Mesi tre javë larg fushave

Barcelona nuk arrin të ngushtojë diferencën nga Reali kryesues. Përveç dy pikëve të humbura në shtëpi përballë Atletico Madrid, lajmi i keq për katalanët ishte dëmtimi i Lionel Mesit. Ylli argjentinas u detyrua të largohej nga fusha kur kronometri tregonte afërsisht një orë lojë. Sulmuesi u zëvendësua për shkak të dhembjeve.
Gjithsesi, në përfundim të ndeshjes ata konfirmuan se bëhet fjalë për një shqetësim muskulor në kofshën e djathtë, i cili do e mbajë jashtë fushave të lojës për të paktën tri javë. Ajo që duhet të specifikohet në analizat e kryera është nëse u rikthye edhe problemi i pubalgjisë, pasi ka pasur gjithashtu shqetësime gjatë kohëve të fundit.
Bazuar në diagnozën paraprake, Mesi do të qëndrojë të paktën tre javë jashtë fushave të lojës. Stafi mjekësor i Barcelonës do të zhvillojë të tjera kontrolle, pasi i trembet faktit që dëmtimi i pësuar mund të lidhet me pubalgjinë, një problem me të cilin numri 10 bashkëjeton tashmë prej kohësh. Largimi i Lionel Mesit nga fusha u ndje menjëherë te Barcelona, me balancat e skuadrës që u prishën dhe Atletico-n që nisi ta sulmonte, duke shënuar vetëm pak minuta pas zëvendësimit golin e barazimit me Correa-n.
Me dëmtimin e pësuar, Mesi nuk do të luajë për Argjentinën në kualifikueset e Botërorit 2018, në sfidat ndaj Perusë dhe Paraguajit, më 7 dhe 12 tetor. Në anën tjetër, Barcelona duhet të bëjë pa shërbimet e lojtarit kryesor në dy sfidat e kampionatit kundër Sporting Gijon dhe Celta Vigo, si edhe për ndeshjen në Champions ndaj Borussia Monchengladbach. Objektivi i klubit “blaugrana” është që Mesi të kthehet i gatshëm për duelin e 15 tetorit me Deportivo La Coruna dhe që sulmuesi të jetë titullar katër ditë më pas ndaj Manchester City-t.

Artikulli paraprakKoncesioni, 65 milionë euro të tjera do të paguajnë shqiptarët për arkën Rama të Rrugës së “Kombit”
Artikulli tjetërFrenohen Barcelona dhe Reali