Plas korrupsioni në Zyrën Arsimore Sarandë, punonjësja kërkon ryshfet

Ndërkohë që problemi i maturantëve është një nga çështjet më të nxehta të kohëve të fundit, korrupsioni në zyrat arsimore po avancon gjithmonë e më shumë.  Një rast i pastër korrupsioni, i ndodhur në Zyrën Arsimore Sarandë, është denoncuar në portalin “Jeta osh qef”. Punonjësja e kësaj zyre, konkretisht Marjana Dhespi, për një firmë në një dëftesë i ka kërkuar maturantit 200 lekë.
Mirëpo ka ndërhyrë menjëherë xhaxhai i tij, i cili e kërcënon Marjanën se do ta denoncojë dhe kërkon arsye se pse duhet paguar ky 200 lekësh. Por, Marjana kur shikon se nga ky rast nuk nxjerr gjë, përpiqet që të qetësojë situatën dhe për më shumë kërkon edhe falje.
“Përshëndetje, jam gjendur ditën e sotme përballë këtij rasti të qartë korrupsioni në Zyrën Arsimore Sarandë. Zonja Marjana më kërkoi ryshfet vetëm për një firmë me atë të së cilës dëftesa e shkollës së mesme më njihet për të studiuar jashtë. Vetëm një firmë dhe duhen paguar 200 lekë, por siç do ta shikoni në video, kur xhaxhi im e kërcënoi se do ta denonconte në polici për korrupsion, u tërhoq menjëherë dhe kërkoi falje. E kanë gjetur mirë këta, ndërkohë që kanë lënë pjesën më të madhe të maturantëve pa shkollë të lartë, zhvatin pa turp xhepat tanë”, shkruan qytetari.
Ndërkohë, me fillimin e vitit të ri shkollor, ka patur mjaft probleme në shkolla në të gjithë vendin. Nxënësit janë akoma të pakompletuar me tekstet shkollore. Në mjaft shkolla të vendit vihet re mungesa e investimeve që te xhamat e thyer, të zëvendësuar me plastmasë, muret me lagështi, apo edhe mbetjet urbane që qëndrojnë aty prej kohësh, në gjendje dekompozimi.
Në shkollën 9-vjeçare në Krujë, ku ndjekin procesin mësimor 450 nxënës, mungojnë xhamat që rëndom janë zëvendësuar me plastmasë. Nuk është ndërhyrë as për lyerjen e fasadës së godinës, ndërkohë që muret janë me lagështirë. “Gjendja në shkollë është shumë e mjerueshme. As në ’45-ën nuk ka qenë kështu”, shprehet një prind.

Artikulli paraprakAktivisti mbahet 7 orë në qeli, shkroi emrin e Ramës në kazanët e plehrave
Artikulli tjetër2 miliardë lekë për një rrugë të papërfunduar dhe pa standarde