Bledi KASMI
Tre palë zgjedhje të manipuluara brenda një harku kohor prej 34 muajsh janë shumë për të konstatuar se vota e lirë ka vdekur dhe sistemi politik ka pushuar së funksionuari, pasi i është mbyllur rruga rrotacionit të pushtetit përmes mekanizmit të votës.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Bashkisë së Korçës, pamjet filmike tregonin se si bliheshin votat në zyrat e PS në këtë qytet. Megjithëse opozita protestoi atëherë ndaj këtij manipulimi të provuar, kjo nuk e pengoi përfituesin e këtij manipulimi që të avanconte me skemat e tij në zgjedhjet lokale të vitit 2015.
Mekanizmit të blerjes së votave të Korçës iu shtua në vitin 2015 garimi i elementëve kriminalë për Kryetarë bashkish. Emrat u konstatuan publikisht, jo vetëm nga opozita por edhe nga ambasadori amerikan, i cili bëri thirrje publike jo vetëm që ata të hiqeshin nga listat. Rama nuk i hoqi nga listat të inkriminuarit dhe ata fituan duke instaluar një pushtet kriminal vendor përmes proceseve zgjedhore farsë.
Pas zgjedhjeve të Korçës dhe atyre lokale të vitit të kaluar, zgjedhjet për Kryetar Bashkie në Dibër nuk sollën asgjë të re. PS është shndërruar në një organizatë kriminale dhe kjo dihet. Përballë saj garon një forcë politike në kushte krejtëisht të pabarabarta. Në gara të tilla fituesi dihet, por pyetja që shtrohet sot është se si mund të mundet një organizatë kriminale, kur ligji ka rënë dhe koncepti i votës së lirë është kthyer në një relike të së shkuarës.
Pyetja që sot pret përgjigje është se si mundet një organizatë kriminale?
A mundet ajo përmes mekanizmit të votës?
A mundet ajo përmes institucioneve?
A mundet ajo përmes krijimit të forcave të ngjashme me të apo ajo duhet të mundet përmes një lëvizje të gjerë popullore?
Në kushtet krijuara, të besosh se pas këtyre tre palë zgjedhjeve nga Korça në Dibër, një organizatë kriminale mund të mundet përmes votës është paksa e guximshme dhe romantike. Ajo që u demonstrua në Dibër është prova më e qartë se si një forcë politike u rrëzua përpara një organizate kriminale.
Të pretendosh se vota do të ishte mekanizmi i duhur në këtë situatë sot në Shqipëri është njësoj sikur të besosh se Shtetet e Bashkuara e mundën Al Kaponen me votë, apo sikur Italia e mundi Cosa Nostrën me votime të lira.
Ka nga ata kritikë që sot kërkojnë të bëjnë me përgjegjësi opozitën për humbjen duke i veshur epitete të shpëlara nga një fjaloir tejet i konsumuar me fraza të tilla si “nuk krijon frymë”, “nuk ngjall shpresë” apo pallavra të tjera. Në fakt ky kontingjent nuk ka lidhje me realitetin. Të dielën në Dibër edhe sikur të kandidonte një kryeministër anglez, francez apo gjerman nuk do të kishte shanse për të fituar, sepse atje nuk kishte zgjedhje, por kishte zgjedhë.
A mund të mundet një organizatë kriminale që operon me metodat esaj në zgjedhje përmes institucioneve. Që të ndodhte kjo duhet të kishte tre institucione të forta. E para duhet të ishte policia, e dyta Prokuroria dhe e treta Gjykata. Asnjë prej tyre nuk mundet sot. Policia është nën urdhërat e organizatës kriminale. Prokuroria ka dështuar dhe është nënshtruar përballë presioneve në zgjedhjet e Korcës dhe ato lokale të vitit të kaluar dhe mbetet të shikohet se si do të veprojë në rastin e Dibrës përballë edhe provave që po dalin përditë në media. Ndërsa hallka e tretë ajo e gjykatave, po ashtu ka dështuar deri më sot e gjendur nën kërcënimet e organizatës në pushtet.
Përgjigja tjetër ndaj një organizate kriminale me metodat e saj nga një forcë tjetër do të ishte me kosto mjaft të lartë për vendin dhe në asnjë rast nuk do të prodhonte një demokraci funkionuese.
E vetmja mënyrë që mund të mundet në organizatë kriminale në kushtet e krijuara është ajo përmes një lëvizje të gjerë popullore. Kjo kërkon një ndërgjegjësim të shoqërisë. Atë nuk mund ta bëjë një individ i vetëm dhe as një forcë politike vetme. Ajo kërkon një aleancë të gjerë qytetare që sikurse po dëshmohet nga reagimi në të gjtha mediat dhe rrjetet sociale pas farsës së votime në Dibër është e gatshme që të marrë përgjegjësitë.