Referendum për plehrat

Basha nis turin me qytetarët të hënën

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” se PD do të qëndrojë në krah të qytetarëve kundër ligjit të mbetjeve ndërsa cilësoi të drejtë legjitime kërkesën e tyre për zhvillimin e një referendumi mbi këtë ligj. Përballë një paneli gazetarësh, Basha komentoi dje situatën më të fundit politike në vend duke u ndalur tek ligji mafioz i mbetjeve, trafiku i drogës, vjedhja e votave në Dibër etj. Basha tha se duke nisur nga e hëna që vjen, ai do të nisë turin me qytetarët duke ndërtuar një model të ri në politikën shqiptare, atë të aleancës me qytetarët. “Të hënën nis turin tjetër. Unë dua të ndërtoj modelin e marrjes së mendimit të qytetarëve pa filtra. Ne duhet të varemi nga qytetarët dhe jo nga oligarkëve. Edhe unë kam patur stokun tim të gabimeve si ministër e si kryebashkiak por unë kam mësuar nga ato dhe prandaj unë do t’ia dal, ne do t’ia dalim sepse rrota e historisë ecën përpara”- ka qenë ky njoftimi i Bashës që ai bëri në përfundim të emisionit Opinion.  Në lidhje me ligjin e mbetjeve, Basha tha: “5 vjet më parë edhe ne e kaluam një ligj të tillë dhe e gjykuam se ishte i drejtë. Në mbledhjen e parë të qeverisë, Z. Edi Rama e ka anulluar. Gjatë asaj kohe 70 mijë qytetarë mblodhën firmat për të bërë referendum. Rama e bën këtë ligj në pabesinë më të madhe se do ta anullonte këtë ligj por me këtë pretekst u anullua edhe referendumi. Ai ju ka pamundësuar referendumin. Ligji që po tenton të kalohet është një ligj mafioz”.

-Cili është qëndrimi i PD për ligjin e importit të mbetjeve që sot që ka përballur shoqërinë civile me forcat e rendit përpara parlamentit shqiptar?
Qëndrimi për ngjarjen që po zhvillohet në Parlament për ligjin e sjellë nga zoti Rama për importin e mbetjeve është një qëndrim i shpallur tashmë nga grupi ynë parlamentar nga kryetari i grupit parlamentar dhe nga referentja për këtë çështje zonja Vokshi në seancën parlamentare dhe vota e grupit parlamentar të PD do të jetë kundër këtij projektligji.

-Kundër apo abstenim?
Do të jetë kundër këtij projektligji është shpallur tashmë , është bërë publik para disa orësh qëndrimi ynë. Ndërkohë pesë vite më parë ju keni patur këtë betejë pikërisht me mazhorancën e sotme në atë kohë opozitë dhe i keni propozuar ju një ligj të ngjashëm me pak a shumë të njëjtat referenca.
Pesë vite më parë jo propozuam por kaluam një ligj që kishte të bënte me riciklimin dhe industrinë e riciklimit, qeveria kështu e gjykoi, ne menduam se bëmë gjënë e duhur në atë moment Motivi ynë ishte rregullimi i sektorit. Për këtë arsye morëm ekspertizën e Komisionit evropian për të adoptuar këtë ligj në suazën e sjelljes së ligjeve shqiptare në përputhje me standardin evropian. Morëm pra ekspertë të KE kështu u gjykua më të mirë.
Unë nuk mund ta kundërshtoj këtë por nuk kam komente për këtë fakt. Fakti është që ligji kaloi . ligji u anullua nga kjo qeveri . Në mbledhjen e parë të qeverisë një nga tri vendimet e para, zoti Rama e anulloi këtë ligj. Duke bërë këtë ai pamundësoi . qëndrimi ynë për ligjin ka evoluar është e qartë apo jo që nga momenti që kemi patur një ligj sot jemi kundër. Pse ka evoluar?Ka patur një zhvillim të rëndësishëm afër 70 mijë qytetarë mblodhën firma për një referendum kundër ligjit të mbetjeve. Ne e respektojmë këtë vullnet të qytetarëve. Ky vullnet i qytetarëve do të merrte formë përmes një referendum nëqoftëse nuk gabohem në 14 dhjetor 2013 , data ishte përcaktuar nga Presidenti i republikës. Edi Rama premtoi në fushatë së ky ligj do të anullohej dhe me ardhjen e tij një nga aktet e para që bëri ishte anullimi i tij. Me anullimin e ligjit u pamundësua dhe në fakt u bë i panevojshëm referendum . Këtu qëndron dhe pabesia, çfarë ka ndodhur që tre vite më vonë njeriu, fjalimi i të cilit sot është bërë publik në media dhe në parlament ndryshon 180 gradë, por e bën këtë në një pabesi totale ndaj qytetarëve të cilëve u kishte premtuar në fushatë u kishte kërkuar votën në fushatë dhe u kishte marrë votën nga ata edhe për premtimin se do të anullonte ligjin.
Së dyti, me këtë pretekst që më vonë u kthye në vendim u anullua referendumi si shprehja më e lartë e vendimmarrjes popullore sepse nuk ka një vendim më të fortë se një vendim referendar që vjen nga vota e çdo qytetari që dëshiron dhe mund të votojë sipas termave ligjorë.
Ajo që po ndodh sot ku ndryshon me atë çfarë bëmë ne ? ne patëm një qëndrim në kuadrin e qëndrimeve tona për aspektin rregullator të një industrie të cilën e konsideronim të rëndësishme siç është industria e riciklimit dhe morëm një vendim rregullator.
Sot Edi Rama po merr vendimin e tij në radhë të parë duke prerë në besë qytetarët të cilëve u kishte premtuar shfuqizimin e ligjit, së dyti duke prerë në besë sepse referendumi u pamundësua për shkak të qëndrimit të tij dhe në një kontekst krejtësisht tjetër. Konteksti ynë ishte i shpjeguar , pati debate pati debate dhe Brenda qeverisë disa prej tyre u r reflektuan në media. Pati debate Brenda qeverisë pati debate Brenda dikastereve. Ndërsa ky ligj kalon në një kontekst tjetër dhe konteksti në të cilin kalon nuk ka kontekst tjetër përveçse se një konteksti kriminal , mafioz i importit të plehrave.

-Ju e keni analizë apo ka edhe fakte?
Sigurisht është analizë por ka edhe fakte pyetja është çfarë ka ndryshuar .

– Edhe Rama përdor të njëjtat argumente që lidhen me industrinë e riciklimit. Unë vetë jam kundër . ju po thoni se Rama ka tradhëtuar.. juve që keni ndryshuar qëndrimin nga ai i mëparshmi. Pse ka evoluar?
Ka evoluar sepse u përballëm me një vullnet popullor.

-Çfarë ka ndryshuar në terma materiale?
Jua shpjegoj unë në terma material dhe politikë. Kur ke një vullnet popullor, ke një lëvizje të gjerë popullore e cila kundërshton një ligj i cili u mor në rrethana të caktuara ë unë nuk kam pse ta komentoj më tej. Qëndrimi ynë që ka rëndësi politike sepse i referohet çfarë do të bëjmë sot sepse me të nesërmen merren historianët ndoshta dhe ju qëndrimi ynë pra ka evoluar pikërisht për shkak të këtij vullneti popullor, qëndrimi ynë pra ka evoluar pikërisht për shkak të leximit të këtij vullneti popullor. Dhe këtu gjendemi përballë një qeverie, e cila jo vetëm nuk po bën atë që kishte premtuar, por po bën pikërisht të kundërtën. Po bën pikërisht atë që kishte premtuar se nuk do ta bënte.

-Ju po bëni politikë dhe jeni në të drejtën tuaj. Pesë vite më parë të njëjtat fjalë që thoni do t’i thonte Rama por me një diksion tjetër. Në terren konkret çfarë ka ndryshuar?
Po e përsëris për herë të tretë. Ajo çfarë ka ndryshuar është leximi i vullnetit qytetar. Kur ke 64 mijë firma që janë mbledhur për një referendum për një çështje, kjo është e para që ka ndryshuar. Ne lexojmë një vullnet të ndryshëm qytetar. E dyta ka ndryshuar konteksti. Ne, me të vërtetë kur u bë ligji qeveria mendoi se ishte hapi i duhur dhe për këtë po ju them se nuk kishte një kontekst të tillë si ky i sotmi referendar por kishte një kontekst ku u mor ekspertizë e Brukselit për të hartuar një ligj me standard evropian. Dhe ky ligj në këndvështrimin tonë i hapte rrugë rregullimit të një industrie riciklimi e cila ishte përgjegjëse për punësimin e mijëra qytetarëve. Kjo industri sot është e marrë fund nuk ekziston. Nuk ekziston. Kjo industri u vu në presion të jashtëzakonshëm me qëndrimin e kësaj qeverie. unë kam vizituar disa prej këtyre ndërmarrjeve dy muaj më parë në Durrës . ato janë realisht përfundimisht të falimentuara . gjëja e parë që qeveria duhej të bënte është ti kërkonte falje për hapin e pamenduar që bëri . Gjëja e dytë që duhej të bënte nëse e kishte prioritet dhe kjo i është kërkuar sot në parlament …
Hapi i ndalimit të importit të mbetjeve ndaloi procesin e formalizimit, e rregullimit të industrisë ricikluese e vuri atë në vështirësi të jashtëzakonshme kushtoi mijëra vende pune dhe hapi i parë që duhej të bënte duhej të ishte kompensimi i industrive ricikluese dhe nëqoftëse politika e kësaj qeverie ishte siç ka të drejtë një qeveri e zgjedhur me votë, të mos nxiste sektorin e riciklimit por të orientonte këtë sektor me aq sa mundej drejt një industrie tjetër apo drejt një mënyre tjetër për të siguruar në radhë të parë riciklimin e mbetjeve të brendshme , të cilat nuk po ndodhin dhe në radhë të dytë për të siguruar që potencialet , të punësuarit në këto kompani të mos mbeteshin mes katër rrugëve. Nuk bëri asnjërën as tjetrën. Ky është konteksti. Dhe në këtë kontekst ky vjen pas tri vitesh , pasi ka anulluar dhe referendumin dhe thotë se unë do ta sjell këtë ligj. Tani në këtë kontekst të ri pyetja është pse e sjell. Kjo është pyetja , pse e sjell ligjin tani?

-Kush përfiton nga ky ligj zoti Basha , zoti Rama foli për katër kompani. Ju keni informacion?
Unë mendoj se këtu po luhet me fasadë, me atë fije që ka mbetur të industrisë së riciklimit dhe në fakt pas këtyre qëndrojnë peshq të mëdhenj. Ne kemi parë një ngjarje tragjike në Sharrë , para një muaji vdekjen e një djali 17 vjeçar Ardit Gjoklaj në rrethana makabre , të cilat janë rënduar dhe më shumë nga rrethanat për të fshehur krimin, të cilat mbeten sot të komplikuara të rënduara politikisht sepse i pari punës atje , njëkohësisht një zyrtar i lartë i PS , drejtues i degës së Peqinit vazhdon të jetë në kërkim që do të thotë vazhdon të mbrohet nga qeveria se nuk ka shpjegim tjetër në rrethana akoma më rënduese ligjore sepse kjo kompani po punonte aty jashtë çdo autorizimi , ndërkohë që kemi një marrëveshje po antiligjore që e kemi ngritur në këshillin bashkiak të Tiranës të kryetarit të Bashkisë me një kompani italiane të trajtimit të plehrave , pra një aferë korruptive.

-Çfarë qëndrimi do të mbani kur të vini në pushtet? Do ta anulloni?
Ne sot jemi me një qëndrim të qartë në një kontekst të qartë politik. Pse? Ne besojmë që ky ndryshimi i ligjit ndodh në një kontekst politik nuk ndodh në eter. Ndodh për të favorizuar mafien e plehrave, nuk ndodh për ti ardhur në ndihmë industrisë së riciklimit të cilës ia vunë lakun te fyti. Ky qëndrim është sot i qartë dhe i vendosur qëndrimi është se ligji në këtë kontekst politik nuk bëhet për industrinë e riciklimit, nuk bëhet për të mbrojtur ambientin shqiptar , bëhet në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm të aferave të klaneve mafioze . Në kontekstin aktual politik vota e opozitës, vota e PD do të jetë kundër sepse ky ligj nuk bëhet për interesin qytetar , por bëhet si pjesa dërmuese e ligjeve e koncesioneve e tenderëve e vendimeve të qeverisë, për ti marrë shumicës të drejta dhe për t’ia dhënë një pakice. Dhe kjo pakicë është një pakicë e rrezikshme.

-Zoti Basha deri dje është deklaruar se ju do të abstenonit ndërsa sot thoni se do të votoni kundër?
Qëndrimi i opozitës ka qenë prej fillimit se kjo çështje ka qenë e nxitur prej një afere kriminale dhe këtu nuk ka asnjë ndryshim.

-Pse nuk është votuar kundër që në fillim të komisionit ky ligj? Por ka patur abstenim dhe deputeti Ruli është larguar?
Padyshim që ka patur një dilemë nisur nga fakti që Partia Demokratike ka qenë propozuese e këtij ligji me një kontekst krejtësisht tjetër dhe sot jemi në një kontekst tjetër.

-Por ju duhet të kishit një qëndrim të unifikuar? Pse keni ndryshuar qëndrim?
Qëndrimi ka evoluar dhe kemi arritur në këtë qëndrim kundër sepse konteksti që po ndodh kjo në kundërshtim flagrant me një aspiratë popullore referendare të 64 mijë firmëtarëve të peticionit që do të merrte një formë referendumi. Është një qëndrim që respekton këtë qëndrim qytetar dhe e dyta është jo dyshimi por dija jonë se ky ligj nuk bëhet për të njëjtat motive.

-Po për deputetët tuaj që kanë pasur qëndrime të kundërta?
-Duhet të mësoheni me qëndrime të kundërta edhe kur jemi në opozitë.

– Çështja e Arditit në landfillin e Sharrës…
Ajo është çështje e frikshme për familjarët dhe që mbetet pa përgjigje, por është edhe ilustrimi i pashpirtësisë së qeverisë.

– Jeni kundër ligjit të mbetjeve se Rama është i lidhur me mafian apo se është i dëmshëm për qytetarët?
Jemi mësuar me një mënyrë të të vepruari të partive politike të opozitës, është normale të ketë debat brenda opozitës. Çfarë është e rëndësishme, në fund fare ka një qëndrim të konsoliduar.

– Pse nuk e bllokuat këtë ligj në komision, pse nuk thirrët takime me OJQ-të?
E keni gabim. I kemi bërë. Ajo që kemi hasur ka qenë shurdhëria e qeverisë. Qeveria është e droguar nga aleanca e numrave. Çfarë mendoni ju? 60 mijë qytetarë kanë firmosur për peticion, ky ka anuluar ligjin dhe ju mendoni se opozita do të kishte dorë ta bllokonte në komision.

– Çfarë keni frikë ju, që prej importit do të vijnë plehra të rrezikshme jashtë listës së gjelbër të mbetjeve të lejueshme dhe këto plehra do të depozitohet në vende sekrete…? Këtë keni frikë?
E drejtë. Ne kemi dy qëndrime bazë, e para, jo frikën, por bindjen për rikthimin e ligjit. Përse rikthehet ligji? Pse e riktheu ligjin pas tre vitesh, ky e anuloi. Ne kemi bindjen se pas kësaj sipas çdo vendimi tjetër që ka marrë, si koncesionet për shëndetësinë, check up, sterilizimi, koncesioni i rrugës Durrës-Kukës qëndron një aferë e pistë, mafioze, korruptive.

– Kush janë këta?
Kush janë këta? Mund ta thoni edhe ju kush janë, se edhe ju gazetarë jeni. Unë pres të marr fakte ju. Pra, ne kemi bindjen se pas këtij ndryshimi 180 gradë qëndron mafia e plehrave, ka një aferë korruptive. Mafia ndërkombëtare e plehrave. Ne besojmë se gjurmët e kësaj afere janë edhe në Sharrë, të mafies ndërkombëtare. Ne besojmë se janë masha, kryetari i PS së Peqinit dhe firma fantazmë, dhe sigurisht që kjo meriton një hetim më të thellë…

-Është publike ajo e Sharrës…
Jo nuk është publike. Është private. Dhe motivi i dytë, ka të bëjë me një kulturë të re politike që duhet ta ndërtojmë në këtë vend dreqi e mori. Duhet të kemi një sensivitet, ndaj qytetarëve duhet ta tregojmë këtë sensivitet dhe jo ta tregojmë vetëm kur vjen për t’iu marrë votën. Ke 64 mijë qytetarë që kanë firmosur peticionin për të bërë referendumin. Ne si qeveri e respektuam këtë të drejtë, u la data 14 dhjetor. Këta duhen dëgjuar. E para, është çështje thelbësore që në këtë kontekst ka një aferë korruptive mafioze të qeverisë dhe nuk ka asnjë motiv tjetër për të kthyer ligjin dhe e dyta, ne si opozitë kemi detyrimin të dëgjojmë vullnetin e qytetarëve.

– Rama bëri mirë që dëgjoi për armët kimike…
Mos të hapim atë të Sirisë se ishte çështje tjetër. U detyrua jo bëri mirë, janë dy gjëra të ndryshme.

– Edhe ju nga 64 mijë firma u detyruat të ndryshonit qëndrimin. T’i linit në baltë këto industritë, sepse grupet e interesit reaguan…
Mos të jemi jashtë kontekstit. Industritë morën fund, industritë kanë tri vite, morën fund, nuk ka më industri. Po të them edhe një herë, industritë kanë mbetur me nga një ose dy punëtorë. Industritë morën fund. A do të bëhet ky ligj për të ringjallur këto industri? I digjet barku pas tre vitesh për të ringjallur këto industri? Apo për të zhvendosur me forcë biznesin e riciklimit në duar mafioze dhe klienteliste kjo është pyetja dhe përgjigjja jonë ndaj kësaj pyetje është e dyta: Nuk i bëhet vonë për industritë, nuk i bëhet vonë për riciklimin…

– Zoti Basha, keni fakte apo keni perceptimin që është mafia pas kësaj, pse nuk keni reaguar më parë…
Qëndrimi është shpallur më parë.

– Po të kishit reaguar më parë njerëzit do të ishin më të shumtë në protestë.
Ka dhe do të ketë dhe nesër, edhe pasnesër më shumë. Vota jonë asnjëherë nuk do të ishte pro. Ishte për braktisje të komisionit apo votë kundër. U konsolidua në votë kundër pasi krijuam bindjen e plotë.

– Mos e lejoni miratimin e ligjit…
Ju e dini që nuk i kemi numrat dhe për këtë çështje ashtu si edhe për çështjet e tjera është aleanca e opozitës me qytetarët. Të mbetemi pak tek roli i gjithsecilit prej nesh. Unë jam opozita, ju jeni media. Po të kishim numrat, të jeni të sigurtë se ne do ta bllokonim. Aleancën me qytetarët për këtë çështje e kemi shpallur, që sot siç e thamë. Aktet i kemi bërë, procesi ka vazhduar.

– Kam përshtypjen se do të votoni dhe do të thoni ja e votoi mazhoranca etj…
Unë e kuptoj misionin tuaj për të diskredituar opozitën. Këtu nuk është çështja e opozitës, është çështja e një qeverie që mori votën.

– Ne kemi shpresë tek opozita…
Atëherë ky është një moment për të reflektuar së bashku, meqë ke shpresë tek opozita dhe për të parë që opozita në vendin tënd ka marrë një vendim. Ti mund të kesh mendimin tënd që është i vonuar, mund ta kesh të drejtë apo të padrejtë, por fakti është që opozita ka marrë një vendim, duke lexuar vullnetin e qytetarëve, ka marrë një vendim duke parë rrezikun e madh.

– Pse nuk rrini në Parlament ta bllokoni seancën që të mos miratohet ligji?
Ligji i plehrave, nëse koalicioni ka vendosur ta kalojë, do ta kalojë. Modeli i opozitës që ofroj unë është ai i reflektimit, edhe për atë që kemi vendosur vetë para 5 vitesh ndonëse në një kontekst tjetër, reflektojmë edhe duke parë vullnetin e qytetarëve, reflektojmë duke parë edhe rrezikun që i kanoset qytetarëve nga një qeveri oligarkike.

– Ndërkohë që ne flasim, projektligji është miratuar me 63 vota. Çfarë do të ndodhë nesër?
63 vota tregojnë që ky ligj nuk ka as mbështetjen e mazhorancës dhe unë dua të përshëndes të gjithë ata deputetë të mazhorancës, të cilët kanë gjetur kurajon të mos i binden urdhrit politik për të votuar. Ky është momenti që ne si opozitë, përpos qëndrimit kundër që kemi shpallur të bëjmë gjithçka me të gjithë faktorët, me aleancën kundër mbetjeve, me shoqërinë civile, me ju si media, të vendosim hapat. Se cilat do të jenë këto hapa unë ju ftoj t’i diskutojmë bashkërisht.

– Opozita nuk ka qenë në seancë…
Opozita ka qenë me numrin e votave që ka pasur dhe numrin e votave e ka pasur kundër. Opozita ka qenë kundër, ka votuar kundër.

– Ju bëtë një akuzë të rëndë, ku partnerë të qeverisë janë struktura ndërkombëtare të plehrave, keni ndonjë fakt konkret për këtë?
E dyta, ky vokacion kundër importit të plehrave ka qenë edhe para dy muajve dhe e treta, cilat janë hapat tuaja të mëtejshme? A keni emra konkretë?
Përveç deduksionit logjik se përveç pas tre vitesh ndryshoi 180 gradë qëndrimi për plehrat dhe paralelizmit me shembujt e tjerë ku ka ndryshuar qëndrim për të përqafuar oligarkët dhe kontratat e tyre të majme, padyshim që opozita është në gjurmë të fakteve që të çojnë drejt pranisë së individëve të huaj, përfaqësues të interesave të errëta mafioze që kanë një të kaluar kriminale. Ne besojmë se një pjesë e tyre janë pas aferës së Sharrës, jo për të përdorur politikisht fatkeqësinë e tmerrshme, por ajo fakteqësi e tmerrshme është e lidhur me një përfitim gjigant financiar të një grushti njerëzish në kurriz të një shumice qytetarësh të varfër që punësoheshin dhe punëson si skllevër në Sharrë.

– Ashtu ka qenë edhe kur ishit ju kryetar bashkie…
Nuk është e vërtetë. Faktet janë këto. Sharra ka qenë pjesë e ndërmarrjes nr. 2 apo 3 të Bashkisë, nuk ka pasur asnjëherë privat në Sharrë, e ngatërron me Komunën e Vaqarrit, e cila kishte një kryetar komune socialist.

-Po këtë ndikim mafioz kishte edhe iniciativa e qeverisë “Berisha” dikur?
Jo, sepse ka qenë në funksion të rregullimit të industrisë, e cila ekzistonte me operatorë, me makineri dhe e cila sot është zeruar si rezultat i presionit qeveritar.

-Mendoni se këtë ndikim kalon edhe nëpërmjet strukturave të BE-së të cilat z.Rama i tha…
Po futemi në një rreth shumë spekulativ Lorenc. Ajo që dua të ndaj me ty dhe me qytetarët është kjo ..

-Atëherë ky është ushtrim logjik pra?!
Tani të bëjmë këtu prokurorin? Këtë gjë duhet ta bëjë Prokuroria.

-KM thotë se ky ligj është bërë nën supervizionin e BE-së…
KM mund të thotë çfarë t’i dojë qejfi, ajo që duhet t’u thotë qytetarëve është pse premtoi…

-Ndryshuan rrethanat.
Çfarë rrethanash?

-Ai tha kanë ndryshuar rrethanat.
Cilat rrethana kanë ndryshuar.

-Ligji ka kaluar ndërkohë 67 vota pro, 23 vota kundër, 4 abstenime, Meta ka munguar në seancë …A do t’i drejtoheni qytetarëve për të rimbledhur firmat?
Sigurisht që po. Kjo është çështja.

-Do të kërkoni referendum?
Po. Qytetarët tashmë kanë një lëvizje të mirëstrukturuar, të cilën në një moment e kemi pasur përballë dhe sot dua t’u them këtyre qytetarëve që prej sot do të na kenë në krah për një referendum që do t’i presë rrugën që pas ka një aferë mafioze, se nuk ka shqetësimin për ricikluesit shqiptarë. Dhe pas kësaj, PD në pushtet do të hapë një konsultim të hapur me të dy grupet e interesit, edhe me industrinë e riciklimit edhe me ambientalistët për të vendosur në funksion të interesit publik, rrugën e drejtë të trajtimit të kësaj çështjeje. Sepse ndërkohë që flasim, plehrat e Shqipërisë nuk po trajtohen jo më mbetjet që vijnë nga jashtë. Plehrat e Shqipërisë nuk po trajtohen, është bërë një kazan i mbushur me plehra. Unë lëviz në terren, jam pranë qytetarëve dhe një nga shqetësimet e qytetarëve është mungesa totale e shërbimeve në këto bashkitë e reja që janë bërë pra. Këto 61 bashki që pastrohet qendra e qyteteve dhe harrohet gjithçka tjetër.

-Edhe në kohën e qeverisë “Nano” opozita ka qenë kundër në vitin 2004 importit të mbetjeve. Kur erdhi në pushtet PD ka qenë pro, më pas erdhi PS tani është pro. Kush e garanton opinionin publik që partia që vjen në pushtet, që unë uroj të jeni ju meqë tani është PS-LSI, nuk do të ndryshojë qëndrim? Kur jeni në pushtet jeni pro, kur jeni në opozitë jeni kundër? Kush na garanton ne që kur të vini ju në pushtet do të vazhdoni që të jeni kundër?
Ke shumë të drejtë për këtë pyetje dhe skepticizmi që është krijuar ka brenda një të vërtetë të pamohueshme që në raste të veçanta që edhe gjatë qeverisjes tonë 8-vjeçare, pesha e grupeve të caktuara të interesit për çështje të caktuara ka diktuar vendimmarrje, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në përputhje me interesin publik. Dhe kjo mbjell skepticizëm, skepticizëm tek rrotacioni politik si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve dhe jo të ministrave, zhbën besimin tek vota e lirë dhe ky është një problem themelor, me të cilin përballen sot shoqëria shqiptare. Ndaj detyra ime si kryetar i opozitës, si kryetar i PD-së nuk është vetëm të ofrojë zgjidhje të reja në çdo fushë, duke përfshirë fushën e riciklimit dhe ruajtjes së ambientit, si dy fusha me tension me njëra-tjetrën, kur duhet gjetur rruga e interesit publik. As rruga që dëmton ambientin, as rruga që trajton në bllok industrinë e riciklimit si kriminale. Por një rrugë, e cila duhet gjetur vetëm me instrumentet e konsultimit të hapur dhe vendimmarrjes transparente. Tani këto janë fjalë të mëdha, por ajo që dua t’u them sot.

-Janë demagogji, sepse ka dy vjet që …
Ta mbaroj mendimin. Nuk është më çështje oferte zgjidhje, mendoj se është një çështje shumë e rëndësishme. PD, opozita, unë duhet të ofrojmë një model të ri shoqëror dhe politik. Nëse nuk ofrojmë një model të ri shoqëror dhe politik, nëse mjaftohemi me zgjidhje fragmentare, segmentare, këta e bënë kështu, ne do ta bëjmë kështu, unë nuk besoj…

-Je 8 muaj para zgjedhjeve, kur do t’i bëni këto se nuk ka kohë?
Është pyetje tjetër kjo, do ta kthej përgjigjen edhe për atë pyetje.

-Këtë modelin kur do ta bëni?
E kemi nisur.

-Nga 2013 e deri tani nuk e keni bërë dhe tani në prag të fushatës zgjedhore do ta bëni me shpejtësi.
E kemi nisur, kemi dy vite që jemi në konsultime me qytetarët.

-Ku?
Qytet më qytet, fshat më fshat, me grupet e interesit, me gratë, me të rinjtë, me biznesin e vogël.

-Këto janë leksione si mund të bësh programin?
Jo, nuk janë. Këto janë konsultime. Në qoftë se ke ndjekur një takim të fundit, i cili ka qenë i dedikuar për problemet e zhvillimit rural, të bujqësisë dhe blegtorisë, pjesa më e madhe e programit është prekur, ka avancuar si shkak i konsultimeve me qytetarët.

(Marrë me shkurtime nga emisioni Opinion)

Artikulli paraprakISIS tek droga, Berisha apel NATO-s
Artikulli tjetërKapen 3.2 ton drogë nga Shqipëria në Pulia e Leçe