Gjysma e popullisë në Shqipëri jeton në varfëri, me më pak se 5 dollarë në ditë. Shifrat tronditëse vijnë nga Bank Botërore, institucioni më i specializuar në botë për matjen e varfërisë. Në një raport të fundit Banka vëren se 6.1 për qind e shqiptarëve jetojnë në mjerim të plotë me më pak se 2 dollarë në ditë. Kjo është ajo që banka konsideron si varfëri ekstreme. Ndërsa nëse shifra rritet në 5 dollarë në ditë, që është kufiri i varfërisë së moderuar, atëherë rezulton se 46.2 për qind e familjeve shqiptare janë të varfra. Të dhënat janë shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse për të përfaqësuar të ardhurat reale dhe për të bërë të mundur krahasimin mes vendeve.
Të mjerët e rajonit
Të dhënat dëshmojnë se Shqipëria është vendi më i varfër i rajonit. Sipas tyre në të gjitha ekonomitë e ngjashme fqinje familjet kanë një nivel më të lartë të ardhurash. Në Bullgari, shifra e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është vetëm 14.8 për qind, në Kroaci 9 për qind ndërsa në Serbi 14.4 për qind. Sipas Bankës Botërore, edhe Mali i zi dhe Maqedonia kanë një standard dukshëm më të lartë jetese se ai i familjeve shqiptare. Në Malin e Zi pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë llogaritet në 11.9 për qind, ndërsa në Maqedoni shifra është 31.4 për qind. Edhe Moldavi një ekonomi, ndër më pak të zhvilluarat në botë, ka një standard jetese më të mirë se Shqipëria.
Varfëria nuk zbutet
Përveçse vendi më i varfër në rajon, Shqipëria është duke ecur më ngadalë se të tjerët në zbutjen e varfërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit, popullsia që jeton në varfëri është ulur me vetëm 1 pikë përqindje, nga 47.2 për qind që ishte në vitin 2013 në 46.2 për qind në fund të 2015. Me këto ritme do të duhen dhe 50 vjet të tjera përpara se familjet shqiptare të dalin nga kurthi i varfërisë. Ndërkohë që vendet e tjera, të cilat kanë sakaq një standard më të lartë jetese, janë duke e ulur më shpejt varfërinë.