Skuadra spanjolle e Valencias ka shkarkuar trajnerin Pako Ayestaran, pasi nuk arriti të marrë asnjë pikë në sezonin e ri në kampionat, duke humbur që të katër ndeshjet e para. Drejtimi i përkohshëm i skuadrës i është besuar Voro Gonzalezit. Pas humbjes 2-1 në “San Mames” ndaj Athletic Bilbaos, Këshilli Administrativ u mblodh për të diskutuar situatën e rëndë në klub dhe zgjidhja më e mirë për të larguar krizën u pa largimi i Ayestaran.
Megjithatë, Valencia nuk po humbet kohë dhe është në kërkim të një emri të ri. Një nga kandidatët për të marrë drejtimin e skuadrës është ish-trajneri i Interit, Roberto Mançini. Sipas mediave italiane, shumë shpejtë do të nisin bisedimet për të bindur ish-in e Cityt të zhvendoset në Spanjë pas një aventure të hidhur me Interin në kampionatin italian.
Pako Ayestaran nuk është më trajner i Valencias. Starti i dobët i sezonit me katër humbje në po kaq ndeshje të La Ligas, i ka kushtuar postin 53-vjeçarit, i cili është shkarkuar nga detyra nga drejtuesit e klubit. Humbja 2-1 në “San Mames” ndaj Athletic Bilbaos mbushi kupën, ndaj dhe zgjidhja më e mirë për të larguar krizën u pa largimi i Ayestaran. Pas mbledhjes emergjente të Këshillit Administrativ u zyrtarizua shkarkimi i trajnerit spanjoll vendin e të cilit e ka marrë përkohësisht Voro Gonzalez.
Ndryshimi në pankinë erdhi vetëm pak orë para përballjes me Alaves në javën e 5-të të Primera Division. Ayestaran, i cili e mori drejtimin e skuadrës në fund të sezonit të kaluar deklaroi se vendimi i drejtuesve për ta shkarkuar ishte i nxituar. Ai theksoi se, iluzioni për të vijuar me një projekt ambicioz u shndërrua në zhgënjim. Gjithsesi falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe futbollistët për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, ku munguan rezultatet.
Ndërkohë, Chelsea ofroi 70 milionë euro për sulmuesin Alvaro Morata. Është vetë futbollisti i Realit të Madridit e përfaqësueses spanjolle që e zbuloi këtë lëvizje të drejtuesve të klubit londinez në një intervistë për gjermanen “Bild”. “Chelsea ishte klubi që u interesua më shumë për mua tha Morata. Antonio Conte arriti të më kishte nën urdhrat e tij te Juventus. Oferta ishte shumë e madhe dhe do të më shndërronte në futbollistin spanjoll më të shtrenjtë në histori. Chelsea ofroi 70 milionë euro, por Reali i Madridit bëri të ditur se isha pjesë e planeve të klubit”.
Në intervistën e tij, Morata nuk e fshehu admirimin e tij për Robert Lewandowskin, lojtarin e gjermanëve të Bayern, të cilin e përkufizoi si sulmuesin më të mirë për teknikën e tij dhe se ai nuk humbet asnjë ndeshje të polakut. Së fundmi në media është rindezur debati, se cili prej Mesit apo Ronaldos është futbollisti më i mirë dhe Morata në këtë pikë ka dalë në favor të shokut të tij të skuadrës, duke deklaruar se e sheh Ronaldon sesi lufton e punon çdo ditë me Realin e Madridit.