse nuk mund të mbaja mbi vete pa sqaruar shpesh herë dhe akuzat. Jam kritikuar politikisht dhe është konsideruar si konflikt mes presidentit dhe qeverisë fakti që unë disa nga ligjet i kam rikthyer në parlament për t’u ri parë. kanë qenë ne 90% të rasteve të tyre ligje që kanë pasur kompetenca direkte më presidentin të cilat nuk janë ndryshuar për faktin se është bërë ndryshimi kushtetues, nëse do ishin ndryshuar duke ndryshuar kushtetutën nuk kishte asnjë të drejtë presidenti i republikës as të ngrite pretendime dhe as ta conte për rishqyrtim sepse sovrani i vendimmarrjes legjislative është parlamenti. Nëse nuk janë votat në parlament për të ndryshuar kushtetutën në lidhje me kompetencat e presidentit të republikës dhe ti përdor një lojë antiligjore dhe antikushtetuese duke bërë një ligj që ky ligj nuk e lejon Presidentin e Republikës për të ekzekutuar kompetencën e tij pavarësisht së është kushtetuese padyshim që unë do ndërhyja dhe ta riktheja ligjin.
Por ka pasur edhe ligje të tjera madhorë sikur është ligji për arsimin e lartë, ligji për çështjen e pronave , ligji për çështje strategjike që janë madhore ndoshta për 20- 30 vitetet e ardhshme.  Presidenti nuk ka një veto, pra nëse e ndërmerr një hap të argumentuar, secili nga nenet e këtij ligji krijon probleme dhe cilat janë arsyet që krijon probleme dhe kam kërkuar rishikimin. Pa kaq kam kërkuar. Dhe kjo është një e drejtë kushtetuese e presidentit të republikës. Kam pasur në Shqipëri miq që na kanë vizituar në nivel kryetarësh shtetesh dhe përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe kur i kam pyetur se cila është praktika e kthimit të ligjeve nga ana e presidentëve të tjerë në parlamentit ka qenë një përqindje shumë herë më e madhe nga ajo sa kemi kthyer ne në parlament.
Kjo ka qenë krejtësisht e padrejtë dhe një alibi politike dhe për fatin e keq më duhet të them që qeveria aktuale apo kryeministri nuk vonoi për presidentin e republikës në 2012 dhe nuk njohu asnjëherë pavarësisht deklaratave formale.
Unë nuk kam mekanizma të ndryshoj zgjedhjet e kryeministrit por nuk e konsideroj armik kryeministrin. Padyshim që do ti jap përgjigje dhe do të mbaj të njëjtën sjellje institucionale me bindje dhe jo me shtirje.

-Bashkëjetesa mes presidentit dhe kryeministrit kur vijnë nga parti të kundërta është e vështirë, një vend tipik është Franca. Kjo situatë që ju sapo përshkruat çfarë pasojash ka?
Jo absolutisht asnjëherë nuk ka pasur ngërçe në mënyrën e funksionimit të shtetit. Unë besoj se është shumë e shëndetshme nga pikëpamja politike dhe e demokracisë kur ka jo qëndrime agresive brenda njëri-tjetrit por kur ka qëndrime të argumentuara ligjërisht dhe institucionalisht. E shikoj të shëndetshme, nuk është një çështje armiqësie , është një çështje e ruajtjes e dinjitetit dhe korrektesës së pushtetit që ka çdo institucion.

-A është tejkaluar incidenti që ndodhi në këtë seli, në selinë e presidencës me ministrin e Jashtëm i cili u pengua nga garda juaj për të marrë pjesë në një takim që ju kishit thirrur me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar kudo në botë ?
Incidenti nuk ka qenë i gardës. Në atë aktivitetet ministri nuk ka qenë i ftuar. Mënyra e funksionimit të institucioneve janë të rregulluara me ligj dhe mekanizma. Nuk besoj se sot mund ti teket dikujt për tu futur në institucionin e Presidencës me forcë pa marrë parasysh rregullat thjesht sepse ka një dëshirë të shikojë si është institucioni nga brenda.

Marrë me shkurtimet nga emisioni 5 Pyetjet nga Babaramo

Artikulli paraprakMaturantët, sot ora 11:00 rrethojnë Kryeministrinë
Artikulli tjetërRezultati i Dibrës, dëshmi e regjimit të oligarkisë së krimit