Me ftesë të sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-moon dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, Peter Thompson, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të zhvillohet në New York. Në këtë veprimtari të rëndësishme botërore të diskutimit të çështjeve dhe problemeve më të mprehta të kohës si ato të lidhura me paqen dhe sigurinë globale, krizën e refugjatëve dhe migracionin, përmirësimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, autoritete të tjera të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizmave ndërkombëtare, etj. Gjatë debatit të përgjithshëm të sesionit të 71-të, kreu i shtetit shqiptar do të mbajë një fjalë duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e më pas do të marrë pjesë në Ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe do të diskutojë edhe në segmentin e Nivelit të Lartë të AP-së në kuadër të 30-vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim. Presidenti Nishani do të bashkëdrejtojë me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Frans Timmermans, tryezën e rrumbullakët të diskutimit të takimit të nivelit të lartë mbi ndarjen të bashkuar të përgjegjësisë globale për refugjatët dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Vizita zyrtare e kreut të shtetit shqiptar pranë organizatës më të madhe në botë për sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale, parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme dypalëshe me homologë nga Evropa, si dhe nga bota. Gjithashtu, Presidenti i Republikës është i ftuar dhe do të marrë pjesë në punimet e sesionit plenar të takimit vjetor 2016 të Nismës Globale Klinton ku do të diskutohet për “Partneritetin e begatisë globale”. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti Nishani do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit dhe anëtarë të shumtë të bashkësisë shqiptaro-amerikane, si dhe do të marrë pjesë në disa veprimtari të tjera me karakter ekonomik, kulturor e shoqëror ku do të vlerësojë personalitete të shquara shqiptare e amerikane me kontribut thelbësor në promovimin e vlerave atdhetare, kulturore e paqedashëse të shqiptarëve. Presidenti Nishani do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington D.C., ku do të ketë edhe takime të rëndësishme me personalitete dhe figura politike të zgjedhura në nivel vendor dhe kombëtar, si dhe do të vizitojë memorialin kushtuar viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Pentagon. Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës në Shtetet e Bashkuara do të përmbyllet në qytetin e Çikagos ku do të marrë pjesë në veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore në kuadër të thellimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve të gjithanshme historike dhe strategjike shqiptaro-amerikane.
Kryesore
Continue to the categoryParadoksi i Ramës në takimet me diasporën
Gjatë 11 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka përjetuar eksodin masiv më të madh të popullsisë, duke regjistruar...