Familjarët e Fadil Hoxhës, i cili gjeti vdekjen në ambientet e Komisariatit të Policisë në Lushnjë, kanë kallëzuar penalisht në Prokurori policët e Divjakës. Djali i tij, Eridian Hoxha, i cili është edhe kryetar i Forumit Rinor të PD-së për Njësinë Administrative Grabian, thotë se ngjarja ka ndodhur për motive politike. Teksa mban në dorë një dëshmi noteriale nga pronari i tokës ku, sipas policisë, Fadili kishte vjedhur ullinj, Eridiani tregon për “News24” se, ndaj babait të tij nuk ka patur një kallëzim penal. Pronari i tokës ka dëshmuar para noterit se, në pronën e tij nuk është kryer ndonjë vjedhje, duke shtuar se nuk ka bërë kallëzim penal ndaj Fadil Hoxhës.
Ndërsa vëllai i viktimës, thotë se Fadil Hoxha është dhunuar nga policët, të cilët sipas tij e kanë kërcënuar që të pranonte një vepër, të cilën nuk e kishte kryer. Familjarët bëjnë përgjegjës për vdekjen e njeriut të tyre, dy policë dhe Shefi i Krimeve të Divjakës Viktor Xharon, Arben Trimin dhe Fatjon Zelën. Sipas djalit të viktimës, fillimisht babai i tij u ndalua nga Policia e Divjakës për makinën pa dokumenta. Më pas u akuzua për vjedhje tw ullinjve. Por ata kanë siguruar një deklaratë të noterizuar, ku pronari i ullinjve mohon një fakt të tillë. Familjarët Hoxha shprehen se kjo është një hakmarrje e nënkryetarit të Bashkisë së Divjakës, Avni Zallës, për shkak të një konflikti të kaluar gjatë zgjedhjeve lokale në 2015 në Grabjan.
– Pse keni ardhur në Prokurorinë e Lushnjës?
I biri: Aktualisht kemi ardhur për të bërë një kallëzim penal ndaj Policisë Bashkiake Divjakë, e cila në mënyrë të padrejtë arrestoi babain tim dhe në mënyrë të padrejtë e akuzuan për gjëra të paqena. E quajtën hajdut. Unë sot kam një deklaratë noteriale, ku pronari i pronës ku pretendohet se kishte vjedhur babai im thotë se mua as nuk më janë vjedhur ullinj dhe as nuk kam kallëzuar se më ka vjedhur njeri në pronën time. Është e noterizuar dhe e shikoni dhe vetë.
– Keni besim te drejtësia shqiptare?
I vëllai: Shpresojmë të bëhet diçka. Se nuk mund të akuzosh njerëzit në atë mënyrë. Ata duhet të ndëshkohen për shpërdorim detyre. Kur shkova dhe e vizitova në spital, ishin edhe policët që e shoqëronin. Thashë mos kishte bërë ndonjë sherr, por ata thanë ka bërë dëmtim pasurie.
– Ata e dinin që ishte invalid? Që vuante nga zemra?
I biri: Po i kam njoftuar. Edhe në Divjakë kushedi sa herë kam shkuar. Por ata e kishin dhunuar. Madje e kishin goditur në stomak. Ata thanë që është arrestuar për vjedhjen e ullinjve. Por nuk ka pasur asnjë kokërr ulliri në makinë.
– Kjo është arsyeja që ju shtyn ju të bëni sot kallëzimin penal? E quani arrestimin të padrejtë?
I biri: Arrestimi është i padrejtë. Atë e kanë keqtrajtuar. Ishin Viktor Xaro, Arben Trimi dhe Fatjon Zela.
– Të tre janë policë?
I biri: Fatjoni është shefi i Krimeve, i cili e merrte në Hetuesi atje. I bërtiste në mënyrë të tmerrshme. Arben Trimi e ka keqtrajtuar gjatë rrugës, kur e çonte për në komisariat. Kurse Viktor Xaro është një oficer bashkie. Edhe ai është i përfshirë në këtë pjesë, sepse ai pretendon se e kapën në ullishte.
– Ju keni një deklaratë noteriale të një tjetër personi nga Divjaka. Çfarë thuhet në të?
I vëllai: Djali që kishte qenë me vëllain tim, më vonë pasi doli, tha se “xhaxhain e qëlloi me grusht në stomak ai polici, që tha t’i merrnin e t’i fusnin në makinë karrocat, thasët që kishin gjetur atje”. Por vëllai im s’kishte pranuar dhe ai e kishte goditur me grusht. Dhe i kishte thënë do të ta bëj kurrizin më të butë se barkun. Kishte folur sharje nga më të ndryshmet, që nuk i bën as një rrugaç.
– Pse mendoni se ka ndodhur e gjitha kjo?
I biri: Kjo ka ndodhur për arsye politike, sepse në momentin që kontaktoj me kryetarin e Bashkisë për makinën pa letra dhe tentova ta nxjerr, pas 10 minuta vjen Viktor Xara me makinën e Policisë Bashkiake dhe më thanë që letrat po i bëhen për burg. Këtë qiri o e fik o ndez Avdis Nalla.
I vëllai: Avdis Nalla është nënkryetar bashkie, aktualisht dhe ka qenë kryetar komune në Grabian. Vëllai im në zgjedhjet e fundit ka qenë kryetar komisioni dhe aty në Grabian ka fituar PD. Dhe kjo është punë politike. E kishin thënë që do t’i bënin diçka këtij personi dhe e bënë.
I biri: Kurse unë kryetar i degës së PD në zonë.