La Liga rinis sezonin e futbollit, Presidenti cakton datën

La Liga e ka ndjekur hapin e Premierligës dhe Serisë A, duke e konfirmuar se sezoni 2019/20 do të rinisë më 11 qershor, përderisa planifikohet që kampionati të përmbyllet më 12 korrik.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka konfirmuar të mërkurën se kampionati elitar i futbollit në Spanjë do të rinisë më 11 qershor, pasi ishte ndërprerë në mars shkaku i koronavirusit.

Tebas gjithashtu ka bërë të ditur se gushti është rezervuar për ndeshjet e Ligës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve, ndërsa më 12 shtator planifikohet të nisë sezoni 2020/21 i La Ligës, duke u lënë kështu shumë pak kohë për pushim lojtarëve.

Sezoni aktual pritet të rinisë me derbin mes Real Betisit dhe Sevillas, që do të luhet prapa dyerve të mbyllura, njëjtë si ndeshjet e tjera të këtij sezoni.

Tebas shtoi se liga po tenton të gjejë zgjidhjen më të mirë për transmetimin e këtyre ndeshjeve, në mënyrë që tifozët të mos e kenë problem t’i ndjekin ndeshjet e mbetura.

Pasi që Bundesliga veçse ka nisur, ndërsa Serie A dhe Premierliga gjithashtu i kanë konfirmuar planet për rinisje gjatë muajit qershor, Ligue 1 mbetet liga e vetme e madhe evropiane që vendosi ta anulojë sezonin aktual.

Artikulli paraprakBabëzia e qeveritarëve po cënon çdo ditë shëndetin dhe jetën e bluzave të bardha
Artikulli tjetërGreqia hap kufijtë për pushimet verore