Gjimshiti, lideri i ri i mbrojtjes së Avellinos

Berat Gjimshiti është kolona e re mbrojtëse e Avellinos në Serinë B të futbollit italian. Mbrojtësi shqipar me centimetrat dhe sigurinë që ofron me lojën e tij, konsiderohet një afrim i goditur i minutës së fundit, edhe pse në formë huazimi nga Atalanta. 23-vjeçari, titullar në kombëtaren shqiptare në eliminatoren e parë të “Rusi 2018” ndaj Maqedonisë në “Loro Boriçi” që në debutim në radhët e Avellinos kundër Trapanit, tregoi se ishte përshtatur më së miri në prapavijën e bardhejeshilëve, edhe pse kishte zhvilluar vetëm disa seanca stërvitore me skuadrën e tij të re. I kujdesshëm, i sigurtë për cilësitë që zotëron, Gjimshiti ka hedhur menjëherë kandidaturen për liderin e mbrojtjes.
Kjo është analiza që i bëjnë mediat lokale lojës së futbollistit shqiptar, i cili la Atlanatën për të luajtur në vazhdimësi, çka do t’i japë mundësinë për të qenë protagonist edhe me kombëtaren kuqezi. Në përfundim të sfidës me Trapanin, Gjimshiti u shpreh qartë se tek Avellino kishte shkuar me këshillën e Tramezzanit, ndihmësit të De Biasit. Zgjedhja e tij për të luajtur në Serinë A ka qëllim të dyfishtë: të bindë drejtuesit e Atalantës që ta rikthejnë në Serinë A, por edhe De Biasin, që po i jep sërish besim pas lënies jashtë listës në Euro 2016.
Objektivi i Gjimshitit me Shqipërinë është të bëjë surprizën në eliminatoret e Botërorit në një grup ku ndodhet Spanja dhe Italia. Pas fitores me Maqedoninë, kuqezinjtë do të përballen me 6 tetor me Lihtenshteinin, ndërsa tri ditë më pas me Spanjën në “Loro Boriçi”. Avellino duhet të bëjë pa shtatlartin kuqezi në transfertën me Perugian më 9 tetor, por edhe në Modena më 13 nëntor, pasi 23-vjeçari do të jetë i grumbulluar me Shqipërinë për ndeshjen me Izraelin. Më 24 mars e pret një derbi personal me Italinë. Do të jetë një sezon mjaft impenjativ për Berat Gjimshitin, i cili nuk do të jetë nën urdhërat e trajnerit të Avellinos Toscano në disa ndeshje, për t’iu përgjigjur thirrjes së De Biasit.

Artikulli paraprakBorxhi i jashtëm bruto rritet në 7.88 miliardë euro
Artikulli tjetërPSG ofertë të çmendur për Neymar, 40 milionë në vit dhe rrjet hotelerie