“Nuk është e thënë që pas gafës së radhës nga ana e Sportiellos, Etrit Berisha të luajë titullar në ndeshjen e radhës”. Kështu e mbyll shkrimin analitik faqja e specializuar e Atalantës rreth momentit negativ që po kalon portieri Sportiello në radhët e skuadrës bergamaske. Ishte pikërisht numri 57 që nuk reagoi në rastin e goli të parë të Torinos dhe Atalanta e pa veten në disavantazh. Një goditje dënimi jo e paneutralizueshme nga ana e Iago Falque dhe Sportiello nuk arriti ta bllokonte topin.
Ky moment shtoi edhe më shumë zërat për krizën që po kalon Sportiello dhe afrimi i Berishës te Atalanta e ka bërë situatën edhe më të paqartë. Transferimi i tij dështoi në orët e fundit të merkatos dhe trajneri Gasperini duhet të bëjë zgjedhjen e tij për zgjedhjen e titullarit. Në tre ndeshjet e para të Atalantës, Sportiello ka lënë një shije të keqe tek tifozët, të cilët mendojnë se ai nuk është më një zgjedhje e besueshme për katërkëndëshin. Gasperini kërkon t’i japë mundësinë e fundit në ndeshjen e radhës, por në rast të një tjetër hapi fals, atëherë Berisha mund të nisë zyrtarisht aventurën e re në Bergamo.