Shakaxhinjtë e “Përparimit”

Bledi KASMI

Ndryshojnë shumë pak nga ata për të cilët fliste Noli një shekull më parë. Koha duket sikur ka ndalur për shqiptarët. Shakaxhinjtë e “përparimit” kanë bërë aq shumë përpara sa na kanë rikthyer tre vite prapa në kohën kur Berisha kishte miratuar të njëjtin ligj për Mbetjet.
Tre vite kohë të humbura, tre vite kosto për industrinë  e mbetjeve dhe tre vite për të vërtetuar një mashtrim. Qeveria sot duhet të konsiderohet e rrëzuar. Ajo po miraton një ligj të cilin tre vite më parë e ktheu në kauzë të saj politike në Parlament dhe në protestat me të ashtuquajturën shoqëri civile. Ku janw sot ata?
Ka rënë ligji i parë kësaj qeverie. Nuk ka rënë nga opozita. Nuk ka rënë as nga numrat në Parlament. Nuk ka rënë as nga protestat. Ka rënë nga ata që vetë e miratuan. Simbolika e fjalës së parë të kthyer në një vendim nuk është vetëm simbolike, por është mjaft domethënëse, dhe jo vetëm për një qeveri.
Pa fjalën e parë askush nuk mund të ekzistojë si i vërtetë, por si një manipulim dhe deformim, që nuk ka asnjë bazë besueshmërie. Nëse librave të shenjtë do t’u heqësh fjalën e parë të tyre të shkruar, ata nuk do të ishin më të tillë. Sikur abetares ti heqësh gërmën e saj të parë, ajo nuk do të quhet më një abetare.
Kështu është edhe qeveria. Në momentin që ajo rrëzon vetë aktin e parë të saj, ajo ka rrëzuar vetveten. Vendimi i Ramës për të miratuar në Parlament ligjin Berisha për Mbetjet është prova se Rama ishte një aksident politik dhe historik në këtë vend. Se këto tre vite kanë qenë një kohë e humbur dhe me një kosto mjaft të lartë.
Një aventurë e paguar shtrenjtë për të cilën nuk kanë kurajon t’u kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i kanë gënjyer. Nuk mund të dalin të thonë të vërtetën se ajo u djeg. Nuk mund të thonë arsyen përse e anulluan ligjin për mbetjet tre vite më parë dhe përse e sjellin sot në Parlament?
E vërteta është se atë veprim publik të veshur me vellon e të mirës publike në fakt e bënë për ti vënë një gjobë disa miliona euroshe kësaj industrie. Kjo është edhe arsyeja që e miratojnë sot. Ky është mekanizmi i cili lyen rrotën gjigande të korrupsionit të kësaj qeverise dhe me të cilën vihet në lëvizje vendimmarrja kryeministrore.
Nuk është as rasti i parë dhe nuk do të jetë as i fundit për ti njohur mirë këto shakaxhinj “përparimtarë të Rilindjes”.
Kujtoni edhe vendimin e dytë të kësaj qeverie të marrë në fillimet e saj. U bllokuan të gjitha lojrat e fatit. Por, bllokimi zgjati vetëm 10 ditë dhe pas atyre pak ditëve gjithçka u kthye si më pare. Njësoj sikurse po ndodh sot me importin e plehrave.
Ndodhi kështu edhe atëhere sepse biznesi i lojrave të fatit e pagoi më parë gjobën kryeministrore.

Artikulli paraprakLufta për drogën, tjetër viktimë në Gramsh, policia fsheh motivet
Artikulli tjetërFaqja e parë