Ngritja e Sistemit Qendror për monitorimin on line të lojrave të fatit në vend do t’i besohet një operatori privat. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit on line (SQMO) dhe të autoritetit përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”. Sipas vendimit në fjalë, operatori, që ndërton këtë sistem, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Operatori ka si detyrim të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line. Ndërkaq vendimi citon se Ministria e Financave është autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë sistemin, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Po ashtu, Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit. Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike. Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.
Kryesore
Continue to the categoryNga dalin milionat e sondazheve luksoze për të shpallur fitoren e...
Nuk ka vend në Ballkan që të sjellë para zgjedhjeve kompanitë më të shtrenjta të globit për sondazhe politike. Kroacia, Serbia, Kosova, Mali i...