Në sfond është Juventusi, por për momentin trajneri i Interit, Frank De Boer mendon vetëm për ndeshjen e radhës. Mbrëmjen e kësaj të enjteje zikaltërit do të bëjnë debutimin e tyre në fazën e grupeve të Europa League, pasi do të presin në “San Siro” skuadrën izraelite të Happoel Ber Shevas. Për Interin është shumë e rëndësishme ta nisë me një fitore këtë kompeticion. De Boer nuk e fsheh diçka të tillë, por në të njëjtën kohë nuk i nënvlerëson aspak rivalët edhe pse janë një skuadër e panjohur në arenën europiane.
“Jemi Interi dhe duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Për t’i dhënë vazhdimësi suksesit ndaj Pescarës duhet ta nisëm me një fitore rrugën tonë në Europa League, kjo është shumë e rëndësishme. Hapoel Beer Sheva? Ne respektojmë çdo skuadër edhe pse ata nuk luajnë në një kampionat, të cilin e ndjekim çdo fundjavë. Kanë eliminuar Olympiacosin dhe kanë vendosur në vështirësi Celtic-un në Champions, kështu që duhet t’i marim seriozisht. Juventusi? Mediat le të flasin për këtë sfidë, por ne e dimë që më e rëndësishmja është gjithmonë ndeshja e radhës”, u shpreh De Boer.
Te Interi pritet të ketë disa ndryshime në formacion në sfidën ndaj skuadrës izraelite edhe pse i pyetur për këtë temë, De Boer nuk zbuloi pothuajse asgjë. Për holandezin, objektivi i Interit është të grumbullojë pikë të plota në ndeshjet që do të luajë në shtëpi në Europa League. Në konferencën për shtyp sëbashku me trajnerin holandez ishte i pranishëm edhe kapiteni i Interit Mauro Icardi.
Heroi i fitores së Interit ndaj Pescarës, theksoi se këtë sezon dëshiron të fitojë një trofe me skuadrën zikaltër dhe Europa League është një kompeticion, të cilin Interi mund ta fitojë. Edhe pse në Serinë A ka shënuar një gol më shumë se Ronaldo, fenomeni me fanellën e Interit, Icardi i evitoi krahasimet me të, duke e cilësuar brazilianin si një nga sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit.
Në derbin e Italisë javën e ardhshme, skuadra zikaltër do të prezantohet me një fitore morali pas një 90 minutëshi të luftuar kundër një skuadre të kalueshme në letër edhe pse në fund arriti të triumfonte 2-1.