Të dielën, Ergys Kaçe nisi zyrtarisht aventurën e tij në Republikën Çeke me skuadrën e tij të re, Viktoria Plzen. Mesfushori kuqezi u aktivizua në minutën e 45 duke luajtur një pjesë të plotë. Viktoria arriti një fitore të vështirë 2-1 në transfertën e Slovan Libverec dhe sipas mediave pranë klubit, Kaçe rezultoi një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Mesfushori shqiptar arriti të përshtatej me mekanizmat e skuadrës së tij të re edhe pse ndodhet vetëm prej pak ditësh në Çeki.
Klubi i Viktoria Plzen e veçoi debutimin e shqiptarit me një mesazh në Facebook, ku edhe komentet e tifozëve të skuadrës ndaj lojtarit korçar ishin pozitive. Kaçe mund të aktivizohet titullar në sfidën e së enjtes në Europa League kundër Romës, por kjo ende nuk është e sigurt. 22-vjeçari u largua nga PAOK-u i Selanikut gjatë kësaj vere pasi në klubin grek i bënë me dije se nuk konsiderohej më titullar. Gjithsesi, ai vazhdon të mbetet një lojtar i bardhezinjve, pasi Viktoria Plzen do ta ushtrojë në fund të sezonit të drejtën për ta blerë ose jo.