Mungon transporti, nxënësit bojkotojnë mësimin në Valare

Prindër dhe nxënës të fshatit Valare të Gjirokastrës, kanë bojkotuar procesin mësimor për shkak se u është hequr transporti. Ata nuk do të shkojnë në shkollë deri në momentin që Bashkia e qytetit do të mundësojë transportin e fëmijëve në shkollën që ndodhet në pikën më të afërt 3 km larg Valaresë. Prindërit thonë se, nuk kanë mundësi të shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë, ndërkohë që kalimi në rrugën automobilistike është i rrezikshëm për shkak të qarkullimit të dendur të kësaj rruge. Shkolla 9-vjeçare “Petro Poga” që ndodhet në fshatin Valare, fshati më i madh i njësisë administrative të Lunxhërisë ka 150 nxënës të ciklit parashkollor deri në klasën e 9-të, 80 prej të cilëve cënohen nga mungesa e transportit që rrezikon mosarsimimin e tyre.
Po ashtu, banorët e fshatit Kallm i Vogël, dje kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare e kanë kanë bojkotuar përsëri mësimin dhe shkaku është rruga e prishur. Prindërit, por edhe fëmijët ankohen se në rrugën që të çon për në shkollë, makinat nuk kalojnë. Rruga është me gropa, ndërsa prindërit ankohen se fëmijëve i lagen këmbët dhe si pasojë detyrohen që disa orë të bëjnë mësim me këmbë të lagura. Banorët paralajmërojnë se protesta e tyre nuk ka afat, ajo do të vazhdojë derisa shqetësimi i tyre të gjejë zgjidhje.

Artikulli paraprakS’ka mjek, një tjetër grua shtatzënë rrezikon jetën në Spitalin e Burrelit
Artikulli tjetërDoshi kundër Mark Frrokut në gjykatë