Në fshatin Dragostunjë të Librazhdit po bëhet një investim për rikonstruksionin e rrugës së fshatit që lidhet me rrugën nacionale. Ndonëse janë akorduar rreth 2 miliardë lekë, rruga është e papërfunduar dhe pa standarde, pasi projekti nuk është zbatuar. Ne jemi për zhvillimin e zonës dhe përkrahim investimet, por kërkojmë që të zbatohet projekti dhe firma zbatuese të jetë rigoroze dhe mirëkuptuese me banorët, dhe kur nuk ka mirëkuptim është pushteti vendor që ndërhyn për zgjidhje.
Vihet re se, projekti nuk është zbatuar dhe rruga është pa standarde. Kanali anësor prej betoni është i papërshtatshëm. Tubacioni i ujit vaditës është vjedhur, duke u prerë dhe është vendosur në pjesë të ndryshme të rrugës për shkarkimin e ujërave.
Pronarët e tokave nuk janë dëmshpërblyer për metrat e tokës që ju është dëmtuar apo zënë nga ndërtimi i rrugës.
Rruga është ndërtuar mjaft e ngushtë, ku nuk mundësohet shkëmbimi i dy makinave të vogla dhe nuk ka vende të caktuara për shkëmbim. Rruga është me kthesa të forta dhe burim aksidenti në çdo 20 apo 30 metra.
Rruga ka mbetur pa përfunduar edhe pse janë tenderuar rreth 2 miliardë lekë. Investitori është dakortësuar me firmën zbatuese për të mos ndërtuar muret mbajtëse dhe kështu shumë familje janë të rrezikuara nga rreshjet apo ndonjë fatkeqësi automobilistike.
Shkatërrimi i tubacionit vaditës jo vetëm që është vepër penale, por dhe ka lënë 150 familje në mëshirë të fatit për vaditjen e tokës së tyre.
Dega e PD Librazhd kërkon që projekti i rrugës të vihet në dispozicionin e Këshillit dhe Prokuroria të fillojë menjëherë procedimin penal për shkaktarët e shkatërrimit të veprës publike “tubacionit vaditës”, të verifikojnë projektin dhe të venë para përgjegjësisë firmën zbatuese.
Bujar Vreto