Skandali, qeveria përgatit faljen e 300 milionë dollarëve borxhe për ARMO-n e Besos

Kompania ARMO, privatizimi i të cilës rezultoi i dështuar, prej fillimit të këtij muaji është pranuar se do të shfrytëzohet nga një tjetër kompani. Flitet për Ionian Refining & Trading co. Kompani kjo e regjistruar off shore në ishujt britanikë Virgin, dhe në mes të qershorit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Opozita dhe ish-kreu i saj Berisha, kanë deklaruar se pas kësaj kompanie qëndron sipërmarrësi shqiptar Besnik Sulaj.
Prej ditësh në fakt, mediat, rrjete investigative si BIRN, apo edhe media të specializuara si “Monitor”, po përpiqen të hedhin dritë mbi atë çfarë po ndodh realisht me kompaninë e zhytur në borxhe. Cilat janë detyrimet e kompanisë së re ndaj debitorëve, e mbi të gjitha me kë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e Armos.
Në daljet publike, Kryeministri ka pohuar se kompania do të shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve. Por edhe lidhur me këtë ka dyshime të mëdha. Marrja në shfrytëzim, siç është përmendur edhe në njoftimin e Bankers Petroleum, nuk nënkupton shumë angazhime financiare për kompaninë e re. Planet e saj zgjatën maksimalisht në 18 muaj.
Deri në mars të këtij viti. Borxhi i ARMO-s kishte arritur në 600 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë. Kjo shumë është sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose sa buxheti i një viti për arsimin e shëndetësinë në gjithë vendin.
Detyrimi marramendës i ARMO-s ka vënë në vështirësi disa banka. Gjysma e borxhit është marrë pranë tyre. Ndërsa po kaq është detyrimi ndaj shtetit. Shqetësuese është fakti se 300 milionë dollarët që ARMO u ka borxh taksapaguesve shqiptarë, mund të falen me amnistinë fiskale që pritet të miratohet së shpejti. Madje, disa media theksojnë se kjo është një nga arsyet kryesore pse po bëhet amnisti për borxhet e vjetra.
Amnistia është e plotë për detyrimet para 2012, periudhë kur janë krijuar borxhet më të mëdha të gjigantit të sëmurë, ARMO.
Prej më shumë se dy javësh të gjitha institucionet përkatëse në vend, heshtin për të bërë transparente mënyrën e dhënies në përdorim të një aseti të rëndësishëm, siç është rafineria e naftës së Ballshit tek kompania amerikane “Ionian Refining and Trading” , në një kohë që ajo ishte e zhytur në borxhe prej afro 595 mln dollarë.
I gjithë ky terr informacioni për qytetarët hedh hije dyshimi për mënyrën e kryerjes së transaksioneve, shumën e saktë të paguar, destinacionin ku shkuan paratë, dhe fatin e borxheve si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj privatit.
“Gojën” e ka mbyllur edhe vetë Ministria e Ekonomisë, e cila është pronare e 15% të aksioneve të ARMO-s. As ajo nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me këtë aset, për të treguar më saktësisht me kë është bashkëaksionere, sa është paguar për ARMO-n dhe kush i ka marrë këto para.
Edhe Ministria e Financave me drejtoritë e saj, atë të Tatimeve dhe të Doganave nuk japin asnjë shpjegim.
Tatimet nuk japin shpjegim se çdo të bëhet me borxhet që ARMO ka ndaj saj, të cilat arrijnë në afro 59 mln dollarë. Si është lejuar kryerja e transaksioneve pa shlyer këto borxhe, apo kur do të paguhen ato.
“Por edhe pse kemi mbi një javë që jemi interesuar për këtë çështje, kjo drejtori nuk jep informacion, duke lënë në një terr të plotë informacioni ndryshimet e bëra për këtë aset të rëndësishëm”.
Borxhet e ARMO arrijnë në afro 25 milionë dollarë edhe ndaj Doganave, dhe kalimi i aseteve në një kompani offshore e regjistruar në ishujt Virgin, duket se nuk e shqetëson aspak atë.
“Lidhur me marrjen në përdorim të rafinerisë së Ballshit nga kompania amerikane, ne u interesuam edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke qenë së ARMO ka një sërë detyrimesh të papaguara edhe ndaj kësaj drejtorie. Edhe pse kemi kërkuar disa herë informacion për këtë çështje, kjo drejtori hesht dhe nuk jep asnjë informacion si është lejuar kryerja e transaksioneve dhe si do të zgjidhet çështja e borxheve”.
Pas ndryshimit të transaksioneve, as Ministria e linjës, ajo e Energjetikës nuk ka marrë në dorë ndonjë plan investimi të aksionerëve të rinj, duke e bërë edhe me të mistershme fatin e Rafinerisë së Naftës ARMO dhe të më shumë se 1 200 punonjësve të saj.
As në ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, i cili është dokumenti i vetëm që tregon pronarët e ligjshëm të një kompanie, ende nuk është bërë asnjë ndryshim pronësie për pronarët e rinj, pasi në të figurojnë ende pronarët e vjetër.
595 mln dollarë borxhe si ndaj shtetit ashtu edhe privatit nuk marrin përgjigje kur do të shlyhen, por as fati i rafinerisë së Ballshit nuk është bërë transparent, pasi i gjithë informacioni i marrjes në përdorim nga kompania amerikane mbahet sekret.
Madje edhe lajmi për kalimin e aseteve tek kompania offshore, do të ishte i vështirë për t’u zbuluar, nëse komania Bankers Petrolium, e vetmja që lajmëroi këtë ndryshim, nuk do të kishte njoftuar se do t’i jepte kompanisë amerikane 65% të prodhimit të saj për ta përpunuar në Rafinerinë e Ballshit.

Artikulli paraprakStudioja ligjore: Ankimoni vendimin ndaj Bankers për taksat 63 mln euro
Artikulli tjetërPorti i Durrësit, në 8 muaj eksporti ra me 27%