Për Antonio Konten dhe Chelsin e tij ka ardhur disfata e parë sezonale. Blutë u mposhtën 2-1 në “Stamford” pas një pjese të parë në kufijtë e perfeksionit nga të kuqtë e Klop që gjetën rrjetën me Lovren dhe një supergol nga kapiteni Henderson. Për teknikun italian është çështje detajesh, është ky koncepti që shpreh në konferencën për shtyp. “Duhet ta ndiesh rrezikun dhe ndaj Liverpoolit ne nuk e bëmë. Pësuam dy gola të çuditshëm dhe kur i lejon një avantazh të tillë një skuadre si Liverpool, bëhet gjithçka shumë e vështirë. Duhet të reflektojmë shumë mbi këtë humbje nëse nuk duam të përsëritet ajo që ndodhi sezonin e kaluar. Në pjesën e dytë bëmë shumë më mirë duke ushtruar presion dhe rritur intensitetin, por duhet të kujdesesh për detajet nëse do të jesh një skuadër e madhe, janë detajet ato që bëjnë diferencën”, u shpreh Konte.
Disfatat për Konten janë diçka e rrallë dhe ajo me Liverpoolin është dushi i parë i ftohtë për të që nga mbërritja te Chelsi. Erdhi në ndeshjen e 6 sezonale pas 4 fitoreve dhe një barazimi. “Disfata ime e parë në Angli? Nuk është disfata ime, por një disfatë e gjithë botës Chelsi. Të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë nëse nuk duam të përjetojmë një tjetër sezon si ai që u mbyll me vendin e 10. Kjo humbje demonstron se ende nuk kemi punuar sa duhet dhe ka ende shumë për të bërë. Duhet durim, por mbi të gjitha është e rëndësishme të përveshim mëngët dhe t’i futemi punës”, tha Konte.
Të martën e ardhshme Konte do të jetë para një provimi të ri. Chelsi luan kundër Leicester, për raundin e tretë të Kupës së Ligës, një ndeshje me eliminim direkt, një tjetër derbi italian stolash, këtë herë kundër Ranierit dhe me shumë mundësi edhe më i vështiri nga përballjet me teknikët e tjerë italianë në ishull.
Të kuqtë morën iniciativën dhe qarkullimin e lojës duke vënë në vështirësi Chelsin për t’u shpërblyer në minutën e 17-të me golin e Lovren që shënoi i lënë i lirë në shtyllën e dytë pas krosimit të Coutinho. Goli i parë për Lovren në Premier League me Liverpool. Rreshtim krejtësisht i gabuar i Chelsit në mbrojtje me plot 3 lojtarë të Liverpool-it në shtyllën e dytë. Diçka vërtet e pazakontë për skuadrat e Kontes. Mund të festojë me mënyrën e tij unike në krahun tjetër Jurgen Klop. Liverpool pavarësisht avantazhit vijoi të luajë më me personalitet dhe iniciativë dhe goli i dyfishimit ishte një perlë e vërtetë nga Jordan Henderson.
E pabesueshme trajektorja që i jep topit kapiteni i Liverpoolit që dhuron një supergol që meriton përsëritjen për t’u shijuar në maksimum. Konte nuk bën asnjë zëvendësim në pushim, por Chelsi hyn me tjetër frymë në fushë në të dytën dhe presioni i Bluve jep frytet e duhura në minutën e 61. Matic depërton në të majtë duke i dhënë asistin e Diego Costës që shtyn me një prekje në portë. Chelsi hidhet përpara në kërkim të golit të barazimit, por pa shumë ide, madje Liverpooli ka në minutën e 81 me Orgin edhe shansin për të shënuar golin e tretë.