Juventusi ka humbur agresivitetin në fushën e blertë. Bardhezinjtë ishin protagonistë absolutë gjatë merkatos verore duke afruar në gjirin e tyre futbollistë shumë cilësorë, me qëllimin për ta vazhduar rrugën e suksesit në kampionatin italian, por edhe në kupat e Europës. “Zonja e Vjetër” në derbin përballë Interit ishte një skuadër që i mungoi agresiviteti dhe vendosmëria për të fituar. Është ende herët për ta cilësuar si një krizë humbjen ndaj zikaltërve. Gjithashtu duhet theksuar fakti se një disfatë e tillë ku Juventus kalon në avantazh dhe më pas humbet takimin nuk ndodhte që nga prilli i vitit 2015, në një tjetër derbi, atë kundër Torinos.
Sidoqoftë humbja shërben si një paralajmërin për bardhezinjtë, gabime të tilla nuk tolerohen. Kapiteni i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka ngritur zërin ndaj shokëve të tij të skuadrës, duke i vënë në dukje që një skuadër si bardhezinjtë nuk mund të humbasin, aq më tepër një derbi. Gardiani i ka kërkuar futbollistëve që një episod i tillë të mos përsëritet më. Trajner Allegri njihet si një teknik që shpesh ka një start të dobët në kampionat, një gjë e tillë u pa dhe në sezonin e kaluar. Ky vit sigurisht që ka nisur ndryshe me rezultate pozitive, por vëmendja duhet rritur. Skemat e teknikut Allegri, po bëjnë që ardhjet e reja nuk po përshtaten dot.
Mbrojtja nuk është hera parë që nuk bën paraqitjen më të mirë të mundshme, një gjë e tillë u pa dhe në takimin kundër Sasuolos, pavarësisht se Juventusi fitoi. Një tjetër hap fals i Allegrit mund të konsiderohet dhe lënia në stol e mister 90 milionëshit, Gonzalo Higuain apo dhe e kroatit Marco Pjaca. Në takim e mesjavës kundër Cagliarit, kampionët e Italisë duhet të tregojnë se humbja në derbi është një episod i lënë pas dhe se ata janë ende skuadra që duhet mundur.
Interi fiton derbin e Italisë. Me një provë force dhe zemre, zikaltërit dominuan dhe në fund mposhtën me përmbysje 2-1 Juventusin.
Edhe pse u luajt vetëm në javën e katërt të Serisë A, dueli më spektakolar në Itali, kishte mjaft rëndësi. Te Interi trajneri De Boer rrezikonte postin vetëm pas pak javësh, prej disfatës në Europa League nga Hapoel Be’er Sheva, ndërsa Juventusi synonte të rikthehej në krye të kampionatit. Zikaltërit e nisën sfidën menjëherë në sulm, me D’Ambrosion që nuk shfrytëzoi topin e devijuar me kokë nga Icardi. Pak çaste më pas Medel tentoi nga distanca, pa shënjestruar si duhet, por duke marrë duartrokitjet e publikut në “San Siro”.
Juventusi provoi të reagonte me goditjen fluturimthi të Dybala, por Interi u shfaq më superior duke rrezikuar me goditjen e Eder në kufi të zonës. Problemeve të bardhezinjve iu shtua edhe dëmtimi i Benatia, i cili i la vendin në fushë Barzagli-t, por në momentin më të mirë të kundërshtarëve, “Zonja e Vjetër” kishte shansin më të mirë për të shënuar.