Të ardhurat buxhetore për periudhën janar-gusht 2016 arritën në 265.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për periudhën janar-korrik të ardhurat në total ishin rritur me 8.2%, ndërsa në janar-shkurt zgjerimi ishte dyshifror prej 20%. Gjithsesi, rritja e lartë në muajt e parë të 2016-s lidhet më shumë me performancën e dobët buxhetore në janar-shkurt 2015, si rrjedhojë e vendosjes së sistemit të ri online te tatimet. Më pas të ardhurat mujore u stabilizuan në rreth 32-35 miliardë lekë, aq sa po mblidhen edhe këtë vit.
Në raport me planin fillestar, të ardhurat për 8-mujorin ishin 4.5 miliardë lekë më pak sesa plani.
Në gusht 2016 u mblodhën gjithsej 32.56 miliardë lekë, nga 32.38 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra pothuajse në të njëjtat nivele. Gushti 2016 ishte muaji më i dobët i këtij viti, që nga shkurti (shiko grafikun), ndërsa muaji më i mirë ka qenë korriku, me 34.9 miliardë lekë të ardhura.
Në total, për 8-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 181.6 miliardë lekë, me një zgjerim prej 8.4% me bazë vjetore. Ecurinë më të mirë e kanë pasur të ardhurat nga tatim fitimi që janë zgjeruar me 18.8%, kryesisht si rrjedhojë e këstit mujor që derdhte Bankers Petroleum, por që nuk do e paguajë më, pasi auditori i dha të drejtë kompanisë në konfliktin me tatimet, si dhe performancës së mirë të shoqërive energjetike, si OSHEE apo KESH.
Të ardhurat nga TVSH janë rritur me 6.8% për periudhën janar-gusht, në raport me 8-mujorin e një viti më parë. Akciza u zgjerua me 6.2%, si rrjedhojë e rritjes së importeve të mallrave të akcizës dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 12.1%.
Ecuri të mirë shënuan dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, me zgjerim përkatësisht me 12.6 dhe 12.7%, megjithatë duhet pritur si do të jetë ecuria e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pagat e referencës për profesionet e lira. Vendosja e tyre nga janari rriti ndjeshëm sigurimet që duhet të paguanin profesionistët, duke ndikuar pozitivisht në këtë zë.
Buxheti është penalizuar nga rënia e të ardhurave jo tatimore, teksa Banka e Shqipërisë derdh fitime minimale, ndërsa këtë vit nuk ka arkëtime të jashtëzakonshme nga licencat celulare, siç ndodhi vitin e kaluar.