Raul Gonzalez ka vendosur të analizojë situatën e kampionatit spanjoll, duke specifikuar shanset e skuadrave pretendente. Ish-kapiteni i Realit mendon se, merenguesit favorizohen nga fakti që fituan vitin e kaluar Champions-in, pasi nuk kanë më presion psikologjik. Ndërkohë, vlerëson merkaton e Barcelonës dhe organikën e Atletikos.
Sipas ish-sulmuesit të Spanjës, do të jetë menaxhimi që do bëjmë midis Europës dhe kampionatit ai që do bëjë diferencën. Ndërkohë, nuk ka evituar edhe “skanerin” për Benzemanë e Moratën që rivalizojnë për një vend në formacion…
-I keni ndjekur ndeshjet e kampionatit spanjoll deri tani?
Po, sigurisht. Mendoj se do jetë një sezon me të vërtetë i bukur. Mbase, më i bukur se një vit më parë.
-Pse? Ku bazoheni?
Sepse nuk është rritur vetëm rivaliteti, por edhe cilësia. Nuk janë vetëm Reali i Madridit me Barcelonën. Mendoj se, thuajse në të njëjtin nivel është edhe Atletiko. Vitet e fundit kanë punuar shumë dhe tashmë kanë maturinë e nevojshme për të luajtur si të barabartë.
Kanë siguruar mentalitetin fitues dhe mbi të gjitha kanë futbollistë të shkëlqyer. Do e cilësoja si një treshe që janë pretendentet me kuotë të barabartë shansesh. Por, janë edhe ekipe të tjera që mund të të marrin pikë ose të prishin ekuilibrat e të mëdhave.
-Cilat janë ato që mund të surprizojnë?
Sevija, Valencia apo Vijareali kanë organikë të kompletuar dhe mendoj se mund të marrin pikë në transfertë ndaj Realit, Barçës apo Atletikos. Por, sivjet më ka pëlqyer edhe Las Palmasi. Nuk është rastësi që kanë pasur ecuri të mirë deri tani. Parashikoj që do vazhdojnë deri në fund, nëse përballojnë si duhet presionin.
Të flasim për titullin, sa shanse i jepni Realit?
Besoj se kanë më tepër shanse sesa sezonin e kaluar. Triumfi në Champions u jep qetësinë dhe mbi të gjitha më tepër përqendrim te kampionati. Sivjet kanë një organikë më të kompletuar, pasi në sulm kanë alternativa cilësorë. Benzema dhe Morata rivalizojnë për një vend, ndërsa Ronaldo dhe Bejl janë gjithashtu dublantë mjaft cilësorë.
Do përsërisja Marko Asension, si një talent me shumë perspektivë. Ai ka fituar me meritë hapësira në formacionin madrilen. Duke shtuar më pas lojtarë të tjerë si Lukas Vazkez dhe Hames Rodrigez.
Barcelona ka bërë një merkato të fuqishme, ndërsa Reali është frenuar. Si e shpjegoni?
Katalanasit kanë pasur nevojë për alternativa, pasi vitin e kaluar e vuajtën faktin që nuk bënin dot rrotacion. E kishin të nevojshme, ndërsa Zidan nuk kishte pse të afronte futbollistë që nuk i duheshin. Morata është prurje mjaft cilësore, ndërsa pozicionet e tjera janë të kompletuara. Reali nuk është një klub që bën merkato kot, por shpenzon për lojtarë të nivelit maksimal.