Si u ndërtua pista 1.8 km, pronë e kartelit të drogës

Para se të hysh në Gjirin e Lalzit, një nga plazhet më të frekuentuara në Shqipëri, merr kodrën për të shkuar në fshatin Ishëm, që është një nga më të mëdhenjtë e kësaj njësie administrative. Por një rrugë makine gjysëm e shtruar me asfalt dhe vetëm 3 kilometra nga fshati të çon direkt në pistën e avionit.
Rruga përdoret nga banorët e fshatit për të çuar bagëtinë në kullotë. Pista e gjatë 1.8 kilometra ka në fillim të saj një strukturë betoni të ndëruar nga trafikantët për të ndezuar zjarr sinjalizues për pilotin. Vetëm 100 metra nga fillimi i pistës ndodhet avioni i rrëzuar i ruajtur nga një furgon policie dhe 2 punonjës që kanë rrethuar zonën me shirit të verdhë. Një bari zone largohet me shpejtësi nga frika dhe nuk pranon të flasë.
Deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike denoncuan dje në terren pistën e avionëve të kartelit të drogës, të ngritur në mes të Shqipërisë, në fshatin Ishëm.
Kjo pistë avionësh 1.8 kilometra e gjatë për transport ajror të drogës, e ngritur me dijeninë e qeverisë dhe me mbështetjen e saj, është prova e radhës që tregon lidhjen e fortë të kartelit të drogës me Edi Ramën, provë që flet për lehtësitë që kanë trafikantët për të ndërtuar edhe pistë avionësh pa i shqetësuar njeri.
Bashkë me deputetët, Edi Paloka, Arben Ristani, Alban Zeneli, Keltis Kruja dhe Flamur Noka, ishin një grup gazetarësh të ftuar nga Partia Demokratike për të denoncuar shkallën esktremisht të lartë të mbulimit të vendit nga droga. Nënkryertari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, Flamur Noka tha për gazetarët se
“Siç e shihni, pas nesh është një avion i rënë në tentativë për të bërë trafikun e drogës. 2.5 km, maksimumi 3 km larg Aeroportit “Nënë Tereza”, karteli i drogës ka ndërtuar aeroportin e quajtur “Saje Qorri”. Qeveria e kartelit që pretendon dhe kontrollon gjithë territorin na demonstron sot këtu që qenka ndërtuar një pistë, sipas tyre jashtë dijenisë së tyre. Në fakt kjo qeveri e kontrollon gjithë territorin e vendit dhe ky avion, kjo pistë e ndërtuar këtu, demonstron qartësisht që gjithçka është bërë me miratimin, nën kontrollin dhe nën mbikëqyrjen e kësaj qeverie.
Pista të tilla të kartelit të drogës kanë ndërtuar dhe kanë mundur të ndërtojnë vetëm në Kolumbi dhe në Venezuelë. Shqipëria është vendi i tretë në botë ku kartelet e drogës, përpos mbjelljes dhe trafikut të drogave, e kanë të gjithë komoditetin dhe mundësinë për të ndërtuar edhe pista.
Ky është realiteti që shikojmë ne, ndryshe nga realiteti virtual që qeveria e kartelit përpiqet t’ju paraqesë shqiptarëve” u shpreh Noka.
Nga ana e tij, Kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka se vetëm në Kolumbi dhe Shqipëri kartelet e drogës ndërtojnë pista avionësh.
“Jemi mbi pistë dhe këtu kemi të bëjmë me një rast nga më ekstremët sepse vetëm në Kolumbi në Amerikën Latinë kanë arritur që kartelet e drogës të fuqizohen aq shumë sa të ndërtojnë edhe pista avionësh. Një qeveri e cila pretendon se kontrollon territorin dhe sigurisht e kontrollon territorin sepse këto nuk bëhen pa dijeninë e qeverisë dhe as pa dhënë mbështetje qeveria. Ky është realiteti. Në fakt rruga nuk ishte e mirë, sepse kjo qeveri nuk investon në rrugët që i shërbejnë banorëve por investon në pistat që shërbejnë për drogë. Ju siguroj se pista ishte shumë herë më e mirë se rruga që i shërben banorëve” u shpreh Paloka.

Pista, nga blloqet e betonit tek zjarret

Zona rrëzë kodrës pranë fshatit Ishëm, aty ku frekuentues të vetëm ishin disa peshkatarë e barinj, u kthye në vëmendjen e mediave pas rënies në të të një avioni të vogël që do të transportonte hashash drejt Italisë. Kjo ngjarje zbuloi disa të vërteta të fshehta të moçalit buzë lumit. Megjithëse rruga ishte e vështirë dhe me baltë, në atë zonë kishin shkuar trafikantët, të cilët vetëm 3 kilometra nga fshati kishin ndërtuar një pistë fluturimi. Pista e gjatë rreth 1.8 kilometra ka në fillim të saj një strukturë betoni, që dyshohet se është ndërtuar nga trafikantët për të ndezur zjarr sinjalizues për pilotin. Përderisa në platformë kishte drurë të djegur, çka tregon se ndoshta aty janë ulur dhe avionë të tjerë, të cilët nuk e patën fatin e avionit të Guido Guidit. Megjithëse kanë kaluar disa ditë, avioni vijon të qëndrojë aty. Por vendi përreth nuk është më i njëjti. Pushtetin e fushës tani nuk e kanë më avionët, por kafshët, të cilat iu rikthyen kullotës.  Në pistën e improvizuar nuk ka bar, dhe toka është e punuar, por kafshët janë rikthyer aty, ku me shumë gjasa kanë qëndruar larg për disa kohë. Por banorët e Ishmit përsëri mungojnë. Edhe në fshat sapo i pyet se çfarë ka ndodhur në këtë zonë të shmangen dhe nuk prononcohen. Patrullat e policisë ruajnë 24 orë avionin e rrëzuar buzë lumit. Ai është larguar nga pista rreth 100 metra, duke lënë pas degë të thyera të shkurreve. Dyshohet se çekuilibrimin e avionit e ka bërë era, e cila e ka bërë të pamundur uljen e rregullt. Nuk dihet sa do të qëndrojë avioni i rrëzuar në grykëderdhjen e Ishmit, por banorët e fshatit nuk kanë për ta harruar se në rrugët e tyre plot baltë mund të ndërtohen edhe pista fluturimi.

Arben Shahini

Artikulli paraprakNoka: Për avionin me drogë më informuan oficerë të policisë
Artikulli tjetërBerisha: Aidën dhe engjëllin e saj, i vrau indiferenca dhe Urgjenca shpartallinë