Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi e ka ngushtuar edhe më shumë rrethin e pesonave me të cilët ndan tenderat dhe fondet e ministrisë që ajo drejton duke i orientuar ato drejt familjes së saj. Një zyrtar i administratës publike denoncon mënyrën skandaloze se si ministrja e Ekonomisë shpik posaçërisht projekte për t’ia dhuruar të fejuarit të vajzës së saj.
Konkretisht më datë 2 shtator, ministrja e Ekonomisë nënshkroi kontratat me pesë përfaqësuesit e projekteve fituese që konkurruan për mbështetje financiare të projekteve në turizëm. Një nga këto kontrata, ministrja e nënshkroi në ambientet e ministrisë me vetë dhëndrin e saj, si fitues të një prej projekteve të shpallura.
Bëhet fjalë për një projekt për turizmin, ku dhëndri i ministres ka aplikuar si person fizik. Për të gjetur shpalljen e tij si fitues nuk është aspak e vështirë. Mjafton të vizitosh faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe më datë 2 shtator tek njoftimet për shtyp gjen një njoftim të detajuar ku dhëndri i ministres është fituesi i parë i renditur sipas projekteve fituese.
Ministrja i ka akorduar një shumë prej 23 milionë lekësh dhëndrit të saj për projektin “Visit Albania Now”, i cili sipas vlerësimeve të vetë ministrisë është një Website që i ofron turistëve të huaj, mundësinë e prenotimeve të shërbimeve të ofruara nga biznese shqiptare në fushën e turizmit. “Nëpërmjet këtij Website vizitorët do të kenë mundësi që të rezervojnë/prenotojnë dhoma hotelesh/hostelesh, camping, makina dhe biçikleta me qira etj. Në këtë mënyrë operatorët turistikë kanë mundësinë që të rrisin të ardhurat e tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë për projektin e dhëndrit të ministres.
Denoncimi në fjalë është publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha. “Zyrtari dixhital denoncon: Ministren Milva Ekonomi që ndan paratë e taksapaguesve me dhëndrin e saj, Skikuli! Po tek e fundit shembullin e Al Kapones po ndjek! A nuk i dha ai si njerk 800,000 mijë euro projekt vajzës së bashkëshortes së tij?!”, shkruan Berisha në lidhje me këtë denoncim. Ndërsa në denoncimin e zyrtarit shprehimisht shkruhet:
“Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit është kthyer në një ministri ku dinakëria, korrupsioni, paaftësia dhe paturpësia në menaxhim kanë kaluar çdo normë normale apo dhe shqiptare. Znj. Ekonomi përtej paaftësisë që për stafin është kthyer në një makth të vërtetë, ka kthyer çdo konkurrim, projekt ide apo koncesion në biznes të ngushtë familjar/shoqëror, duke vrarë entuziazmin tek kushdo. Nuk do të zgjatem shumë (megjithëse ka pafund për të thënë), sepse personalisht kam humbur çdo besim apo shpresë tek forca e reagimit të shoqërisë shqiptare. Disa ditë më parë u shpall fituesi i një gjoja projekti për turizmin prej 2.330.000 lekësh (http://www.ekonomia.gov.al/…/mzhetts-16-4-milion-lek-financ…). Por kësaj here përveç ndërhyrjes për të nxjerrë fitues shokë apo shoqe u ndërhy për z. Redon Skikuli apo të fejuarin e vajzës së madhe (Abi Dodbiba), të zonjës ministre. Z. Skikuli jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e turizmit, por çdo dëshirë e mirë për ta lidhur atë me projekte turistike është aq qesharake sa edhe ai vetë besoj se qesh. E të mendosh që të gjitha janë para taksash të shqiptarëve që shpërndahen si dhurata tek të dashurit e ministres. Sa e shëmtuar”, thuhet në denoncimin e postuar nga ish-Kryeministri Berisha.
Shpallja fitues i dhëndrit të ministres
(Të dhëna e publikuara në faqen zyrtare të ministrisë):
1-) Projekti “Platforma all in one booking online ‘Visit Albania Now’”
Aplikanti: Skikuli Dot Com
Statusi Ligjor: Person Fizik
Fondi i përfituar: 2.330.000 lekë
Përmbajtja e projektit: “Visit Albania Now” është një Website që i ofron turistëve të huaj, mundësinë e prenotimeve të shërbimeve të ofruara nga biznese shqiptare në fushën e turizmit. Nëpërmjet këtij Website vizitorët do të kenë mundësi që të rezervojnë/prenotojnë dhoma hotelesh/hostelesh, camping, makina dhe biçikleta me qira etj.
Në këtë mënyrë operatorët turistikë kanë mundësinë që të rrisin të ardhurat e tyre.