Ish-trajneri i kombëtares së Belgjikës, Mark Vilmots, ka treguar një fakt interesant disa muaj pas shkarkimit nga puna që mori si pasojë e eliminimit në çerekfinale të EURO 2016 në përballjen me Uellsin. “Faji ishte i imi për çdo gjë negative që ndodhte. Kishim arritur në një pikë që edhe sikur të fitoja trofeun nuk do të kisha më dëshirë të vazhdoja të drejtoja kombëtaren. Kur u njoftua largimi im nga puna, kam hapur një shishe shampanje për të festuar”, ka thënë Vilmots.
Belgjika ishte pretendente kryesore për të fituar EURO 2016, sidomos pas kundërshtarëve të lehtë në letër që kishte përballë në fazën me eliminim direkt, por humbja e papritur përballë surprizës Uells solli dhe përçarjen e kampit belg, ku vetë portieri Tibot Kurtua ishte i pari që doli publikisht kundër trajnerit.