Amfibi Klosi dhe kurba e Filipsit

Ilir KADUKU

Për të gjithë ne të rinjtë 60-vjeçarë, gjyshja është figurë shumë e dashur. Për ironi të fatit për gjyshen time figura më e dashur është e kolosit Blendi Klosi. Çdo natë ajo ngulet me padurim pranë Çome Gëllcit (pronarit të RTV shqiptar) dhe pret me ngazëllim të shohë me lot në syçka, të dashurin e saj të zemrës, konsomolasin Blendi Klosi. Shpeshherë debatojmë për këtë dashuri të vonuar të saj. Më në fund gjyshja ime e nxori dufin e saj: “Ju kam të dyve xhan, se të dy jeni me diabet. Në ndryshim nga ti që dendesh gjithë ditën me akullore, ai i shkreti po sakrifikohet për mëmëdheun”. Gjyshja më ka stisur që ta shoh dhe unë këtë korife të Gubernës Shqiptare me shumë dashuri si një bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës timin. Kam edhe shumë arsye ta adhuroj me shpirt këtë figurë biblike. Arsyeja më e fortë është origjina e tij.
Si një pinjoll i familjes “bamirëse” Klosi, ky djalosh që ka lindur vetëm për të qenë ministër, shpeshherë më ngjan me mikun tim historik nga pikëpamja politike dhe biologjike, me amfibin. Pak leksion për amfibët (klasa amphibia), ku bëjnë pjesë bretkosat, thithëlopat dhe salamandrat. Janë kafshë me gjak të ftohtë dhe zhvillimi i tyre realizohet me anë të metamorfozës nga një formë larve që merr frymë në ujë, në një formë të rritur që merr fryme në tokë. Amfibët kanë katër gjymtyrë.
Sipërfaqësisht ata janë të ngjashëm me zvarranikët. Amfibët në kohët e sotme janë të kërcënuara për zhdukje ose të zhdukura. Amfibët shqiptarë të tipit rilindas evoluan në periudhën e komunizmit dhe janë shtuar në masë. Nga statistikat e shtatorit të 2013 supozohet se në Shqipëri ka rreth 1 000 000 amfibë. Rilindasit, një grup amfibësh ekskluzivë mbetën grabitqarë të rrezikshëm të periudhës tranzicionale (1991 e deri tani). Pritet që pasi popullit zvarranik shqiptar të ndërgjegjësohet dhe të hapë sytë biologjikisht janë të predispozuar të ngordhin. Them biologjikisht sepse politikisht nuk mendoj se amfibët rilindas do të zhduken ndonjëherë. Ky është një supozim i imi personal, sepse shkencërisht kjo specie, kjo farë e keqe (komunizmi) nuk zhduket. Këtë e ka vërtetuar eksperienca botërore.
E turpshme, kriminale dhe amorale ishte për amfibin tim Klosi inaugurimi i monumentit të të ish-persekutuarve të komunizmit në Saver të Lushnjës. Por më e turpshme ishte përqafimi i pinjollëve të kriminelëve të komunizmit me pinjollët e ish-të persekutuarve. Edhe tolerancë dhe fisnikëria e ish-të persekutuarve ka një limit, ka një masë se pastaj konvertohet në përulje dhe në degradim moral. Absurdi nuk ka fund. I biri i kryekriminelit Mehmet Shehu emërohet nga Guberna Shqiptare si drejtor i Projektit të Dosjeve të Komunizmit. O tempora, o mores! Pinjollët e Byrosë Politike Kriminale të Enver Hoxhës aktualisht po mbrojnë doktoratura dhe profesoratura falso në universitete publike për problemet më nevralgjike, si: varietetet e mollëve të Kardhiqit dhe bursa e gjelit të detit në Roskovec. Nejse, kjo është një çështje tjetër që do ta diskutojmë së shpejti në shtyp dhe në forumet e hapura.
Sa herë shoh emblematikun Blendi Klosi me demagogjitë për punësimin, më vjen në koshiencën time, Kurba e Filipsit. Matematicieni i famshëm vërteton se në ekonomi, kurba e Phillips është një marrëdhënie historike inverse mes normës së papunësisë dhe norma e inflacionit në një ekonomi. E thënë thjesht, papunësia më e ulët në një ekonomi është e lidhur me një normë më të lartë të inflacionit. Liderët historikë të Bankës të Shqipërisë kanë këtë opinion për këtë problem dhe e shohin si një përfitim të mundshëm nga rritja e inflacionit që lidhet me një koncept relativisht të vjetëruar ekonomik të kurbës së Philipsit. Bazuar në këtë koncept rritja e papritur e inflacionit mund të çojë në një ulje të papunësisë. Inflacioni i papritur shkakton një rënie të pagave reale, për shkak të fiksimit të pagave nominale me kontrata një apo më shumëvjeçare. Ulja e pagës reale bën që punëdhënësit të punësojnë më shumë individë. Bile liderët e sistemit tonë ban-kar me gjenialitetin që i karakterizon e hedhin poshtë kurbën e Filipsit duke theksuar se kurba e Philipsit është kontestuar prej kohësh dhe aktualisht luan një rol të parëndësishëm në përpilimin e politikave ekonomike, si dhe bie ndesh me konceptin e pavarësisë së bankës qendrore. Kështu që do të ishte mjaft e vështirë që argumenti i rritjes së inflacionit të bazohej në një koncept të tillë. Në rastin e Shqipërisë kurba e Philipsit është akoma më e kontestueshme për shkak se ndryshimet strukturore e bëjnë atë të zhvendoset vazhdimisht dhe për rrjedhojë rezultati i politikës së mësipërme bëhet shumë i papërcaktuar. Gjithashtu, deri më sot nuk ka pasur një evidencë të qartë që mbajtja e inflacionit të ulët të ketë shkaktuar kosto ndaj prodhimit vendas. Përkundrazi, nga disa studime është parë se stabiliteti makroekonomik, i matur me periudhën me inflacion të ulët, luan një rol pozitiv në zgjerimin e kreditimit të ekonomisë dhe prodhimit.
Kryekokat e sistemit bankar demagojnë se me rritjen e nivelit të inflacionit rritet efekti psikologjik që ai mund të shkaktojë në publik. Ky fenomen ka të bëjë me faktin se rritja e nivelit mund të çojë në një spirale të pandalshme inflacioniste. Megjithë “luftën” e përgjakshme të deritanishme të Bankës së Shqipërisë për të rritur reputacionin e objektivave të saj në publik, strategjia e ndryshimit të inflacionit nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë mund të vërë në rrezik reputacionin e deritanishëm. Tregu, ndryshimin e nivelit të inflacionit, mund ta interpretojë si një paftësi të bankës qendrore për të mbajtur inflacionin e ulët dhe për rrjedhojë kjo e fundit do ta kishte shumë të vështirë që të ankoronte pritshmëritë e tregut në nivelin e ri më të lartë.
Në tallavatë e ndryshme, Banka e Shqipërisë gjatë muajve të fundit ka sqaruar opinionin publik lidhur me shtrembërimin e koncepteve dhe të dhënave mbi nivelin e inflacionit në Shqipëri. Si organi qendror monetar, BSH ka për detyrë t’i sqarojë publikut nëpërmjet medias se sistemi aktual i ekonomisë gëzon stabilitet të plotë të treguesit inflacion dhe se idetë për zhvlerësim të lekut më shumë sesa argumente janë “rrufe në qiell të pastër”.
Mora shkas të “shkarravis” ca rreshta i inspiruar nga bufonadat e pafundme të amfibit tonë Klosi. Me sa arrita të kuptoj nga intervistat e pafundme të konsomolasit tonë, çdo gjë në “mëmëdhe” shkonte vaj me përjashtim të faktit se atyre “të qendrës” u kishin dalë disa “çikërrima” me shifrat. Në të vërtetë shifrat flasin shumë kur pasqyrojnë realitetin, por më shumë është për t’u trembur faktit se çfarë fshihet pas tyre kur ato nuk janë të sakta. Shqiptarët janë familjarizuar me postulatet dhe me gënjeshtrat. Po nuk i gënjeve, nuk të besojnë. Deri më ’90 komunistët çdo gjë e krahasonin me statististikat e kohës se Zogut, tani pasaardhësit e tyre ideologjikë dhe biologjikë zhvillimin ekonomik e krahasojnë me kohën e Berishës. Nuk arrij të kuptoj se çfarë saktësie dhe vërtetësie shkencore pritet nga statistikat shqiptare kur pas 25 vitesh tranzicion nuk ekzistojnë dhe nuk rakordohen statistikat e llogarive kombëtare? Pa ekzistencën e llogarive kombëtare absolutisht çdo kalkulim, çdo diskutim është i pasaktë.
Çfarë presim që INSTAT, si institucion shtetëror ekskluziv me varësi totale nga qeveria të publikojë shifra që tregojnë realitetin? Është momenti i zgjidhjes reale të këtij problemi emergjent. Vetëm në këtë mënyrë mund të frenohen makinacionet abuzive të politikëbërësve në fshehjen e së vërtetës dhe në orientimin drejt politikave të gabuara ekonomike. Është një fakt i pakontestueshëm që statistikat e servirura nuk rezultojnë nga një kalkulim i gjendjes reale së ekonomisë, por nga loja me shifrat që bëjnë zyrtarët politikë të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, me bekimin zyrtar të FMN-së. Është në nderin e politikëbërësve të çdo lloj spektri politik që të pranojnë se “hynerët” e tyre zënë fill në momentin kur u shpall në teori si fitore nocioni kapitalist i zhvillimit ekonomik në Shqipëri.
Katastrofa makroekonomike e Shqipërisë i ka fillimet më ’91–shin me ndryshimet në sistem, të cilat erdhën si pasojë e rënies së sistemit social të transfertave automatike buxhetore. Një pohim i tillë është bërë me mjaft korrektesë nga Banka Botërore në raportin “Shqipëria, performancën më të dobët fiskale” 2014. Mjaft domethënës është fakti që gjatë periudhës së “invazionit të kuq” pushtetarët sa herë janë ndodhur para skandaleve potenciale teknikisht i janë referuar të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, duke i konsideruar si “barka e shpëtimit”. Por ata harrojnë se tani e kanë kaluar cakun dhe nuk kanë partner në mashtrimet e tyre. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për një korrupsion shtetëror që reflekton në një sëmundje endemike të sistemit, për të cilin uroj që të mos ketë bashkëpunëtorë të tjerë përveç autorëve (klika në fuqi). Jemi dëshmitarë të debatit deri në fyerje mediatike në mes BSH, INSTAT dhe Ministrisë së Punës për numrin e të papunëve në Shqipëri. Politikat ekonomike nuk janë abstrakte, por konkretizohen mbi një sistem kompleks sasior e cilësor agregatesh teknike. Nëse kemi të bëjmë me perceptim të gabuar të këtij sistemi të dhënash statistikore atëherë përfundimi dihet. Do të përballemi me politika të gabuara.
Se ç’kuptojnë me vendime “historike” rilindasit, vetëm ata e dinë. Nëse duan të bëjnë historinë, s’duhet të harrojnë se shqiptarët kanë kujtime të hidhura nga baballarët e tyre politikë dhe biologjikë. Për lexuesin e thjeshtë mund të sqaroj se në kushte normale arsyet kryesore që duhet të nxisin një qeveri për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe për të nxitur punësimin janë:
1. Mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe forcimi i lekut;
2. Prodhimi bujqësor i bollshëm;
3. Përdorimi eficent i të ardhurave nga privatizimet strategjike;
4. Mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për kreditim nga sistemi bankar;
5. Reduktim i problemeve energjetike;
6. Situata monetare dhe fiskale nën kontroll;
7. Shpenzimet qeveritare dhe deficiti buxhetor brenda parashikimeve.
Para se të analizojmë në mënyrë interative bllok-skemën e mësipërme, shtroj pyetjen: është e përgjegjshme dhe transparente Guberna Rilindase në ndërmarrjen e një operacioni të tillë financiar? A respekton në këtë rast Banka Qendrore dhe guvernatori i saj, betimin e bërë për ruajtjen e pavarësisë dhe imunitetit të veprimtarisë së saj? Po mundohem të jap një përgjigje, e cila nuk pretendoj të jetë “përgjigje e artë”. Nga “Historia e PPSH” ose “Dhjata e Vjetër” e baballarëve të rilindasve, kemi mësuar se kur merren vendime të tilla “historike” duhet të dimë nëse ka ardhur koha për ekzekutimin e tyre:
Mbështetur në eksperiencën botërore rezulton se operacione të tilla nuk ndërmerren në asnje rast në prag të zgjedhjeve parlamentare (sidomos në vitin e fundit qeverisës). Na rezulton se vendimet “historike” rilindasit i ekzekutojnë pikërisht një vit para zgjedhjeve. Le të na japin ndonjë rast analog politikëbërësit e, qoftë dhe nga fqinjët tanë të nderuar, me të cilët jemi në “garë” për integrim financiar në BE. Le t’i referohen Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës pa tentuar drejt Turqisë, Rumanisë dhe Greqisë. Pse nuk marrin si sistem konvergjence qëndrimin e qeverisë bullgare para zgjedhjeve parlamentare? Pra, jemi dy vende analoge nën asistencën e vazhdueshme të FMN–së dhe Bankës Botërore. Nisur nga mungesa e integritetit, pozicioni jotransparent dhe i papërgjegjshëm i Gubernës Rilindase, këto vendime kthehen nga vendime ekonomike në vendime “diabolike” politike. Një lëvizje e tillë e normave të interesit në prag të zgjedhjeve parlamentare bën që të stimulohet qeveria në fshehjen e shpenzimeve buxhetore pa pasur nevojë për “axhustime” nga komisione parlamentare të tipit “Braçe”.
Si rezultat bëhet e mundur që në sistemin makroekonomik të përfshihen shpenzime buxhetore “fine” pa përfshirjen e tyre në buxhetin e aprovuar nga Parlamenti ynë “i nderuar”. Pra, bëhet fjalë për shpenzime të “padukshme” që në fakt shkojnë në miliona euro. Nëse “shokët e nderuar” politikëbërës kanë ndonjë pretendim për faktin e përmendur më sipër, ju jap të plotë në të ardhmen skemën e plotë “diabolike” të situatës analoge të përdorur në zgjedhjet parlamentare 2013. Këtu nuk bëhet fjalë për shfrytëzimin e fondeve publike në sensin e rritjes së pagave të buxhetorëve apo për “çikërrima” të tjera, por për fonde tepër të mëdha, të cilat i rëndohen kurrizit të drobitur të taksapaguesve shqiptarë. Në kundërshtim me eksperiencat ekonomike bashkëkohore, qeveritë e korruptuara realizojnë një “disiplinë financiare” të programuar, pra shtrëngim i shpenzimeve dhe rritje e të ardhurave vetëm në dy vitet e para të pushtetit, lëshime në vitin e tretë dhe “prerje shiritash” në vitin e katërt. Në të njëjtën kohë këto lloj qeverish antikombëtare (siç është rasti i qeverisë aktuale), pa pasur nevojën e akteve normative për kërkimin e akteve normative shtesë nga Parlamenti dhe pa pasur nevojë për ndryshimin e ligjit të buxhetit të shtetit që sanksionon financim drejtpërdrejt nga Banka Qendrore, intrigojnë skema të tilla “diabolike”, siç është ajo e uljes së normave të interesit parazgjedhor.
Në kuadrin e respektimit të pozicionit transparent të BSH dhe Ministrisë së Financave do të ishte me vend që të publikoheshin nivelet e stokut të brendshëm duke eliminuar rritjen e shpenzimeve korrente dhe të investimeve përtej kufijve normativë. Një menaxhim “diabolik” i borxhit si efekt i pompozitetit elektoral do të kishte pasoja katastrofike në stanjacionin e borxhit publik, me tendencë rritje në borxhin e brendshëm. Përbën një çudi fakti se asnjë parti politike nuk ka përfshirë në programin e saj kursimet publike dhe stabilitetin e borxhit. Do të ishte në nderin e “shokëve qendrorë” të BSH që para se të kërkojnë binjakëzime utopike me Bundesbank apo Federal Reserve, të jenë transparentë para shqiptarëve dhe të tregojnë se në çfarë borxhi i ka groposur qeverisja antikombëtare aktuale. Çdo shqiptar duhet të ketë parasysh që ky është një borxh, të cilin do ta paguajmë ne dhe fëmijët tanë.
“Të mjerët” shqiptarë! Nëse nuk është e vërtetë atëherë rilindasit të na tregojnë destinacionin e shpenzimit të parave të privatizimeve strategjike, e pasurive kombëtare të vendit më të varfër të Europës. Është për të ardhur keq për shqiptarët e thjeshtë, sepse gjithë kjo kakofoni rilindase bëhet nën sloganin “Mbro të ardhmen”. E përkthyer në shqip kjo do të thotë “Mbro të ardhmen, mbro vjedhjet tona”. E gjithë kjo maskaradë bëhet për çimentimin e pushtetit “të kuq” nëpërmjet manipulimit të politikës, mediave dhe biznesit. Strategjia e përdorimit të këtyre skemave diabolike është vënia në funksionim e të gjitha mekanizmave qeverisëse me qëllimin e përfshirjes së faktorëve më të rëndësishëm të jetës publike të vendit dhe të konvertimit të tyre në aleatë të qeveritarëve aktualë. Përdorimi “diabolik” i buxhetit të shtetit dhe përdorimi i parave të pista në këtë pragzgjedhje parlamentare është më evident se kurrë.

I këshilloj shqiptarët që të jenë “syhapur” siç i ka mësuar Partia, sepse padroni i tyre në këtë pazar është qeveria shqiptare, e cila është në “pole position” të të gjitha “hipodromeve” të Europës përsa i përket “galopit” të korrupsionit, kriminalitetit, prostitucionit, drogës, pastrimit të parave, kapjes së shtetit, informalitetit, etj. Për më tej çdokush është i lirë t’i referohet raporteve të FMN–së, Bankës Botërore, USAID, PNUD, etj. Të më ndjejnë “shokët qendrore” rilindas. Besoj se e kuptojnë se nuk ishte momenti për të ndërmarrë iniciativa të tilla “historike”. Të guxosh të ngresh stekën e shpenzimeve dhe të ulësh nivelin e investimeve që në momentin e planifikimi të shpenzimeve buxhetore, do të thotë që qeveria me dashje mendon të mbajë nën kontroll inflacionin me rrugë administrative, ose po të flasim me gjuhën e metaforave, me serume.

Artikulli paraprakReforma, Bylykbashi: Ligji për Prokurorinë dobëson rolin e kryeprokurorit
Artikulli tjetërMerita e Ramës dhe faji i opozitës për Dibrën