Një çmenduri financiare, Paris Saint Germain ishte gati ta mbulonte në ar brazilianin Neymar, nëse ky i fundit do të kishte pranuar ofertën e kampionëve të Francës për t’u transferuar në “Parc Des Princes” gjatë merkatos së verës. Menaxheri i futbollistit Wagner Ribeiro në një intervistë ka zbuluar detaje të tjera rreth ofertës së klubit parizien për klientin e tij. Përveç 40 milionë eurove neto në sezon për të bindur Neymar të largohej nga Barcelona me destinacion të ri kryeqytetin francez, drejtuesit e Paris Saint Germain i vendosën 24-vjeçarit në pjatë, një rrjet hotelesh në rang global plus një avion privat me të cilin Neymar mund të udhëtonte sa herë të dëshironte drejt Brazilit.
Bisedimet mes Neymar dhe Paris Saint Germain kishin baza reale dhe për të konfirmuar diçka të tillë ka menduar vetë menaxheri i lojtarit Wagner Ribeiro, i cili ka zbuluar se takimi i parë mes palëve ka ndodhur gjatë verës në Ibiza në një restorant në pronësi të presidentit të klubit parizien Naser Al-Khelaiffi. Një muaj më pas, ka patur një takim tjetër në Sao Paolo, ku këtë herë ishte i pranishëm edhe vetë presidenti Naser Al-Khelaiffi, por pas shumë bisedimeve, Neymar vendosi të refuzonte ofertën e Paris Saint Germain, duke qëndruar te Barcelona.