Besnik Hasi: Humbja ndaj Dortmundit, katastrofë!

Rikthimi i Legias së Varshavës në fazën e grupeve të UEFA Champions League duhej të ishte një festë për skuadrën polake dhe tifozët e saj, por në fund të 90 minutëshit ka rezultuar një mankth i vërtetë. Humbja 6-0 ndaj Borussias së Dortmundit ka shokuar edhe trajnerin shqiptar të kampionëve të Polonisë, Besnik Hasi. Ai e cilësoi këtë takim një katastrofë pasi vendasit e panë veten në disavantazhin e tri golave brenda 17 minutave të para.
“Pas minutave të para mendoj se ndeshja përfundoi dhe aty nuk kishte më histori. Është një moment vërtet frustrues për mua dhe lojtarët. Nuk kam fjalë, mund të them vetëm që është një katastrofë. U përpoqëm të luftonim për të mos pësuar më shumë gola në pjesën e dytë, por nuk arritëm ta menaxhonim situatën. Mbrojtëm në mënyrën më të keqe të mundshme”, u shpreh Hasi.
Në vijim, Hasi vuri theksin te mungesa e disa prej titullarëve për shkak dëmtimi, duke nënvizuar se ky fakt krijoi një situatë aspak pozitive në ekipin që drejton. “Nuk kam shumë alternativa për të ndërtuar ekipin që dëshiroj. Lejuam disa gola që mund të ishin evituar. Borussia është një ekip që nuk të toleron në të tilla situata dhe kështu ndodhi”, përfundoi Hasi.
Ky është viti i parë i Besnik Hasit në pankinën e Legias së Varshavës dhe emërimi i tij në stolin e skuadrës polake riktheu edhe ekipin pas shumë vitesh në fazën e grupeve të Champions League.

Artikulli paraprakReduktohet me 2 vjet kontrata e Simeones
Artikulli tjetërFitore me vuajtje