Avionë e pistë për trafikun e drogës

Një avion italian për transport droge është zbuluar dje në grykëderdhjen e Ishmit në Durrës. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga deputeti i PD, Flamur Noka në Kuvend. Noka deklaroi në Kuvend se, një avion me hashash ka rënë në Durrës. Duke e marrë fjalën jashtë radhe, Noka tha se, ndonëse kryeministri Rama e mohon faktin se, në Shqipëri kultivohet kanabis në mbarë vendin, faktet flasin ndryshe. “Javën e kaluar Rama tha se, nuk ka drogë e hashash në Shqipëri, e mohon vazhdimisht. Por shkoni kontrolloni, se vetëm para dy minutash është rrëzuar një avion me hashash në Durrës. Një tjetër mushkonjë me drogë ra në Ishëm. Qielli shqiptar në vend që të mbushej me avionë të transportit të qytetarëve, është mbushur me mushkonja hashashi”, tha Noka.
Pas deklaratave të deputetit Noka, policia konfirmosi se një avion i vogël është gjetur në grykëderdhjen e Ishmit. Në njoftimin e policisë thuhej se avioni drejtohej nga piloti italian Guido Guidi, 69 vjeç i cili kishte ardhur për turizëm. Policia deklaroi se avioni italian është ulur në Ishëm në orën 08:45 dhe gjatë kontrollit në të nuk është gjetur drogë.

Piloti po kërkonte pistën për t’u ulur

Sipas policisë, piloti është marrë në pyetje nga forcat policore dhe ka deklaruar se është detyruar të ulet për arsye teknike, një defekt. Por dëshmitarët okularë kanë raportuar se e kanë parë avionin që ka ardhur rreth e rrotull zonës së tyre, dhe është ulur në grykëderdhjen e lumit Ishëm. Ata thonë se, piloti po kërkontë pistën për t’u ulur pasi ka bërë disa fluturime në ajër, duke kontrolluar zonën për t’u ulur.
Një tjetër dëshmitar që kishte dalë për të peshkuar në lumin e Ishmit, ka hedhur poshtë deklaratat e policisë në lidhje me orën e uljes së avionit, duke shprehur se avioni është ulur shumë më herët se orari që thotë policia. “Pamë një avion të vogël, seç po kërkonte, sikur ai po bënte xhiro po kërkonte që të ulej. Avioni është ulur pak larg nga lumi Ishëm ku ne ishim duke peshkuar. Avioni dukej se kërkonte që të ulej me detyrim në atë zonën aty, sepse pak më larg ndodheshin fushat ku mund të ulesh shumë rehat pa problem. Ajo është një zonë e izoluar, ku makinat nuk shkojnë shumë kollaj. Avioni nuk erdhi tek kodrat, por erdhi në fushat tek këneta. Në anë të Kepit të Rodonit ka njerëz, ndërsa zona ku është ulur avioni nuk ka njerëz”, ka thënë dëshmitari në një lidhje për News 24.
Ndërkohë, banorë të Ishmit thonë se rreth e rrotull zonës ka parcela me hashash. Pista ku është ulur avioni është përshtatur për ulje dhe ngritje avionësh. Shkon nga 1.5 deri në 2 kilometër. Është një pistë që është sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë. Banorët e zonës thonë se përgatitja e pistës është bërë gjatë ditëve të fundit. Ka banorë që thonë se persona të armatosur nuk i lejonin të hynin në atë zonë.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se, piloti 69-vjeçar është dërguar në Spitalin e Durrësit, po drejtuesit e spitalit deklaruan se nuk është paraqitur asnjë shtetas italian në spital. Spitali i Durrësit mohoi që në këtë spital të ketë ardhur për ndihmë mjekësore, piloti italian 69-vjeçar Guido Andrea Guidi, që u rrëzua me avionin e tij Piper në Ishëm të Durrësit. Deklarata kontradiktore ka ardhur pas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme në orën 12:54 ku thuhej se, “piloti po dërgohet në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime”.

Avioni ra pasi ishte i ngarkuar me drogë

Hetimet zbardhin të tjera detaje për avionin e drogës. Sipas këtyre hetimeve, mësohet se avioni i drogës ka rënë në momentin që ka filluar ngjitjen për t’u kthyer në Itali. Supozohet që të ketë qenë i ngarkuar me bimë narkotike, kanabis sativa. Në pistën e zbuluar sot duken qartë gjurmët e rrethit që ka bërë avioni për të tentuar marrjen më pas të ngjitjes për t’u larguar.
Një dyshim të tillë e përforcon edhe drejtimi i avionit, me “hundë” nga deti, e thënë ndryshe me drejtim nga Italia. Po ashtu, avioni ka rënë në fund të pistës, pasi kishte përshkuar më parë një gjatësi të konsiderueshme të saj, në tentativë për t’u ngritur.
Avioni ka rënë në mëngjes, rreth orës 08:45, ndërsa policia e ka mbajtur fshehur derisa u bë publike në Parlament nga deputeti Flamur Noka. Gjatë kësaj kohe, policia me vonesën në mbërritjen në vendin e ngjarjes, ka favorizuar mjaftueshëm në kohë trafikantët e dyshuar për të pastruar gjurmët e ngarkesës që dyshohet të jetë transportuar e larguar, sikurse ishte sjellë, me skaf.

Pistë 2 km e gjatë në vendin ku u ul avioni

Në vendin ku u ul avioni italian është ndërtuar një pistë e gjatë 1,5 deri 2 km. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, ky vend është përshtatur si pistë vetëm 10 ditë më parë në fshatin Godull të Ishmit. Në njërën anë të saj, është lumi Ishëm. Kjo pistë u zbulua pikërisht nga rrëzimi i avionit, i cili po drejtohej nga piloti italian Guido Guidi, 69 vjeç. Pista ndodhet në grykëderdhjen e lumit Ishëm në fshatin Godull, kufiri mes Durrësit dhe Fushë-Krujës. Hetuesit në vendin e ngjarjes thanë se kanë dyshime që do të shërbente për uljen e avionëve të përmasave të këtij avioni. Dhe që ndoshta do të shërbenin për t’u ngarkuar me kanabis sativa.
Në dëshminë e tij piloti tha se, pa nga lart një arë të punuar, dhe për shkak të defektit u ul aty. Bëhet fjalë pikërisht për këtë arë me përmasa të tilla, e cila ishte bërë gati për ulje avionësh. Dëshmitarët thanë se kanë parë edhe në raste të tjera ulje avionësh të vegjël në këtë pistë.
Dëshmia e pilotit nuk ka qenë bindëse për hetuesit. Ata ngritën dyshime se piloti italian është ulur për të testuar pistën e sapo ndërtuar, ose për të marrë ngarkesën me drogë nga ky vend. Prokurorët konstatuan në vendngjarje një pistë me gjatësi 1.5 deri në 2 kilometra, e cila rezulton të jetë punuar dhe sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë ditët e fundit. Kjo bën që dyshimet e prokurorëve, për një rrjet trafiku drogë të shtohen ndjeshëm.
Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Godull në orën 08.45. Në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet. Por gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshqitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre, pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm.
Ndaj për të ndërtuar edhe një herë skenën e rrëzimit, hetuesit e ridërguan pilotin në vendin e aksidentit. Guido Guidi ka shpjeguar të gjithë mekanizmin e lëvizjeve nga ulja deri në përplasjen e avionit me disa pemë. Policia rrethoi zonën në një perimetër sigurie prej afro 1 km me qëllim gjetjen e gjurmëve apo shenjave të tjera dalluese.
Për të vërtetuar dëshminë e pilotit, dhe për të zbardhur detaje mbi ndërtimin e pistës, policia ka shoqëruar disa banorë të zonës së Ishmit. Qëllimi mbetet mbledhja e informacionit, por edhe zbulimi i pronarit të tokës, roli që ky i fundit kishte dhe qëllimi i ndërtimit të një terreni të përshtatshëm për ulje avionësh.

“Avioni”, Prokuroria: Po hetojmë për trafik droge

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për trafik droge ndaj pilotit italian Guido Andra Guidi 69 vjeç, i cili uli avionin në fushën e fshatit Godull të Njësisë Administrative të Ishmit në Durrës. Bëhet e ditur se drejt vendit të ngjarjes ka shkuar prokurori Përparim Kulluri i shoqëruar nga dy oficerë të Policisë Gjyqësore, për të kryer veprimet e para hetimore në vendin e uljes së avionit.
Mësohet se vendi ku është ulur avioni rezulton rreth 1500 metra e gjatë, ku janë hedhur dyshime se është tokë e shkelur me rul, e bërë enkas për ulje avionësh. Nga ana tjetër, ekspertët në vendin e ngjarjes mësohet se kanë konstatuar gjurmë të freskëta makine dhe zetori, çka kanë hedhur dyshime se avioni mund të jetë ulur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike.
Kjo për faktin se, zona ku është ulur avioni, rezulton një zonë e dyshimtë për ulje avionësh, informacion ky i dhënë edhe nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se piloti i avionit është kontaktuar nga rrjeti i fuqishëm i trafikut të drogës në zonën e Malësisë së Krujës. Për këto dyshime, dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë për Krime të Rënda.
Burimet thonë se piloti italian ka dorëzuar vetëm një aparat celular, por që po kërkohet në vendin e uljes për ndonjë aparat tjetër telefonik, pasi dyshohet se ai mund ta ketë hedhur. Nga ana tjetër, zyrtarisht nga Drejtoria e Aviacionit Civil, mësohet se piloti italian gjatë fluturimit nuk është pikasur nga radarët sekondarë të Aeroportit të Rinasit.
Kjo pasi dyshohet se ai mund të ketë fikur transponderin, pajisjen që diktohet nga radarët në fluturim. Gjithashtu, këto burime thonë se nuk ka asnjë leje për fluturim brenda territorit shqiptar, çka shton dyshimet se avioni ka ardhur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike.
Dyshohet se edhe komunikimi në momentin e rrëzimit, piloti i avionit nuk ka pasur me kullën e vrojtimit në Aeroportin e Rinasit. I pyetur për këtë fakt, piloti italian është justifikuar me faktin se nuk ka pasur mundësi komunikimi, pasi problemet e motorit i kanë shkaktuar edhe ndërprerje të elektronikës së avionit.
Nga këqyrja e deritanishme në vendin e rrëzimit të mjetit fluturues janë gjetur disa gjurmë zetori. Për më tepër, dyshohet se ka patur të fikur transporderin dhe ishte i pamundur identifikimi i tij në hapësirën tonë ajrore. Prokurorët dyshojnë se ky është një rast i ngjashëm me atë të pilotit italian Xhorxho Riformato. Më 9 maj të vitit 2014, avioni që ai po pilotonte ra në plazhin e Divjakës. Hetimet zbuluan se ai do të transportonte rreth 400 kilogramë kanabis.

R.POLISI

Artikulli paraprakPiloti italin tregon emrat, Tahiri bashkëpunoi me trafikantët
Artikulli tjetërFaqja e pare