Vdekja në komisariat, s’kishte asnjë kërkesë për arrestimin

Zbardhen të tjera detaje për vdekjen në Komisariatin e Lushnjës të 54-vjeçarit Fadil Hoxha. Qytetari Thoma Dhori ka dëshmuar se nuk ka bërë asnjë kërkesë policisë për arrestimin e 54-vjeçarit Fadil Hoxha nga Policia e Lushnjës për akuzën e vjedhjes së ullinjve. Kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi ka publikuar deklaratën noteriale të qytetarit Thoma Dhori, që pranon se nuk ka bërë asnjë denoncim për të ndjerin Fadil Hoxha.
“Kjo është deklarata noteriale e qytetarit Thoma Dhori, që pranon se nuk ka asnjë informacion dhe nuk ka bërë asnjë denoncim për të ndjerin Fadil Hoxha, që ndërroi jetë para dy ditëve pas arrestimit të kriminelëve me uniformë policie”, shkruan Murrizi në faqen sociale Facebook. Ai shkruan se forcat e Policisë në Lushnjë janë shndërruar në bandë kundër qytetarëve me porosi të vetë kryeministrit. “Forcat e Policisë në Lushnjë janë shndërruar në bandë kundër qytetarëve me porosi të vetë kryeministrit siç u shfaq dje si shefi i bandës së drogës dhe i krekosur para anëtarëve të “bandës” me kapele dha porosi, që mbroni drogën dhe luftoni opozitën dhe qytetarët e pafajshëm. Edhe njëherë i bëj thirrje Prokurorisë të veprojë e të mos flejë në prehërin e krimit”, shkruan Murrizi.
54-vjeçari Fadil Hoxha humbi jetën të dielën, pasi ishte arrestuar nga Policia e Lushnjës. Ai ka pësuar infarkt në ambientet e paraburgimit dhe është dërguar nga Lushnja në QSUT, ku dhe ka ndërruar jetë. Familjarët, akuzojnë Policinë se u kanë refuzuar të fusnin ilaçet në ambientet e paraburgimit, pasi 54-vjeçari merrte tri herë në ditë për zemrën. Sipas dëshmisë së familjarëve, ndonëse ata i kishin kërkuar punonjësve të policisë që t’i fusnin në ambientet e paraburgimit ilaçet, kjo e fundit sipas tyre kishte refuzuar. Ndërkohë, në çertifikatën e vdekjes në QSUT shkaku i humbjes së jetës thuhet se është i panjohur. I ndjeri u shoqërua në polici për grabitjen e ullinjve.
Familjarët e 54-vjeçarit, që ndërroi jetë në spital, pasi ishte ndaluar nga policia si i akuzuar për vjedhje ullinjsh, deklarojnë se do të bëjnë kallëzim penal ndaj policisë. Ata akuzojnë policinë për sa i ndodhi të afërmit të tyre, i cili sipas tyre, nuk ishte hajdut, por u trajtua si i tillë.
Familjarët akuzuan policinë se nuk i lejoi t’i jepnin ilaçet të ndjerit, pasi ai vuante nga zemra. Vëllezërit e të ndjerit Fadil Hoxha shprehen se, i ndjeri nuk ishte hajdut, por është ndaluar pa asnjë shkak nga policia. Ata akuzojnë Policinë Bashkiake dhe atë të Rendit për dhunë psikologjike ndaj të ndjerit. “Fadili nuk ishte hajdut që e mori policia. Forcat e policisë kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij”, pohuan vëllezërit e viktimës.
Në polici, Hoxha deklaroi se vuante nga hipertensioni arterial dhe merrte mjekim 3 herë në ditë. Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës bëjnë me dije, se në 11:30 Hoxha kishte ndjerë dhimbje në gjoks dhe njoftoi policin roje, i cili më pas lajmëroi shërbimet që e shoqëruan në Urgjencën e Spitalit të Lushnjës, ku u diagnostikua me infarkt akut të miokardit dhe nivel të lartë të TST.
Kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi deklaroi një ditë më parë se, policia po bën përpjekje për të justifikuar vdekjen e 54-vjeçarit Fadil Hoxha në komisariat. “Të gjitha përpjekjet e turpshme të një shteti kriminel po bëhen për të justifikuar ndalimin arbitrar të të ndjerit. Policia Bashkiake e Divjakës me një polic Viktor Xhara i ka vajtur dy herë në shtëpinë e qytetarit Thoma Dhori, që ky i fundit të vinte e të firmoste një proçesverbal tek punonjësi i policisë Arben Trimi. Pas ndalimit të të ndjerit Fadil Hoxha, familjarët kanë kontaktuar me kryetarin e Bashkisë Divjakë, Kokoneshin, i cili ju ka premtuar që do të flasë me policineë dhe do të dalë. Mirëpo një ndërhyrje e nënkryetarit të Bashkisë Divjakë, Avdi Snalla, ka bërë që policia të zbatojë dëshirën e këtij me të cilin i ndjeri Fadil Hoxha ka patur konflikt personal para 3 vitesh”, shprehet Murrizi.

R.POLISI

Artikulli paraprakPronarët kundër Veliaj: Terminali i Autobusëve, vjedhja e radhës
Artikulli tjetërBerisha: Largimi i investitorit, sukses i Al Kapones