Jose Murinjo e nisi me humbje rikthimin e tij në kompeticionin e Europa League pas 13 vjetësh me Manchester United që u mposht 1-0 nga Feyenoord në “De Kuip”. Trajneri i “Djajve të kuq” pas përfundimit të sfidës nga salla e konferencave bëri të ditur se pavarësisht ndryshimeve në formacion kishte hedhur në fushë një ekip të mirë. “Është e vërtetë që ndryshova tetë lojtarë nga ndeshja e kampionatit, por besoj se ata që zgjodha ishin në gjendje ta fitonin këtë ndeshje. Në pjesën e dytë ata iu përgjigjën thirrjeve të mia për të ndryshuar ritmin dhe më erdhi keq që humbëm këtë ndeshje në momentin tonë më të mirë”, u shpreh Murinjo. Gjithsesi Murinjo shtoi se do të përpiqet që kjo humbje të mos rëndojë te formacioni i tij: “Kur humb ndeshje askush nuk është i lumtur, sidomos lojtarët dhe unë jam këtu për të mos lejuar që kjo ndeshje të ketë një efekt negativ mbi ne, pasi katër ditë më parë humbëm dhe në derbi. Kanë qenë dy ndeshje ku nuk meritonim të humbisnim, por tani duhet të pranojmë faktin që nuk morëm asnjë pikë”. Ndeshja e radhës për Manchester United në Premier League do të jetë ndaj Watford, të dielën në orën 13:00.
Gola, emocione, spektakël dhe rezultate surprizë në 12 ndeshjet e para të fazës së grupeve në Europa League. Humbje që në start për Manchester United, skuadrën më të kuotuar për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Në De Kuip në Rotterdam një gol i mesfushorit Tony Vilhena 11 minuta përpara fundit i dha fitoren 1-0, Feynoord-it përballë “Djajve të Kuq” me skuadrën e Giovanni van Bronkhorst që vijon kështu momentin pozitiv edhe në Europë duke marrë tre pikët e para në Grupin A. Në sfidën tjetër të këtij grupi një gol në fund i Simon Kjaer i dha një pikë Fenerbahçes përballë ukrainasve të Zoryas.
Në Grupin B, Olympiakos mori një fitore të rëndësishme në transfertën e Bernës përballë Young Boys falë një goli të realizuar nga Esteban Cambiasso në minutën e 42-të. Me përmbysje mori tre pikët e para në këtë grup edhe Apoel Nikosia që në Qipro mposhti 2-1 kazakët e Astanës me golat e Oliveiras dhe De Camargos. Në Grupin C, Anderlecht nuk zhgënjeu. Në Bruksel skuadra belge u imponua me shifrat 3-1 përballë azerëve të Qabalas. Barazim 1-1 në ndeshjen tjetër të këtij grupi mes gjermanëve të Mainz dhe francezëve të St Ettiene. Ndeshja më emocionuese e ditës ishte e Grupit D, e zhvilluar në Netanya mes Maccabbit të Tel Avivit dhe Zenitit të Shën Peterburgut. Fitore e çmendur e skuadrës ruse që përmbysi një disavantazh prej 3 golash duke triumfuar në fund 3-4 falë finalizimit të Djordevic.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi surprizoi Dundalk me skuadrën irlandeze që barazoi 1-1 në Holandë përballë Azetta Alkmaar. Me Ergys Kaçen në fushë që nga minuta e parë Viktoria Plzen mori një pikë të vlefshme ndaj Romës duke barazuar 1-1. Goli i Perottit nga pika e bardhë nuk i mjaftoi skuadrës së Spalettit sepse shumë shpejt Bakos barazoi rezultatin për vendasit me Romën që pësoi gol në sfidat europiane për herë të 32-të në 33 ndeshjet e fundit. Në sfidën tjetër të Grupit E, Austria e Vjenës kaloi në transfertë rumunët e Astras me shifrat 3-2. Spektakolar goli i dytë i skuadrës austriake i shënuar nga Friesenbichler. Në Grupin F, fitore e madhe e Sassuolos që mposhti 3-0 në Reggio Emilia, Athletic Bilbaon falë golave të Lirolas, Defrel dhe Politanos. Një fitore të rëndësishme në këtë grup regjistroi edhe Rapidi i Vjenës që kaloi me rezultatin 3-2 belgët e Genk.