Elseid Hysaj, të hënën zyrtarizimi i rinovimit

Mungon vetëm zyrtarizimi, por edhe ai do të vijë javën e ardhshme. Para ose pas ndeshjes me Benficën, Elseid Hysaj do të rinovojë zyrtarisht kontratën e tij me Napolin. Mes ditës së hënë dhe asaj të enjte mbrojtësi i kombëtares shqiptare do të hedhë firmën mbi marrëveshjen e re që do ta lidhë atë me klubin e kaltër deri në vitin 2021. Akordi mes palëve është arritur prej kohësh, ka siguruar edhe një herë tjetër për diçka të tillë menaxheri i futbollistit, Mario Giuffredi. Agjenti i Hysajt në një prononcim për mediat italiane ka bërë me dije se rinovimi i klientit të tij me Napolin është vetëm çështje ditësh.
“Kemi zgjidhur çdo detaj përsa i përket marrëveshjes së re dhe në javën e ardhshme Hysaj do të rinovojë kontratën e tij me Napolin, shpresoj që kjo të ndodhë përpara ndeshjes ndaj Benficës”, deklaroi Mario Giuffredi. Nga kontrata e re Elseid Hysaj do të përfitojë një pagë 3 herë më të lartë se ajo që merr aktualisht. Për momentin 22-vjeçari nga Shkodra paguhet vetëm 500 mijë euro në sezon, ndërsa në momentin që do të firmosë rinovimin paga e tij vjetore do të jetë 1.5 milionë euro. Gjithçka e merituar për lojtarin e kombëtares shqiptare, i cili shkëlqeu me fanellën e Napolit sezonin e kaluar, ndërkohë që edhe këtë kampionat e ka nisur në mënyrën më të mirë.

Artikulli paraprakArlind Ajeti i kthehet stërvitjeve në fushë
Artikulli tjetërShifra marramendëse