Genc POLLO
Komisionet hetimore janë shumë të rëndësishme për funksionin e Parlamentit si kontrollues i ekzekutivit, të rëndësishme për opozitën që në kompozicionin kundrejt mazhorancës, i takon së pari të jetë iniciatore e kontrollit parlamentar në përputhje me rregullat në fuqi. Çfarë ndodhi më 2014?! Partia Demokratike me numrin e kërkuar të firmave të deputetëve propozon ngritjen e dy komisioneve hetimore, të cilat janë në tagrin e saj kushtetues dhe nuk janë objekt i miratimit apo të refuzimit nga mazhoranca.
Me pretekste si ky që diskutuam pak më parë për çështjen e mandateve në papajtueshmërinë e tyre, mazhoranca PS–LSI refuzon. Opozita nuk hedh gurë, nuk del për këtë çështje në rrugë, por ndjek rregullin institucional. Vendimin e shumicës PS-LSI e çon në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese bazuar dhe në raste të ngjashme europiane, kujtoj nga Italia dhe Gjermania, merr një vendim të qartë, absolutisht të qartë si rasti i mandateve që diskutuam pak më parë, ngritja e komisionit hetimor përsa kohë që këtë e kërkojnë 28 deputetë, pra numri i opozitës, duhet të ndodhë në mënyrë automatike, nuk është objekt i diskrecionit të mazhorancës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritej që të botohej në gazeta zyrtare dhe të hynte në fuqi dhe kërkuam përsëri në Konferencë të Kryetarëve që dhe mazhoranca PS-LSI të respektonte shtetin ligjor, Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Përsëri refuzim. Pastaj ndodhi dhe dhuna. Pastaj ndodhën edhe elementët e ish-burgaxhinjve të PS. Bojkot, mospjesëmarrje nga opozita dhe në fund me peripecitë që ju i njihni, marrëveshja e 24 dhjetorit 2014, e cila në pikën e dytë të saj lexon kështu: Të gjitha partitë do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e saj sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen për rishikim të rregullave, në drejtim të funksionit eficent të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Pra, kërkohet të rishikohet ligji i komisioneve hetimore. U ngritën komisione të posaçme në vijim të kësaj marrëveshjeje. Por e vërteta është që për komisionet hetimore rregullat janë të qarta. Është çështja e vullnetit të mirë ajo që i ka penguar dhe meqë gjithë vëmendjen dhe energjinë politike dhe me të drejtë e mori çështja e dekriminalizimit dhe duke besuar që mazhoranca kishte zënë mend për pengimin antiligjor që i bëri hetimit parlamentar, ndoshta nuk do të ishte nevoja të ndryshoheshin rregullat, të amendohej ligji, sepse me vullnet të mirë mund të funksionojnë gjërat. Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi dhe nuk ndodhi në një komision hetimor, në atë të ngritur për problemin e abuzimit të ekzekutivit me serverin e tatimeve. Do të kisha dashur që të ishte përmendur në fjalimet përkatëse, se si po në mënyrë sistematike, në më shume se 7 mbledhje, mazhoranca nuk u paraqit në mbledhjen e kërkuar nga kryetari i komisionit, duke e bërë të pamundur mbledhjen, duke e bërë të pamundur marrjen e provave, duke bërë të pamundur dëgjimin e dëshmitarëve. Mungesë e vullnetit politik?! Dëshirë për të fshehur një zullum qeveritar?! Të gjitha mund t’i mendojmë, por shkeljen e ligjit nuk mund ta pranojmë dhe zbatimi i tij është një mënyrë për të gjetur të vërtetën. Çfarë ka ndodhur me qindra mijëra dokumente, skeda tatimore të të gjithë bizneseve në Shqipëri? Opozita nuk vjen, opozita thërret mbledhjen dhe mbledhja dështon, kur kjo bëhet çështje e madhe, kur kjo bëhet objekt që opozita të përdorë një masë jo të zakonshme, kufizimin e pjesëmarrjes së vet në Parlament, vetëm atëherë vijnë deputetët e Partisë Socialiste dhe pas tyre të LSI që të fillojë të funksionojë Parlamenti që mund të dëgjonte nga ish-ministri i asaj kohe i Financave se ata nuk ecin me rregulla të shkruara, por me fjalë goje shumë treguese për mentalitetin e qeverisë. Por është e vërtetë ajo që u tha që në komisionin tjetër që unë kam privilegjin të kryesoj, ky fenomen nuk ka ndodhur. Por aty ka ndodhur diçka tjetër, ka ndodhur ajo që megjithë kërkesën e hershme të komisionit hetimor të marrë me vendim me konsensusin që ligji nuk e detyron, qeveria nuk solli përgjigje. Që nga muaji janar e kemi konstatuar se kishte ardhur 30% e vëllimit, nga 100% që duhej të vinte. Në qoftë se kjo ka qenë ngarkesë për administratën publike, ne s’na takon të bëhemi sherrxhinj për gjëra të vogla.
Afati dukej i mjaftueshëm, 5 muaj. Kohëzgjatja e komisionit hetimor mund të priste dhe dy javë, përtej asaj që kërkon rregulli, mjafton që informacioni të vinte. Dhe jemi mbledhur pasi unë e kam ngritur çështjen në Konferencën e Kryetarëve, ku i kam kërkuar ministres që mban marrëdhëniet me Parlamentin, por dhe kryetarit të grupit socialist: nuk i përgjigjet qeveria detyrimit ligjor, pasi pritëm dy javë, dy javë e dy javë.
PD ka filluar që nga nëntori i 2013 me emër, mbiemër dhe vend pune dhe skedë penale dhe denoncojë dhe janë disa duzina.
U përmend këtu një mësues, një drejtor shkolle në Ballaban i emëruar nga rilindistët që është i dënuar penalisht, modeli që i japin nxënësve, modeli që i japin të rinjve atyre që kanë përgjegjësinë e edukimit, është vënë një burgaxhi. Drejtor shkolle është një rast, por raste të tjera ka plot. Por një rast u fitua të paktën dhe do ky mjafton që një njeri që kishte ndërgjegje të paktën të thoshte çfarë po bëjmë t’i kërkonte llogari zonjës ministre të Arsimit, që nuk e kemi këtu sot.
Ka raste të tjera pa fund, por informacionin ne e duam 100% që të punojmë mbi këtë, pavarësisht që ne e kemi filluar mbi atë që na ka ardhur. Kemi rastin e z. Skuqi. Ai zbuloi që njëfarë Serezi, aktivist socialist i Kombinatit, i afërt me ministrin e Brendshëm, ishte emëruar në polici dhe ishte kapur nga Policia e Gjirokastrës me kamion me drogë. Shkruajti fillimisht në Facebook, pastaj në gazeta të ndryshme dhe u kërcënua menjëherë. Ne si komision deshëm ta thërrisnim për t’i dhënë njëfarë mbrojtje publike, ne s’kemi tagër për ta ruajtur me policë dhe për ta dëgjuar një rast një gazetar investigativ në Gjirokastër që zbulon një gjë të tillë, duhet përshëndetur. E çfarë ndodhi?! Në bazë të rregullores gjashtë deputetë opozitarë në një komision kanë të drejtë të padiskutueshme dhe është automatike të thirren në dëgjesë. Por çfarë bëri mazhoranca?! Mazhoranca në mënyrë të paturpshme mungoi për të thënë që ju nuk keni kuorum. Ju nuk bëni dot mbledhje. Ne vazhduam ashtu siç ishim, zotëria i tha të gjitha dëshmitë e veta. Çfarë bëri mazhoranca?! I kërkoi sekretares së Përgjithshme ta fshinte regjistrimin dhe kryetarit të Kuvendit ta fshinte regjistrimin dhe ata e bënë se nuk donin të linin një provë. Një dëshmi që e obligonte njeriun e tyre të emëruar të kundraligjshëm në polici dhe të kapur me drogë. Ky pra, është keqpërdorimi i mazhorancës dhe ky është problem qe ne duhet të rregullojmë. Prandaj duke parë që me vullnet të mirë gjërat nuk funksionojnë, atëherë proceduam me rregull konkret. Çuam amendimin e ligjt në mënyrë që mazhoranca sot, por dhe mazhoranca nesër, por dhe ajo pasnesër të mos ketë në rastin e keqdashjes mekanizmin për të penguar hetimin parlamentar, për të penguar mbledhjen e komisioneve hetimore. Prandaj zonja e zotërinj është për të ardhur keq që në komisionin përkatës ky amendament është rrëzuar nga mazhoranca PS-iste-LSI-iste, sepse do të ishte në nderin e tyre të paktën për t’u larë nga ai zhul që është shfaqur publikisht që ta kishin botuar këtë sepse nuk ndryshonte një gjë të madhe. Jo përsëri nuk e votoi. Nuk jam i sigurt që do të ketë reflektim nga ajo mbledhje deri në votimin e sotëm, por gjithsesi është një mundësi. Unë ju bëj thirrje: votojeni zonja e zotërinj. Është një amendament jo specifik në favor të opozitës së ditës, PD-së, është një favor ndaj Kuvendit dhe rolit të tij kushtetues për të kontrolluar ekzekutivin dhe për të kufizuar zullumet e mundshme të tij.