Edi Rama, shkelës i çdo marrëveshjeje!

Nga Patrik SADIKAJ

Ka një perceptim të nxitur keqadasshës se Edi Rama ka dominuar në shumicën e rasteve kur është marrë vesh me opozitën.

Në fakt nuk është e vërtetë aspak.

Nëse i kthehemi historisë së shkuarës së afërt, kuptojmë se në marrëveshje ka dalë gjithmonë si final qëndrimi apo ideja e opozitës.

Ligji për dekriminalizimin është padyshim një fitore e PD dhe personale e Lulzim Bashës që me gjithë sfidat për të bindur deri edhe skeptikët ndërkombëtare, u arrit që të miratohej varianti i propozuar nga opozita.

E njëjta histori edhe me Reformën në Drejtësi, ku me gjithë dallgët e sulmeve të pandalshme ndaj lidershipit të PD, në fund kjo reformë u bë sipas variantit të mbrojtur nga opozita.

Së fundmi marrëveshja e 5 qershorit, ku opozita doli fituese e betejës.

Por, problemi nuk është tek marrëveshjet, por tek Edi Rama që nuk i ka qëndruar asnjë prej marrëveshjeve duke sfiduar ndërkombëtarët e investuar në këto 3 marrëveshje.
Ndërkombëtarët tashmë e dinë që Edi Rama nuk e mban fjalën. Këtë bëri për dekriminalizimin, që me gjithë ligjin si barrierë ai e mbushi Kuvendin dhe bashkitë me kriminelë.

E njëjta gjë edhe me Reformën në Drejtësi, ku fill pas miratimit të saj me votat e gjithë Kuvendit, ai ndërmori njëmijë e një akte shkatërrimtare ndaj saj dhe duke shkelur hapur marrëveshjen për këtë reformë ai kapi drejtësinë.

Edhe në 2017 ai ra dakord në tavolinë, por më pas duke e shkelur sërish marrëveshjen bleu e vodhi zgjedhjet.

Së fundmi, krejtësisht në mënyrë të hapur, Edi Rama po minon marrëveshjen e 5 qershorit e cila ende është me bojë të njomë në letrën e bekuar demonstrativisht nga partnerët ndërkombëtarë.

Edi Rama sot është krejt lakuriq para ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve duke hedhur në erë me deputetët e blerë në pijetore dhalle e rakie, një marrëveshje të vulosur nga ndërkombëtarët dhe më shumë se gjysma e shqiptarëve që përfaqësohen nga opozita.
Edi Rama nuk ka më asnjë pikë morali të kërkojë marrëveshje. Ai nuk mban asnjë marrëveshje.

Opozita, sido që të jetë rruga e Edi Ramës, duhet të ecë drejt rrugës së saj: fitores së zgjedhjeve duke i ofruar marrëveshje vetëm shqiptarëve.

Artikulli paraprakPse Perëndimi vendosi dje vijat e kuqe për reformën zgjedhore?
Artikulli tjetërHumb jetën tek Infektivi 26-vjeçari i prekur me Covid-19, shkon në 125 numri i viktimave