“Luftë” mes Pep dhe agjentit të Ture

Një ditë, pasi Pep Guardiola tha që Jaja Ture nuk ka për të luajtur më me Mançester Sitin nëse nuk kërkon falje, ka ardhur replika e agjentit të mesfushorit nga Bregu i Fildishtë. Dimitri Seluk ka kritikuar ashpër trajnerin spanjoll dhe ka zbuluar se më parë, ai ka thënë se, Mançester Siti është një skuadër m…
“Kur Ture u largua nga Barcelona për të shkuar te Siti, ai i tha se po shkonte në një ekip m…, por tani edhe ai vetë është në këtë skuadër m… Kjo është e gjithë situata dhe Guardiola u transferua në Angli për faktin se i pëlqejnë paratë më shumë sesa futbolli. Guardiola i pëlqen lojtarët në bazë të raporteve që ka me agjentët e lojtarëve. Ture nuk shkoi në skuadrën që ishte Guardiola, por ky i fundit erdhi në skuadrën që ishte Ture”, tha Seluk.
Ai nuk ngurroi ta kritikonte ashpër Pepin për arritjet që ka bërë te Barcelona. “Është e vërtetë që Guardiola fitoi shumë te Barcelona, por edhe Enrike po bën të njëjtat gjëra. E njëjta situatë edhe te Bajerni. Mendoj se me Ançelotin mund të bëjnë më mirë. Poketino dhe Ranieri janë trajnerë më të mirë se Guardiola, edhe pse kanë fituar më pak se ai”, vazhdoi më tej agjenti i Turesë.
Më pas, ai i lëshoi sfidën teknikut spanjoll duke thënë se, nëse është trajner i madh të marrë një ekip të vogël. “Vlerat e tij si trajner do të duken te Sandërlendi. Në këtë skuadër do të kuptohen vlerat që ka”, përfundoi Seluk.
Marrëdhëniet mes Pep Guardiolës dhe Jaja Turesë janë përfundimisht të ngrira, madje trajneri i Mançester Sitit është përfshirë në një debat të ashpër në distancë me agjentin e mesfushorit, Dimitri Seluk.
Shkak është bërë vendimi i teknikut spanjoll për ta lënë lojtarin jashtë listës së të grumbulluarve për Ligën e Kampioneve. Menaxheri rus pati deklaruar se, përjashtimi nga Champions-i është mungesë respekti e Guardiolës kundrejt Turesë dhe se Pep “do të kishte luftë nëse luftë kërkonte”.
Këto deklarata nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit katalanas, i cili sot u shpreh para gazetarëve: “Ture do të rikthehet të luajë me Sitin vetëm kur agjenti i tij të më kërkojë falje për deklaratat e lëshuara pas përjashtimit nga Liga e Kampioneve. Nuk mund ta paramendoj ç’mund të kishte ndodhur nëse menaxheri im të hidhte deklarata të ngjashme ndaj Krujfit, kur luaja te Barcelona. Nëse Seluk ka probleme, le të diskutojë me drejtuesit e klubit”.
I menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i menaxherit rus me banim në Barcelonë, i cili nuk ka bërë kurrfarë hapi pas. Përkundrazi. “Nëse unë i kërkoj falje Guardiolës, atëherë ai duhet t’i kërkojë Pelegrinit. Ai po që ishte burrë zotëri, kishte firmosur rinovimin e kontratës një vit më parë dhe u largua nga klubi, sepse Guardiola dëshironte Sitin”, deklaroi ai për “Sky Sports News HQ”.
Duke vijuar me sulmet ndaj 45-vjeçarit, Seluk tha: “Guardiola duhet t’i kërkojë ndjesë edhe Hartit, pasi nuk është e drejtë të dëbosh nga klubi një ndër të paktët lojtarë anglezë sapo të shkelësh në këtë vend. Kur mbërrin në një vend, duhet edhe të respektosh njerëzit aty. Por ai ka sjellë me vete vetëm spanjollë”.
Në fund, menaxheri rus u ndal edhe te karriera e mesfushorit ivorian te Mançester Siti: “Kur erdhi Ture, Siti vetëm mund ta ëndërronte Champions-in. Yjet e mëdhenj të Europës nuk e dëshironin Sitin, por Jaja erdhi pavarësisht faktit që nuk bëhej fjalë për një klub të madh. Vetëm pas mbërritjes së tij, skuadra nisi të fitojë. Unë kam respekt për trajnerë si Ranieri, që arrijnë rezultate të mira pa shpenzuar shumë para”.

Artikulli paraprakNice kryeson falë Mario Balotellit
Artikulli tjetërPresidenti Nishani dhe Zonja Nishani në pritjen e Presidentit Obama