Debutim me kontraste për portierin e kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha në Serie A. Paraqitja e tij pozitive në ndeshjen e “San Siros” kundër Milanit u eklipsua nga humbja e Lazios. Djali i legjendës Foto Strakosha është prej vitesh pjesë e skuadrës bardhekaltër, por të martën në mbrëmje Marchetti ngriti flamurin e bardhë për shkak të një dëmtimi dhe trajneri Inzaghi preferoi shqiptarin në vend të kroatit Vargiç. Disa pritje vendimtare dhe asnjë përgjegjësi në rastin e dy golave të pësuar për 21-vjeçarin shqiptar që punon prej vitesh me trajnerin Inzaghi, pasi të dy kanë regjistruar suksese të mëdha me ekipin e të rinjve të Lazios. Strakosha plotësoi pritshmëritë e stafit drejtues edhe pse emocionet në një mbrëmje të tillë ishin të mëdha.
“Jam shumë i kënaqur për debutimin, por rëndësi kishte rezultati dhe nuk jam i lumtur për shkak të humbjes. Falënderoj trajnerin dhe klubin që kanë besuar tek unë. Ishte një ndeshje shumë emocionuese, por kur humbet të mbetet një shije e keqe. Duhet të vazhdoj të punoj dhe të shikoj përpara me besim. Inzaghi ka shumë pasion, por ne gabuam shumë edhe pse kam besim te ekipi. Fola me familjen time përpara ndeshjes dhe ishin që të gjithë shumë të lumtur”.
Edhe pse shumë kilometra larg, Foto Strakosha e ka përjetuar debutimin e të birit me emocione dhe krenari. Portieri i Lazios rrëfen më tej një moment interesant.
“Komunikova me të në telefon dhe mund të them që ishte më i stresuar se sa në periudhën kur luante vetë. Mund të them se kam kaluar momente shumë të vështira në aspektin psikologjik dhe kjo ishte ndeshja më e vështirë për mua. Tani duhet të shikojmë përpara dhe nuk ka aspak rëndësi nëse konsiderohem portier i dytë apo i tretë. Unë jam i fokusuar te stërvitja dhe dua të bëj një rrugë të gjatë në të ardhmen”.
Si për ironi të fatit, ishte largimi i Etrit Berishës nga Lazio që krijoi kushtet e duhura për debutimin e Strakoshës te Lazio. Me transferimin e tij në Bergamo, 21-vjeçari ngjiti shkallët e hierarkisë. Gjatë sezonit të shkuar ai ishte pjesë e skuadrës së parë, por nuk arriti të luante asnjë minutë, ndërsa gjatë merkatos së verës ofertat për të nuk munguan, por drejtuesit e skuadrës italiane vendosën t’i besonin sërish. Ndoshta në të ardhmen do të jetë pikërisht Strakosha njeriu që do të mbrojë katërkëndëshin bardhekaltër.