Dëshmia e pilotit: Erdha të testoj pistën dhe të marr ngarkesën e drogës

Piloti italian Guido Andrea Guidi ka pranuar përpara policisë se ka ardhur në Shqipëri për të testuar pistën e improvizuar në Ishëm, me qëllim që të ngarkonte herën tjetër drogë dhe më pas ta transportonte në Itali. Bëhet e ditur se piloti italian është marrë disa herë në pyetje nga policia e Durrësit dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore. Sipas të njëjtave burime Guido Andrea Guidi ka deklaruar se do të rikthehej sërish në Shqipëri për të transportuar drogë. Pavarësisht faktit se në avion nuk u gjet lëndë narkotike, Prokuroria është përqendruar në një hetim lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Nga ana e tij, fillimisht, piloti 69-vjeçar ka mohuar kategorikisht të ketë lidhje me trafik droge. Por gazetari Artan Hoxha deklaroi në studion e emisionit “Opinion” se, sipas burimeve të tij plani i pilotit Guido Andrea Guidi, ishte që të provonte pistën dhe më pas të transportonte 200 kg drogë. “Nuk e vë në dyshim që ky avion ka ardhur për të tentuar të transportojë një ngarkesë lënde narkotike. Është një formë transporti e njohur. Grupet e fuqizuara kriminale i kanë potencialet për ta bërë këtë gjë. Gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë”, deklaroi Hoxha. Ndërkohë, sipas dëshmisë së dhënë për prokurorët e Krimeve të Rënda, piloti italian ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës.  “U nisa në mëngjes nga Bari dhe do të udhëtoja për në veriun e Italisë. Meqë koha ishte e mirë, atëherë vendosa të bëj një shëtitje mbi hapësirën ajrore shqiptare. Nuk i lajmërova autoritetet ajrore, pasi ishte një fluturim për turizëm. Kur ndodhesha afërsisht 5 mijë këmbë lartësi avioni pësoi defekt dhe po shihja mundësinë të ulesha. Nga lart dallova hapësirën që m’u duk e përshtatshme për të bërë uljen. Në momentin që preka tokën, rrota e avionit u këput dhe mjeti u përplas”, deklaroi piloti 69-vjeçar. Prokurorët e Krimeve të Rënda, konstatuan në vendin ku ra avioni, një pistë me gjatësi 1.5 deri në 2 kilometra, e cila rezulton të jetë punuar dhe sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë ditët e fundit. Kjo bën që dyshimet e prokurorëve, për një rrjet trafiku droge të shtohen ndjeshëm. Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Godull në orën 08:45, në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet. Por gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshkitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre, pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm.

Mediat italiane: Guidi dyshime për lidhje të klaneve të drogës dhe armëve

Rrëzimi i avioni të vogël që drejtohej nga 69-vjeçari Guido Guidi është pasqyruar edhe në mediat italiane. “Repubblica” dhe “Corriere” kanë publikuar këtë lajm që flet për avionin e vogël italian, që u rrëzua në Ishëm të Durrësit dhe që dyshohet se do të përdorej për trafik ndërkombëtar droge. Piloti italian ka qenë i dënuar në vitin 2006 në Itali për korrupsion. Ky fakt konfirmohet edhe nga mediat italiane, të cilat sqarojnë se 69-vjeçari tentoi të korruptonte prokurorin për një aksident ajror ku ishte përfshirë. Sipas së përditshmes italiane “La Repubblica” piloti italian Guido Andrea Guidi dyshohet se ka lidhje me klanet kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, me trafikimin e tyre me avionë përmes pistave sekrete në provincat e Barit e Brindizit. “La Repubblica” shkruan se një avion i vogël me një pilot në bord u rrëzua në Shqipëri, pas uljes së detyruar një fushë shumë larg zonave të banuara, në një vendpushim në Ishëm që ndodhet pak më shumë se 30 km nga Tirana. Gazeta përshkruan se avioni është dëmtuar në krah, ndërsa piloti Guidi ka deklaruar se ka qenë i detyruar të bëjë ulje emergjente për shkak të një defekte. Autoritetet shqiptare, shkruan gazeta dyshonin se avioni ishte i përfshirë në trafikun e drogës edhe pse policia tha se nuk ka gjurmë të ngarkesave me drogë. Gazeta vijon më tej duke shkruar se për pilotin nuk ka asnjë masë mbrojtëse, por i është nënshtruar marrjes në pyetje nga hetuesit. Piloti italian shkruan “La Repubblica” është arrestuar në Itali në vitin 2006 për një aksident të ndodhur në 2003. Autoritetet shqiptare të aviacionit thanë se avioni nuk kishte leje për të fluturuar në hapësirën ajrore të Shqipërisë. Një avion i vogël tip “Piper” i cili ishte nisur nga Bari i Italisë është rrëzuar mëngjesin e 15 shtatorit 2016, në Ishëm të Durrësit. I pari që e dha lajmin ishte deputeti i PD-së, Flamur Noka në seancën e Kuvendit. Për deputetin demokrat avioni i vogël që ishte rrëzuar në Durrës ishte i ngarkuar me hashash. Më pas erdhën reagimet e njëpasnjëshme. Policia deklaroi  pranoi se avioni i vogël ishte rrezuar rreth orës 08: 45 minuta (15 shtator) por u mundua të fshehë arsyet e vërteta të ngjarjes ndërsa tha se avioni i drejtuar nga  piloti italian 69 vjeçar, Guido Andrea Guidi  ishte turistik  ishte nisur nga  Bari me destinacion veriun e Italisë. Në lartësinë 4- 5 mijë këmbë kishte pësuar defektin që e kishte detyruar të ulet. Ndërkohë Aviacioni Civil deklaron se avioni nuk kishte leje fluturimi në territorin shqiptar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për trafik droge.

Artikulli paraprakAvioni u porosit nga karteli i Bushit në Krujë
Artikulli tjetërRama, fund fatal si i karteleve të drogës