Agjencia e Trajtimit të Pronave ka të inventarizuara 179 objekte publike që do të vihen në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve.
Sipas të dhënave zyrtare nga ATP, asnjë nga këto objekte nuk ndodhet në Tiranë, ku paradoksalisht jetojnë edhe shumica e ish–pronarëve. Shumica e objekteve janë në qytetet e Veriut.
Në Qarkun e Dibrës duket se janë gjetur objektet më të shumta për kompensim, 44 të tilla; në Kukës janë 32 objekte; në Korçë 26 objekte; në Lezhë 20; në Vlorë 9 objekte; në Durrës gjithashtu 9 objekte, në Elbasan 6 objekte; në Shkodër vetëm dy objekte dhe në Berat vetëm 3.
Siç shihet nga të dhënat për secilin objekt, shumica prej tyre janë ndërtesa të ish-kooperativave bujqësore që tashmë janë në gjendje tërësisht të rrënuar dhe larg qendrave të urbanizuara.
Sipas ligjit për trajtimin e pronave, nëse ish-pronarët përfitojnë një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.
Gjithashtu Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë me dije se janë edhe 23 mijë hektarë tokë bujqësore e gatshme për t’u vënë në dispozicion si fond kompensimi fizik për të gjithë ata pronarë, toka e të cilëve është e zënë dhe shteti dhe ligji iu ka borxh që t’u japë diçka.
Sipas ligjit të ri të pronave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, me qëllim shtimin e burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, realizon ankande për shitjen e pronës, pjesë e fondit të tokës. Në ankand marrin pjesë të gjitha subjektet që disponojnë një vendim kompensimi, të vlerësuar financiarisht nga ATP-ja.
Subjektet, që kanë një vlerësim financiar të vendimit përfundimtar për kompensim, mund të marrin pjesë në ankand, nëse ata shprehin vullnetin për të përfituar nga fondi i kompensimit fizik.
Nëse ofertat janë të barabarta, u jepet përparësi ofertave brenda qarkut ku ndodhet prona e njohur për kompensim dhe në rast se ka disa oferta të tilla, vendimit përfundimtar më të hershëm.
Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet 2 herë radhazi për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik për shitjen e kësaj prone. Të ardhurat e realizuara nga shitja në ankand e pronave, pjesë të fondit të tokës, kalojnë në Fondin Financiar të Kompensimit dhe përdoren për kompensimin financiar të subjekteve, sipas dispozitave të këtij ligji.