Sulmet ndaj Bashës, skenar i Ramës

Enver Bytyçi

Teatri u prish. Kalaja e betejës së fundit midis opozitës dhe diktaturës ra. Tashmë kemi një shtet të një diktature pa rregulla, pa ligje, pa kushtetutë, pa gjykata, pa institucione. Një diktaturë siu generis, model i shpikur vetëm në Shqipërinë eksperimentale.

Me këtë rast shoh se shumë “të revoltuar” rinisën sulmet ndaj opozitës, saktësisht ndaj kryetarit të saj, Lulzim Basha. Edhe pse ai ka pranuar se më 17 maj 2017 ishte mashtruar prej Edi Ramës dhe kishtë bërë betimin se për së dyti nuk do të mashtrohej, shumica prej “të revoltuarve” ia përmendin paktin e asaj nate. E vetmja armë që u ka mbet për të fajësuar jo Edi Ramën, por Lulzim Bashën për prishjen e teatrit dhe për shtetin e diktaturës anarkike në Shqipëri.

E sulmojnë Lulzim Bashën ata që përtuan një natë të vetme të qëndrojnë te teatri. Ata që prej tri vitesh me ose pa vetëdije vazhdojnë të bëjnë lojën e Edi Ramës. Sulmi ndaj Lulzim Bashës është pa asnjë mëdyshje shi në trustin e lulelakrës të kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë. Eshtë e drejtë e secilit ta dojë ose mos ta dojë Lulzim Bashën. Eshtë e moralshme gjithashtu ta kritikosh atë. Por askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë kreut të opozitës të marrë armët për të luftuar kundër diktaturës. E drejta dhe detyra e secilit është që ta mbështesin opozitën, para së gjithash me votën e lirë, por edhe duke iu bashkuar aksioneve politike.

Po të ishim të gjithë te teatri, po të ishin dhe ata që sapo lajnë sytë mendjen e kanë si ta denigrojnë opozitën, diktatori nuk do guxonte të çonte sot fadromat aty. Ai e prishi teatrin, sepse artistët u lanë vetëm. Teatri u prish, sepse secili sheh bythën e vet dhe nuk ia ndjen se çfarë ndodh në këtë vend. Kur qytetarëve të këtij vendi, të dashuruar me diktaturën dhe diktatorët e çdo kohe, nuk u bën përshtypje dhuna policore, pse duhet që Lulzim Basha të vetmohohet për këtë popull të shkulur nga rrënjët?!

Këta që sulmojnë Lulzim Bashën hiqen si heronj. Në fakt shumica pre tyre janë frikacë ose nuk duan të sakrifikojnë as sa për një gjobë 10 mijë lekëshe për t’i dalë zot vetes. Ndërkohë marrin një qiri në dorë dhe kërkojnë në skuta fajtorin e jashtëm, atë që u vjen më për shtat. U është prish terezia ndonjëherë nga Lulzim Basha dhe o burra sulm kundër tij. Kjo është e pandershme! Eshtë hipokrizi. Së paku kreu i opozitës ishte në krye të detyrës. Por mos kërko prej tij të sakrifikohet për ty. Ai ka detyrë të mbështesë kauzat, por jo të shkojë drejt bajonetës. Ai ka detyrë të bëhet alternativë, por jo të dalë në mal!

Edhe në vitin 1997 nuk pati guxuar opozita e atëhershme që të deklarohej hapur në krye të kryengritjes së armatosur. Ua la këtë mision komiteteve antishqiptare të shpëtimit. Ne nga një anë nuk jemi të zotë të ngremë komitete kombëtare të shpëtimit dhe nga ana tjetër themi pse nuk na e bën këtë Lulzim Basha. Opozita e ka të shpallur programin e vet politik. Kryengritja e armatosur nuk parashikohet në këtë program. Kush dëshiron të çlirohet nga diktatura dhe nuk i pëlqen opozita le të gjejë rrugë e mjete të tjera joopozitare, d.m.th të dhunshme për ta rrëzuar regjimin diktatorial në Shqipëri. Mos kurseni sulmet kundër diktaturës dhe kurseni ju lutëm sulmet ndaj një opozite demokratike.

Kur duket qartë se shqiptarët pranojnë diktaturën dhe nuk pranojnë dhunën për largimin e saj, çdo opozitë në çdo vend të botës thjesht do të përshtatej si opozitë demokratike në diktaturë. Kush është kundër, në vend të sulmojë Lul Bashën, le të krijojë repartet e luftës!

Artikulli paraprakRevolta e shkrimtares: Natën si hienat, motiv i pamjaftueshëm për të zgjuar ‘delet’ nga gjumi!
Artikulli tjetërPolicia dhunon ish-deputeten Albana Vokshi