Përmes provave filmike emisioni investigativ “Stop” denoncoi mbrëmë blerjen e votave në Dibër. Qytetarët paraqiteshin tek sekseri i Ramës që bënte shpërndarjen e parave në këmbim të votave. Dialogu mes votuesit dhe sekserit nxjerr në pah krimin elektoral të zgjedhjeve në Dibër. Është e njëjta strategji që Rama në pushtet ndjek që nga dita që ka ardhur në krye të qeverisë. Janë pamje të njëjta si ato të zgjedhjeve të Korçës që u zhvilluan vetëm pak muaj pas ndryshimit të qeverisjes. Edhe atëherë filmimet paraqisnin të qartë skemën e blerjes së votave, e cila bëhej në zyrën elektorale të PS në Korçë. Pas Korçës erdhi edhe maskarada e madhe e zgjedhjeve lokale, ku të inkriminuarit u kandiduan nga Rama në disa nga bashkitë kryesore të vendit dhe manipulimi i votës ishte i qartë dhe i shoqëruar po ashtu me pamje filmike në shumë zona të ndryshme të vendit.
Tre palë zgjedhje të manipuluara nga qeveria në harkun kohor të tre viteve dhe asnjë reagim nga institucionet ligjzbatuese. Policia që duhet të ishte në krye të detyrës për mbrojtjen e institucionit të votës është nën urdhërat e bandave kriminale dhe është pjesë e manipulimit. Prokuroria që duhet të ndjekë dhe të zbatojë ligjin duke arrestuar manipulatorët që dalin me zë dhe figurë duke blerë votat, po thotë se vijon hetimet. Vetëm se zvarritja e tyre ka bërë që gropa e krimit elektoral të thellohet aq shumë sa të zërë brenda edhe vetë Prokurorinë. Shoqëria ka humbur sistemin për të cilin u ngrit në Dhjetorin ’90 dhe vendi është kthyer në një diktaturë të krimit me rënien e votës së lirë në duart e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.
Emisioni investigativ “STOP” denoncoi edhe pak ditë më parë blerjen e votës në Dibër. Në shkëmbim të votës jepej ndihmë ekonomike për 485 persona më shumë se muaji i kaluar në Maqellarë. Vetëm pas shkarkimit të ish kryebashkiakut Shukri Xhelili më 13 maj dhe vetëm në Maqellarë, në listën e ndihmës ekonomike janë shtuar në total 485 familje. Në muajin mars, periudhë kur kryetar i bashkisë ka qenë Shukri Xhelili, numri total i familjeve që kanë marrë ndihmë ekonomike vetëm për zonën e Maqellarës 1075 familje. Por në muaj në vijim, e konkretisht në gusht, lista e personave me ndihmë ekonomike është shtuar me 485 familje plus, çka dëshmon për përpjekjet e Ramës për të vjedhur me çdo kusht votat e dibranëve.
Partia Demokratike ka denoncuar ditë më parë se eksponentë të mazhorancës po blejnë votat për kandidatin Muharrem Rama në Dibër. Një nga pikat e shpërndarjes së parave ishte farmacia e Nehat Ramës, vëllait të kandidatit socialist Muharrem Rama. Disa prova të tjera janë bërë dje publike nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, që tregon rastet e votimit familjar dhe pazaret që bëhen për çmimin e votës, që varion nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të vjetra. Bashkëpunëtorët e “Fiks Fare” shkuan në farmacinë e vëllait të Muharrem Ramës në Dibër, pasi kishin informacion se jepeshin lekë në këmbim të votës. Gjatë bisedës, vëllai i kandidatit Rama i kërkon qytetarit listën e votuesve që kishte me vete, ndërkohë që në ato momente, aty vjen dhe vëllai tjetër i kandidatit, Nehat Rama. Pas një bisede të shkurtër me të dhe teksa shohin listën, Nehat Rama i kërkon qytetarit që të kthehej pas 15 minutash. “Shkoni tek radiologjia këtu, ose shkoni pini ndonjë kafe ku të doni e pastaj ecni, të bëjmë një konsultë, kush do ua japë. A mirë? Dhjetë minuta a një çerek ore, mirë”, i drejtohet vëllai i kandidatit qytetarit të interesuar për para. Qytetari kthehet pas 15 minutash, ku takon sërish Nehat Ramën, i cili i cakton një takim për të nesërmen në mëngjes. “Do shkosh e takosh Ilir Venecin, mirë atje do shkojsh, do i thuash të çoj Nehati, mirë. Më çoi Nehati i thuaj. Ai të mbaron punë mirë se ai e ka atë zonë”, shprehet vëllai i Muharrem Ramës.
Në çdo zonë elektorale kur do të votohej për Bashkinë Dibër, banda ishte ndarë në grupe të mirorganizuara ku votuesve në këmbim të votës u ofroheshin para ose thasë me miell. Me fakte dhe prova të pakontestueshme, shtabi elektoral i Partisë Demokratike ka denoncuar blerjen e votave në favor të kandidatit të majtë, Muharrem Rama. Demokratët denoncuan se po shpërndaheshin para dhe miell dhe ka përpjekje për shantazh ndaj votuesve. Skema e blerjes së votës, si dhe ushtrimit të shantazhit ndaj votuesve ishte shtrirë në të gjithë zonat elektorale.
Faktet e skemës kriminale
Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi disa javësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës, por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër. Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë këta kriminelë të votës së lirë, të veshur me pushtet nga Edi Rama dhe lidhjet e tij kriminale. Konkretisht, nga të dhënat e mbledhura nga banorët e këtyre zonave, rezulton se shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave, si dhe është duke realizuar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në zonat e Sllovës dhe Kalasë së Dodës. Ky shtetas rezulton nga verifikimi dhe raportimet e banorëve të zonës, se ka marrë kontakt me qytetarë të ndryshëm të kësaj zone, duke ofruar para në këmbim të votave për kandidatin e ASHE, Muharrem Rama. Gjithashtu, ky shtetas furnizonte me mjete financiare edhe personat e mëposhtëm, që janë të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Nga ana tjetër, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal janë edhe 3 persona që mbajnë funksione publike dhe të angazhuar në veprimtarinë kriminale të kanosjes së zgjedhësve, kryesisht punonjësve të administratës publike, ku përfshihen, por pa u kufizuar, punonjësit e arsimit dhe ato të shëndetësisë. Konkretisht, ushtrimi i presionit ndaj zgjedhëve, në formën e kanosjes.
Dialogu për blerjen e votave në Dibër
Qytetari i pyet përse është paguar kaq pak, ndërsa sekseri i drejtohet duke i thënë se kaq kanë shpërndarë.
Bisedat:
Sekseri: A i more lekët? Do na e japësh votën?
Qytetari: Po, po, po pse aq pak?
Sekseri: Jam i sharë me rob shpie, për kokë të fëmijëve, aq na kanë dhënë. Edhe Rufës aq i kanë dhënë, edhe atij tjetrit aq i kanë dhënë, të gjithëve aq.
Qytetari: Po pse kshu, pse aq pak, nga 20 mijë lekë?
Sekseri: Ehh pra pyeti! Unë sa më kanë dhënë… jam i sharë…aq u kam dhënë.
Qytetari: Po shumë pak…
Sekseri: Për kokë të fëmijëve, unë po të bëj be për kokë të fëmijëve. I kanë rënë lapsit… Pse a jam në zor unë të marr lekët?
Ta q… nënën, i thanë “ta bëj gungën kur të dua”. Xhevit nuk ia dhanë lekët të shkretit, e turpëruan Xhevin. Unë i mora që të mos turpërohem me shokët, të mos i pres në besë shokët.
Qytetari: Po qenkan legena mo…
Sekseri: Thuj Lules… thuaji, edhe nja 40 mijë lekë thuaji Lules, e duhet të iki… Edhe t’i jap unë pastaj. Edhe t’i them atij unë. Po m’i dha mirë, po ashtu… Merre Dulen në telefon dhe thuaji kështu, kështu…
Qytetari: Po me këta të mitë?
Sekseri: Po mirë, hajde në makinë merri aty edhe….
Dhënia e lekëve
Qytetari: Sa ashtu janë si… Sa vota janë, sa parti janë?
Sekseri: Po ti shënoje te 1-shi.
Qytetari: Te njëshi?
Sekseri: A mirë, si shkuat? A mirë?
Qytetari: Ç’a të bëj tani?
Sekseri: Shko jepja Dules.
Qytetari: heee…
Sekseri: Jo, jam vëzhgues. Jam këtu jashtë.
Qytetari: Të shkoj t’i them edhe për ata të dy.
Sekseri: Urdhëro..?
Qytetari: Të shkoj t’í them edhe për Sinanin, për ata të dy… edhe për ata… dy vota.
Sekseri: E ke numrin e Denis Miftarit?
Qytetari: Jo.
Sekseri: Futi more lekët në çantë tani….
(Afrohet një person tjetër….)
Sekseri: O Ashim, o Ashim…
Ashimi: Po…
Sekseri: A e ke numrin e Denis Miftarit? T’ía çoj me mesazh Maksit, se i ka letrat e hapura, t’í thotë Maksi si të duash, luaje b****.
Qytetari: Në rregull. Po shife, se mos del ndonjë kafe tjetër, se t’i thyej hundët.
Sekseri: Ku të shoh more?
Qytetari: Po ti shif more…
Sekseri: Ku të shoh? Po ti në qoftë se i mban, merr more, q… nënën, ore budall. Vetëm mos bjer në sy, se thonë njerëzit e Gencit, ku shkojnë.
Qytetari: Po ç’ke more ti. Unë po e mora kafen, do bëj sikur shoqërohem me ata, por ti e di që…
Sekseri: Jo, jo, jo… se më prish punë mua, se e di që je njeri i imi ai… i kam thënë unë, kështu, kështu ka bërë shkollën, i kam thënë për punë. Beni e di, se ti duhet të bësh gjasme për punë, mos bjer në sy. Ti merr lekë, por mos bjer në sy, se dalin më thonë pastaj: O Genc, po ti a bën fushatë kundër? A dëgjon? Ti merri, por vetëm mos të të shohë Shemsiu, se të gjithë e dinë për ty.
A Shahini