Ikën biznesmeni, i Çmenduri ka dalë jashtë kontrollit

Biznesmeni amerikano-libanez, Fadri Matri, i cili kishte parashikuar një investim prej 450 milionë dollarësh dhe hapjen e 1200 vendeve të punës është detyruar që të largohet pas dhunës kriminale të ushtruar ndaj tij pak ditë më parë dhe kërcënimeve që ka marrë gjatë ditëve të fundit.
Raportohet se Matri është kërcënuar edhe gjatë kohës që ka qenë i shtruar në spital ndërsa mjekohej nga plagët e marra nga masakrimi bërë afro 10 ditë më parë. Dje në mesditë Matri së bashku me familjen e tij, me bashkëshorten dhe fëmijët i është drejtuar aeroportit “Nënë Tereza” ku e priste një avion personal i ardhur enkas për biznesmenin.
Pamjet e fotove të bëra nga aeroporti e tregonin biznesmenin në një gjendje të rëndë. Erdhi për të investuar disa qindra milionë euro, por u largua me barelë. Trupi i tij ishte fashuar. Të dyja këmbët qëndronin të palëvizura dhe po ashtu edhe një pjesë e mirë e mesit, të cilin ai nuk mund ta lëvizte.
Biznesmeni u masakrua nga dhuna më 10 shtator në rrugën e Rinasit, në sy të bashkëshortes dhe fëmijës. Ai u rrah nga tri persona, të cilët më parë në një skenar tipik mafioz e ndaluan duke i shkaktuar atij aksident dhe më pas nisën ta godasin me shkop bejzbolli.
Përfaqësuesi zyrtar i kompanisë Omnix njoftoi dje se, biznesmeni libanez Fadi Mitri tërhiqet nga të gjitha investimet në Shqipëri.
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër tij dhe familjes është shkak i këtij largimi, njoftoi kompania në një deklaratë për mediat.
“Ky akt i rëndë kriminal ia ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milionë USD në Gjirin e Lalëzit.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e hotelit me 5 yje, 370 dhoma me të gjithë elementët e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, park ujor, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj”, thuhet në reagimin zyrtar të Omnix.
Ky projekt gjigant do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan, është shprehur përfaqësuesi zyrtar i kompanisë.
“Me këtë investim, Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Si konkluzion, Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për çdo shqiptar. Duke filluar nga sot, Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë”,  referohet më tej në deklaratën zyrtare të largimit.
Përpjekjet e Omnix për të investuar në Shqipëri në zonën e Gjirit të Lalëzit kanë nisur 8 vite më parë. Por vetëm në vitin 2013, kompania mundi të marrë lejen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për zhvillimin e investimit. Por me rrotacionin politik të 2013 projekti u ngri. Vetëm tani, muajt e fundit qeveria Rama vendosi të hapë dritën jeshile për projektin, duke miratuar edhe shpyllëzimin e zonës ku do të ndërtohej resorti.
Investimi i Omnix ishte një ndër pesë projektet që fituan statusin e investimit strategjik Rastet e dhunës janë bërë shkaktarë madhorë për largimin e investitorëve nga Shqipëria. Kakomeja është padyshim një nga projektet më të përfolura në Shqipëri. Në fillim u mendua se do të ishte një projekt që do të mbante firmën e Club Med, por kompania u tërhoq nga investimi pak kohë më parë, për shkak të sagës në të cilën kaloi konflikti me banorët vendas për çështjet e pronësisë që shpesh herë u shoqërua me dhunë.

Artikulli paraprakSkandali, ministrja firmos, dhëndrri merr 23 milionë lekë
Artikulli tjetërNishani në OKB: Migracioni kërkon aksion ndërkombëtar