Sterkaj në trafikun e drogës dhe prostitutave

Arben RISTANI

Dalin këtu me radhë njëri pas tjetrit deputetët dhe mundohen të krijojnë një raport midis të vërtetës të gënjeshtrës, duke marrë secili monopolin e të vërtetës dhe duke lënë për tjetrin gënjeshtrën dhe kjo lojë zhvillohet në mënyrë që të arrijë secili të bindë publikun për atë që përfaqëson dhe mendon. Sigurisht dhe unë do të them ca të vërteta të miat, po për të gjykuar në fakt duhet vlerësuar se kush i thotë.  Kështu tashmë, është shumë e mirënjohur nga i gjithë publiku shqiptar, fakti që aleanca e sotme që qeveris Shqipërinë, mori emrin Aleanca e qelbësirave! Kështu ja vunë gazetarët e asaj kohe, emrin kësaj aleance, duke thënë se duhet të mblidheni të gjithë qelbësirat për të rrëzuar Sali Berishën nga pushteti. Pra, ishte motoja e asaj kohe, e asaj aleance për të marrë pushtetin, që duhet të bashkoheshin qelbësirat e të merrnin pushtetit. Dhe ashtu ndodhi, u grumbulluan bashkë njerëz që kishin sharë e kërdisur njëri-tjetrin me fjalë nga më të ndyrat dhe më të ultat, mashtrues të nivelit superior. Mblodhën rreth vetes vrasës, trafikantë prostitutash, trafikantë droge, hajdutë dhe mbushën këtë Parlament. Rasti më i fundit që më duhet të jap një përgjigje një përfaqësuesi të mazhorancës, i cili doli këtu pak më parë dhe u mor me kreun e PD në Malësinë e Madhe z. Anton Koka, i cili është një burrë i nderuar, është një familjar i nderuar, është një politikan i mirë, të cilin demokratët atje e zgjodhën për të drejtuar degën e PD. Dhe pa qenë asnjë pjesë e diskutimit këtu në Parlament u detyrua të dëgjontë gënjeshtrat e kësaj pjese. Tani për atë që foli këtu, unë kam një dokument zyrtar me firmë dhe vulë që i drejtohej kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta dhe ministrit të Brendshëm. Sipas këtij dokumenti thuhet që, shefi i Komisariatit të Policisë së Lezhës, Paulin Sterkaj, merrej me trafik droge dhe prostitutash. Po e citoj dhe sdua të lexoj emrat e tjerë, por është me firmë e me vulë. Merrej me trafik droge dhe prostuticion, me dokument. Sa për të thënë, ose për të ilustruar se çfarë ka mbledhur Aleanca e cila mori pushtetin duke rrëzuar Sali Berishën.  Kjo përbërje, e gjitha njësoj nga më i madhi te më i vogli, nisën punën në tetor 2013, pikërisht me një ligj që kishte të bënte me plehrat. Pra, aleanca e qelbësirave erdhi dhe u mor me ligjin e parë, ligjin e plehrave.
Nuk besoj se ekziston në Europë, as edhe në Afrikë, një qeveri që ta nisë ditën e saj të parë, të punës me plehrat dhe e përfundon po me plehrat. Madje po prej plehrave, në atë fillim, na bëri gazin e gjithë botës, duke vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet me aleatin tonë më të madh, SHBA, kur një herë tha Po dhe pastaj Jo për ato që do duhej të vinin nga Siria.  Ngriti në këmbë të madh e të vogel në atë kohë për armët kimike që do vinin nga Siria. Asnjë qeveri në botë, nuk do të donte të mbahej mend ose të identifikohej si qeveria e mbetjeve, po t’i referohemi termit ligjor, apo e plerave si thuhet rëndom, por me qeverinë tonë ndodh ndryshe. Faktet janë të tilla, Shikoni dhe dëgjoni së ç’po ndodh sot, me rikthimin për votim të këtij ligji, që njihet si ligji i plehrave: Ky rast është nga shembujt më të mirë, më përgjithësues, më të qartë të amoralitetit dhe pafytyrësisë, jo vetëm të Kryeministrit, por edhe të gjithë sektit të tij të krimit. Dëgjoni ç’ka thënë kryeministri apo kryetari i alences së… e dini vetë, në tetor 2013, në ditët e para të pushtetit të tij: “Jam shumë krenar që sot ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Ky Kuvend sot do të votojë për të çuar në vend një zotim solemn të marrë përpara publikut shqiptar dhe njëkohësisht për t’i dhënë mbështetjen e merituar një përpjekjeje të gjatë, deri edhe sfilitëse të Shoqërisë Civile dhe të gjithë faktorëve emancipues të shoqërisë shqiptare, që kanë kërkuar me këmbëngulje, përmes pengesash të panumërta dhe artificiale të vendosura nga qeveria paraardhëse që Shqipëria të mos jetë vendi i importit të plehrave. Shqipëria sot lëngon mes plehrash. Shqipëria sot është vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në të gjithë hartën e Europës. Shqipëria sot nuk garanton asnjë standard europian, por jo vetëm europian, në trajtimin e plehrave. Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë.

Pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria

Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.
Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehra: ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, që i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme, për shkak se kanë të gjitha aftësitë për t’i kontrolluar dhe për t’i trajtuar këto lloj mbeturinash, dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit, madje inekzistente të përpunimit të tyre.
Fatkeqësisht, Shqipëria që trashëgojmë bën pjesë tek të dytat dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë është ndalimi i importit të çdo lloj mbeturine. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë”. Këto ka thënë kryetari i alencës së… e dini vetë, me zë dhe me figurë. Tani më thoni, a i ka Shqipëria e sotme standardet europiane, për të cilat fliste kryeministri dje?
A nuk lëngon Shqipëria sot po midis plehrash?
A ka dalë Shqipëria sot nga të qenit vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe përpunimit të plehrave në të gjithë hartën e Europës?
A ështe Shqipëria sot në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë?
A i janë zhbërë mafies ndërkombëtare sot arsyet për t’ju drejtuar Shqipërisë dhe për të dërguar këtu plehra?
A po i jep sot kryetari i aleances së… e dini vetë, Shoqërisë Civile, publikut shqiptar, mbështetjen e merituar, për përpjekjet e gjata, sfilitëse, plot pengesa, për të mos lejuar importin e plehrave në Shqipëri?
Qartazi po bën të kundërtën e atyre që ka thënë, qartasi po bën të kundërtën e atyre që ka premtuar, e atyre që është zotuar. Ai dhe sekti i tij, të gjithë bashkë po lëpijnë atë që kanë pështyrë, pa u skuqur nga gënjeshtra, pa ju lëvizur qerpiku nga mashtrimi që i bëjnë, jo opozitës, se ne i njohim mirë, por çdo njeriu të këtij vendi, çdo veprimtari të Shoqërisë Civile, çdo intelektuali.
Kjo është tipike e psikologjisë që njerëzit i trajton si dele, pa tru, pa kujtesë, që i gënjen kur të duash, i rreh, i burgos, i tall, i shan, i përqesh, i varfëron, i përze nga vendi dhe kur të duhen i blen me 5 lekë.

Importojmë plehrat e Evropës dhe botës dhe eksportojmë drogë

Kthimi sot tek i njëjti ligj, që në tetor 2013 e shfuqizuat gjithë pompozitet, nuk tregon aspak se keni reflektuar për gabimin që keni bërë dhe për një industri të tërë përpunuese që çuat drejt falimentimit, por tregon se tashmë jeni futur në lidhje me mafien ndërkombëtare dhe keni gjetur marrëveshjen për të ndarë fitimet për kthimin e Shqipërisë në një kosh gjigant plehrash. Importojmë plehrat e Evropës dhe botës dhe eksportojmë drogë. E tmershme, por e vërtetë.   Droga ka mbuluar Shqipërinë nga Jugu në Veri, nga Perëndimi në Lindje. Bandat e drogës kanë krijuar flota me makina e maune, me skafe e me anije, me avionë e me aeroporte. Deri sot vetëm për nëndetëse nuk kemi dëgjuar. Droga po shkatërron gjithë shoqërinë shqiptare, droga po merr jetë përditë, 5 të vrarë deri tani këtë muaj nga historitë e drogës, droga fuqizon bandat e krimit, të cilat sot kanë kapur shtetin.
Shteti i bandave, i drogës dhe i plehrave, largon nga ky vend investitorët e huaj serioz, siç ishte rasti i fundit i rrahjes barbare të administratorit të shoqërisë “Omnix”, që s’i lanë kockë pa thyer me shkop bejsbolli. Shoqëria “Omnix” vendosi të largohet nga Shqipëria, duke i hequr vendit 450 milionë dollarë investim dhe duke zhdukur 1200 vende pune. Kështu i duhet Shqipëria bandës së krimit, e varfër, e papunë, e dhunuar, pa investime, në mënyrë që ta ketë më të lehtë banda ta mbushë me plehra dhe hashash.  Banda në pushtet, mbylli fillimisht universitetet, sepse të rinjtë nuk duhet të shkonin në bangat e shkollave qoftë edhe jo me cilësi të lartë, por duhej të ishin krahë pune në arat e hashashit. Plot 20 mijë maturantë janë sot të braktisur, të lënduar dhe nëpërkëmbur, nga Rama dhe sekti i tij. Maturantë me rezultate shumë të mira janë në pritje të tepricave sipas tekave të Ramës për të fituar mundësinë e studimeve të larta. Një sistem i dështuar që ka arritur të regjistrojë vetëm 23% të maturantëve që meritojnë shkollën e lartë, duke i sorollatur që t’i mërzisë dhe t’i shtyjë drejt emigracionit. Punë jo, shkollë jo, investime jo, shëndetësi jo.
Skandaloze ajo që ndodhi të premten e kaluar me nënën e re shtatzënë, e cila pikërisht në sistemin shëndetësor që ka ngritur banda, humbi jetën e saj dhe të foshnjës. Shembujt e të këqijave që aleanca e qelbësirave po i bën këtij populli e këtij vendi janë të përditshme, gjithnjë e më të dhimbshme. Nuk duhet lënë e keqja të na mpijë, të na korruptojë shpirtin. Sot është dita të hapim sytë e veshët, të hapim mendjen e të kuptojmë, se e keqja po na vë poshtë. Nuk e meritojmë të kthehemi në kosh plehrash të mafies ndërkombëtare. Nuk e meritojmë të kthehemi në kolumbi, në vend të bandave të narkotrafikut.
Është e domosdoshme të dalim sot mbi interesat meskine të momentit. E keqja nuk ka për të kursyer askënd, po e lamë të futet në rrugë pa kthim. Vërtet çdo gjë e ka një çmim, 50 apo 100 euro vota në Dibër, shumë e shumë më tepër është çmimi i një votë këtu në Parlament, por rruga pa kthim e të keqes të merr edhe kokën dhe të rrofshin paratë pastaj.
Të votosh sot kundër Ramës dhe bandës së tij është dinjitet, respekt për veten, dashuri dhe përkujdesje për fëmijët e t’u.

Replika pas fjalës së Taulant Ballës

Ajo që unë thashë dhe që iu referova një dokumenti me firmë e vulë të punonjësve të shtetit. Ky dokument i drejtohet ish-ministrit të Brendshëm, Spartak Poçi dhe kryeministrit të asaj kohe. Po lexoj një pjesë të dokumentit, sepse aty ka edhe emra të tjerë. “Shefi i komisariatit të Policisë Lezhës, Paulin Sterkaj dhe shefi i Ndjekjes së Krimeve në këtë komisariat…në bashkëpunim me policin dhe shoferin filan…, merren me trafikun e drogës dhe prostitutave”. E shkruar me firmë dhe vulë. Nuk u referova fjalëve. E përmenda këtë dokument, pasi deputeti në fjalë sulmoi kryetarin e Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe. Para se të akuzosh duhet që së pari të shohësh veten dhe kush është ai që thotë ato?! Ai që tha ato, është ky që fola unë.

Artikulli paraprakFundi i pronës private është fundi i lirisë suaj
Artikulli tjetërFaqja e parë