Aktivisti mbahet 7 orë në qeli, shkroi emrin e Ramës në kazanët e plehrave

Dy të rinj në Tiranë u shoqëruan mëngjesin e djeshëm nga policia, pasi shkruan emrin e Kryeministrit Edi Rama dhe të disa politikanëve në kazanët e plehrave. Klodjan Leka dhe Bislim Lakna e ndërmorën këtë nismë në shenjë proteste ndaj gjithë atyre deputetëve që miratuan dy ditë më parë ligjin për importin e mbetjeve në Shqipëri.  Në një intervistë ekskluzive për “Balkanweb”, Klodjan Leka sqaron se arsyeja e ndalimit të tij nga policia ishte “për fyerje të personaliteteve të rëndësishme shtetërore”. Aktivisti i shoqërisë civile rrëfen 7 orët e ndalimit të tij në qelinë e paraburgimit dhe deklaron se nuk do të heqë dorë nga protesta për të mos pranuar ligjin e mbetjeve urbane.
– Ku ju ndaluan?
Ne u ndaluam në rrugën “Myslym Shyri” rreth orës 3 të mëngjesit. Një makinë e vogël “Polo” dhe një fugon policie zunë rrugën ku po ecnim, ndërsa një motor sportiv priste në rrugicën prej nga mund të ikje dhe që prangosi bashkaktivistin kur ky, në panik e sipër, tentoi t’i shpëtonte arrestimit. Pra, me pak fjalë, kishin mbyllur të gjitha rrugët.
– Çfarë arsye ju komunikuan policët për ndalimin?
Sipas policisë, ndalimi u krye pasi ne, sipas një raportimi sekret, që të themi të drejtën nuk është hiç sekret, pasi raportimi i taksistëve dhe rojave private tek kryqëzimi i Drejtorisë së Policisë është bërë modë tashmë, ne paskemi shkruar parulla me përmbajtje shqetësuese. Megjithatë, ne nuk kishim shkruar parulla, por emra të disa politikanëve të rëndësishëm, si të pozitës dhe opozitës. Policia e kuptoi me vonesë këtë dhe nga krimi i çuditshëm i të bërit “street art”, kaloi në akuzë për fyerje të personaliteteve të rëndësishme shtetërore. Pastaj, pas arrestimit të bujshëm, policia nisi po prapë me zhurmë të kërkonte për gjurmët e krimit nëpër koshët e mbeturinave.
– Sa orë qëndruat në komisariat?
Qëndruam nga ora 3 deri në orën 10, në një dhomë të ftohtë, me një stol të vetëm dhe ujë çezme. U përpoqëm të flinim ose të qetësoheshim disi, por ishte e pamundur. Ishim kriminelët e vetëm në stacionin policor.
– Me kë ishit në qeli?
Me shokun tim, Bislim Laknen, student dhe aktivist politik kosovar. Ia vlen të ndalemi për të përshendetur edhe dy policët babaxhanë të turnit, që përkundër kolegëve të tyre, u treguan të njerëzishëm dhe mirëkuptues.
– Si u soll policia me ju në ambientet e paraburgimit?
Ka dy lloje policësh. Policët me përvojë, burra babaxhanë që përpiqen të kuptojnë idetë dhe dëshirat e brezit të ri, pasi janë prindër të bashkëmoshatarëve tanë dhe kaposhët e fryrë me klishe, që nuk besojnë se njeriu mund të besojë dhe që besojnë se uniforma u jep autoritet pothuajse pervers mbi të tjerët. Kërcëllitjet e dhëmbëve, fyerjet dhe sjelljet prej garipi janë realitet në komisariatet e policisë.
– Përse e kundërshtoni ligjin për mbetjet?
Së pari, në kushtet kur qytetet tona kutërbojnë prej kërmës dhe institucionet publike janë të paafta për të administruar edhe ato pak mbetje urbane, është marrëzi të pretendosh përpunimin e mbetjeve të botës në Shqipëri. Së dyti, imagjinoni ç’fatkeqësi mund të sjellë korruptimi i një doganieri, një inspektori, një mjedisori etj., nëse siç dyshohet, importohen mbetje të rrezikshme. Së treti, alternativa ekonomike dhe institucionale e qeverisësve për rimëkëmbje nuk duhet kërkuar tek importimi i mbeturinave, tek lëndët e kontaminuara, tek kanabisi apo industritë e rrezikshme, sepse kjo alternativë nuk sjell asgjë të mirë, veçse më shumë të keqe. Ne si “Organizata Politike” kemi thirrur një protestë para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen në punë të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, që për turp të Zotit, vazhdohet të heshtet mbi ikjen tragjike të tij, si nga Bashkia, si nga Prokuroria dhe si nga institucione të tjera përgjegjëse. Nëse importi i plehrave lejohet të ndodhë dhe përpunimi i tyre të kryhet sipas modelit aktual të punës në industrinë e përpunimit, vdekje të tjera, mbase edhe më tragjike, do të kemi çdo ditë.
– Nga e morët shkakun për të shkruar emrat e politikanëve në kazanët e plehrave?
Ishte një ide që qarkulloi gjatë kohës që protestonim para Parlamentit, por edhe domosdoshmëri, në kushte kur pushteti qendror refuzon të dëgjojë kritikat dhe zërin tënd. Ne nuk kemi se ku të shprehemi tjetërkund, nuk kemi hapësirë tjetër lirie, veç rrjetit social dhe mureve të qytetit. Po ashtu, ideja e të shkruarit të emrave të politikanëve nëpër kazanë mbeturinash, erdhi si rrjedhojë e hipokrizisë dhe tradhtisë së padurueshme të interesit publik dhe shoqërisë shqiptare. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Nuk mund të lejojmë që të njëjtat fytyra të tallen të pashqetësuar me qytetarët, kur brezi ynë, por edhe tërë shoqëria, po shkon në djall prej veprimeve ose mosveprimeve të tyre.
– A do të vazhdoni protestat?
Sigurisht që po. Njerëzit sikur e kanë humbur besimin tek fuqia ndryshuese e protestës, por është i vetmi mjet demokatik që kemi, pavarësisht kufizimeve rreptësisht policore të saj kohëve të fundit. Njerëzit duhet të kuptojnë se bota nuk ndryshohet me një protestë të vetme. Nevojitet këmbëngulje dhe vazhdimësi. Presim të bashkohemi me organizata, personazhe publike dhe këdo që kërkon ndryshim, që të vendosim, si dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen.

Artikulli paraprakKazanët e plehrave mbushen me Edi Rama
Artikulli tjetërPlas korrupsioni në Zyrën Arsimore Sarandë, punonjësja kërkon ryshfet