Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Zhvillimit Urban prezantoi draftin final të projektligjit të ri për strehimin social, i cili synon që të garantojë një numër më të madh të kategorive të shtresave në nevojë, si përfitues nga programet. Por, në raportin e fundit, është Avokati i Popullit ai që e ka konsideruar këtë si një nga çështjet më të mprehta sociale. “Legjislacioni në fuqi për strehimin nuk garanton barazi thelbësore në kërkesat për strehim që mund të paraqiten nga familje në kushtet e mbijetesës. Pjesa më e madhe e familjeve që gëzojnë statusin e të pastrehut ende nuk mund të përfitojnë nga programet sociale për shkak të pamundësive të tyre në përmbushjen e kritereve të parashikuara në ligj. Një pjesë e mirë e Bashkive nuk janë të përgatitura as për sigurimin e vendstrehimeve alternative për grupe në nevojë emergjente si personat endacakë ose të pastrehë të tjerë. Familjet qiramarrëse në banesat e ish pronarëve pas zbatimit të parashikimit të aktit normativ, prej vitesh kanë ngelur pa një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë për strehimin e tyre”, bën të ditur Avokati i Popullit. Sipas këtij institucioni nevojitet një bashkëpunim më i mirë midis organeve të qeverisjes vendore dhe atyre qendrore, me qëllim të plotësimit të kërkesave për strehim nëpërmjet sigurimit të fondeve të mjaftueshme dhe zhvillimit të politikave të reja sociale. Zyrtarisht, statistikat flasin për 35,000 të pastrehë, por kjo shifër besohet të jetë edhe më e madhe duke qenë se ka shumë të padeklaruar. Aktualisht ka përfunduar studimi i kryer me ekspertët e PNUD-it për identifikimin e numrit të të pastrehëve në 61 bashkitë e vendit. Gjatë dy viteve të fundit, buxheti i alokuar për strehimin ka shënuar rritje. Rreth 267 milionë lekë janë investuar për rikonstruksionin e 447 shtëpive të komunitetit rom dhe egjiptian, në 15 bashki të vendit. 2070 qytetarë të këtij komuniteti kanë përfituar direkt nga investimet e kryera dhe rreth 3000 qytetarë si përfitues indirekt, përmes ndërhyrjeve në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve.
Kryesore
Continue to the categoryIndeksi global/ Mosha e mesme në Shqipëri është më e palumtur!
Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka...